Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB kanë krijuar një printer tredimensional me pjesë të blera jashtë vendit.

Sipas një njoftimi të publikuar nga Kolegji AAB thuhet se projekti i krijimit të printerit 3D është realizuar nën mbikëqyrjen e dekanes së Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të këtij kolegji, Blerta Prevalla dhe profesorit Ermir Rogova.

 “Projekti për krijimin e printerit 3D ka filluar më herët, sepse ideja ishte që të mos merret i gatshëm, por të porositen të gjitha pjesët përbërëse të tij dhe i njëjti të krijohet nga studentët e këtij fakulteti”, ka thënë Blerta Prevalla.

Sipas saj, ky printer do t’iu shërbejë studentëve për të provuar aftësitë e tyre në dizajnimin dhe modelimin e strukturave të ndryshme tredimensionale.

Printerët 3D shërbejnë për ta shndërruar një objekt të projektuar në objekt fizik me dimensione reale, zakonisht duke përdorur materialin e plastikës ose të metalit.

Përderisa në Kosovë përdorimi i printerëve tredimensional ka filluar kohëve të fundit, nëpër vendet e zhvilluara të botës përdorimi i tyre po rritet dita-ditës.

Teknologjia e prodhimit të objekteve tredimensionale është përdorur nga fillimi i viteve 80′ nga kompania Ford Motor. Atë kohë kjo teknologji përdorej nga inxhinierët, të cilët i printonin maketet e objekteve që projektonin.

Printerët tredimensional përdoren nga kompanitë Boeing dhe General Electric, të cilat prodhojnë pjesë avionash në materiale plastike apo karboni dhe nga kompania Organovo për krijimin e pjesëve organike.

Këto lloj printerësh kanë gjetur zbatim edhe në mjekësi për të krijuar modelet e organeve. Së fundmi, hulumtuesit në Wallenberg Wood Sience Center, në Suedi e kanë krijuar një bioprinter 3D që mund të krijojë kërce për hundë, veshë dhe gjunjë, duke përdorur ngjyrë që përmban qeliza të njeriut.

Sipas ekspertëve, në të ardhmen teknologjia e printimit në 3D do t’i shërbejë njeriut për të ndërtuar objekte në periudha të shkurtra kohore, për të cilat atij do t’i duheshin vite. Pritet që nga viti 2020 të ardhurat nga kjo teknologji të arrijnë shifrën prej 8.6 miliardë dollarë në vit.

/Teuta Berisha –  Vajzat Ngrisin Zërin/

logo