Në 18 vitet e fundit në Kosovë kanë ndodhur rreth 1,000 vetëvrasje, kurse numri i tentim-vetëvrasjeve është 3,430.

Mesatarisht në Kosovë ndodhin rreth 64 vetëvrasje dhe 230 tentim-vetëvrasje në vit.

Përkundër mungesës së statistikave prej viteve të mëhershme, ato të para luftës më 1999, vlerësohet se numri i vetëvrasjeve pas vitit 1999 është shtuar në mënyrë enorme.

Në të njëjtën kohë, shifrat e shënuara mund edhe të mos jenë pasqyrë krejtësisht reale, shkaku i një mentaliteti tradicional në shoqërinë kosovare që rezulton në mosraportimin e vetëvrasjeve.

Bazuar në grupmosha, më të prekshmit me vetëvrasje në periudhën përkatëse, sipas Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, kanë qenë personat prej 21-50 vjeç. Numri më i madh i personave të cilët kanë tentuar të vetëvriten, ndërkaq i takon grupmoshës prej 21-30 vjeçare.

Në dy vitet e fundit, Prizreni është qyteti i parë me numrin e vetëvrasjeve, kurse me më pak raste është Prishtina.

Në lidhje me këtë rritjen të numrit të vetëvrasjeve në periudhën përkatëse 1999-2016, Blerina Hoxha-Gjuraj, psikiatre në Klinikën Psikiatrike të Kosovës (QKUK) thotë se duhet pasur parasysh traumat e qytetarëve të Kosovës të marra nga lufta.

Ato ndikojnë sidomos kur bashkëshoqërohen me probleme ekonomike ose papunësi të madhe”.

Edhe qytetarët e Kosovës janë të mendimit se kushtet ekonomike mund të jenë njëra ndër arsyet kryesore për të marrë vendim për vetëvrasje.

Njeriu për me e shpëtu vetën prej skamjes e papunësisë, e për me i ikë shtypjeve psikologjike edhe e bënë këtë akt”, është bindur qytetari i Prishtinës, Abdullah Gashi.

Hoxha-Gjuraj thotë se faktorët apo shkaqet për vetëvrasje janë fenomen kompleks.

“Nuk është vetëm një faktor, por ata ndërlidhen me njëri tjetrin. Ato janë faktorët gjenetik, social, ekonomik, personal, çrregullime psiqike për personin që e kryen këtë akt, depresioni, apo edhe mungesa e zgjidhjes së problemit. Depresionit duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi”, thotë ajo.

Ka pacientë që kanë mendime për vetëvrasje, ndonjëherë edhe me plane konkrete. Për çdo ulje të disponimit apo problem “madhor”, sipas saj konsulti me psikolog është më se i nevojshëm.

Në Klinikë nuk meremi me statistika të moshës por mund të them se preket çdo moshë dhe s’ka dallim qenësor në këtë akt. Ne kemi bërë studime për mënyrën e kryerjes së vetëvrasjes tek femrat dhe meshkujt. Femrat përdorin më shumë tableta apo mjete korrozive, kurse meshkujt (kryejnë vetëvrasje – v.j.) me varje ose armë zjarri”, thotë ajo.

Hoxha-Gjuraj, njëherësh konsideron se kur rasteve të tilla u jepet shumë publicitet në media, ato  ndikojnë negativisht tek personat që kanë pasur mendim të kryejnë një veprim të tillë.

Shoqata Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjeve me seli në Uashington të SHBA-ve, si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, çdo 10 shtator shënojnë Ditën Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjeve, por në Kosovë deri më tani nuk ka pasur asnjë organizim.

Qëllimi i kësaj dite nëpër botë është rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me zbatimin e veprimeve që ndikojnë në parandalimin e vetëvrasjeve në nivel global pasi që vetëvrasjet, sipas organizatorëve, mund të parandalohen.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, vetëvrasja si akt nuk është vepër penale, ndërkohë që “shtytja për kryerjen e këtij akti” si dhe “ndihma për ta kryer” konsiderohen vepra penale.

 Policia rastet e tilla i inicion si ‘vdekje e dyshimtë’, gjegjësisht ‘hetim i vdekjes’. Vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe në bazë të të gjeturave që dalin nga hetimet, vlerësohet se a ka qenë vetëvrasje apo jo”, është përgjigjur Zyra për Informim e Policisë së Kosovës në pyetjen nga KosovaLive.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) fenomeni i vetëvrasjeve është rritur 60% në mbarë botën gjatë 45 viteve të fundit. Vetëvrasja është ndër tri shkaqet kryesore të vdekjes për grupmoshën 15–44 vjeç.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pohon se rreth 1 milion njerëz vdesin për çdo vit si shkak i vetëvrasjeve. Në çdo 40 sekonda regjistorohet një vetëvrasje.

Njomza Berisha