Build Skills with our trainings

Sign up now!

Dhuna ndaj fëmijëve kryesisht mbetet e padenoncuar, brenda mureve familjare

Nën 6, 2017

Nga një anketë jopretencioze të realizuar nga KosovaLive, në muajin tetor të këtij viti, me 30 fëmijë të moshës 10-17-vjeçare të komunave të ndryshme të Kosovës, del se shumica prej tyre, në një apo formë tjetër, më shumë se një herë kanë pasur një lloj dhune në familje vitin e kaluar.

Nga ana tjetër, asnjëri prej tyre nuk kishte bërë denoncim në polici.

F.B.17-vjeçari nga Prishtina, thotë se edhe pse që nga mosha 13-vjeçare disa herë ka qenë viktimë e dhunës në familje, kishe vendosur mos ta denoncojë prindin e tij. Dhunën e përjetuar e përshkruan si “rrahje me mjete të ndryshme si rryp e shkop,” që shpesh i kishte lënë shenja në trup.

Mirëpo, me arsyetimin se e ka merituar dhunën pasi që nuk i ka dëgjuar prindërit, ai edhe sot mendon që ka bërë mirë që nuk e ka denoncuar babain e tij.

“Që një kohë të gjatë babi nuk më ka rrahur. Mirëpo edhe kur e ka bërë atë, ai nuk ka pasur faj pasi që e kam merituar. Kam qenë një fëmijë i lazdruar, por tani nuk jam andaj edhe prindërit sillen më mirë me mua”, thotë ai.

F.B. tregon se dhuna e kishte bërë edhe atë më të dhunshëm me të tjerët dhe si pasojë ai ishte ngatërruar edhe me shumë fëmijë në rrugë e në shkollë.

Statistikat e fundit në dispozicion janë ato të viteve 2013-2014 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Nga anketimi i 4,127 ekonomive familjare doli se 61% e fëmijëve të moshës 1-14-vjeçare kishin qenë subjekt i së paku një forme të ndëshkimit psikologjik apo fizik nga anëtarët e familjes. Prej tyre, 24% kishin përjetuar ndëshkim fizik, ndërsa gjashtë përqind kishin qenë subjekt i ndëshkimeve të rënda (goditja në kokë, vesh ose fytyrë apo goditje në forma të rënda dhe të përsëritura).

Vitin e kaluar dhunën në familje kanë raportuar në polici vetëm 12 fëmijë.

Sipas Policisë së Kosovës, për ngacmimet ndaj fëmijëve në familje, shkollë dhe ambiente të tjera janë arrestuar afërsisht 40 persona dhe janë bërë 210 kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit.

“Për këto raste ndërmerren veprime hetimore, arrestohen personat me autorizim të prokurorit të shtetit, ndërsa fëmijëve viktima iu ofrohen programe psikologjike, nëse ka nevojë strehim varësisht nga rasti. Kur dhuna ka ndodhë nga anëtari i familjes, përveç policisë angazhohen qendra për punë sociale, mbrojtësit e viktimave, psikolog, shkolla dhe ndonjë ojq që ka programe të rehabilitimit për fëmijët viktima”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Zyres për Informim të Policisë së Kosovës.

Legjislacioni Penal në Kosovë dënon me burgim prej gjashtë muaj deri në tre vjet prindin apo kujdestarin i cili e keqtrajton fëmijën duke përdorur masa fizike apo psikologjike.

KosovaLive ka tentuar disa herë të mësojë se çfarë masa janë marrë për dhunuesit, por zyra për informim në Prokurorinë e Shtetit nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Policia e Kosovës shpjegon se fëmijët që janë viktima të dhunës largohen për një kohë nga shtëpia dhe vendosen në strehimore të fëmijëve, por vetëm me pëlqim të fëmijës dhe punëtorit social.

Valbona Çitaku, drejtoreshë ekzekutive në strehimoren “Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve” në Prishtinë, ku ofrohet siguri për fëmijët e moshës 3-18 vjeç që kanë qenë viktima të dhunës në familje, thotë se gjatë këtij viti në këtë institucion janë strehuar tre fëmijë.

“Vendqëndrimi në strehimore është në kohëzgjatje 6-muaj, mirëpo në rastet kur organi i kujdestarisë nuk gjen alternativa dalëse kohëzgjatja e vendqëndrimit vazhdohet dhe për fat të keq kemi raste që qëndrojnë edhe me 2 apo 3 vite në strehimore. Organi i kujdestarisë nga Qendra për Punë Sociale punon për gjetjën e strategjive dalëse për fëmijën, kthimin në familjen biologjike pas sanimit të marrëdhënieve familjare apo kur kjo nuk është e mundur alternativa tjera dalëse si strehimi familjar apo vendosja në projekte afatgjate të ofruara nga OJQ-të në Kosovë’’, thotë ajo për KosovaLive.

Arbnora Kllokoqi, projekt kordinatore në Koalicionin e Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) tregon se numri i fëmijëve viktima të dhunës është i vogël ngase nuk është duke u punuar mjaftueshëm në identifikimin dhe referimin e rasteve të fëmijëve që janë viktima të dhunës.

“KOMF rekomandon rritjen e investimeve nga qeveria dhe komunat në krijimin e shërbimeve për parandalim, përfshirë krijimin e programeve për prindërit dhe profesionistët që janë në kontakt me fëmijët për metodat e disiplinimit pozitiv të fëmijëve. Rekomandohet investimi për fuqizimin e mekanizmave për identifikim dhe raportim të rasteve të dhunës”, thotë ajo.

KOMF sipas saj organizon takime me fëmijët me qëllim t’i informojë ata dhe t’i inkurajojë ta denoncojë dhunën eventuale në institucionet përkatëse.

“Dhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme dhe është vepër penale e sanksionuar me legjislacionin penal në fuqi dhe obligim ligjor i secilit qytetar dhe profesionist për ta raportuar atë. Veprimet e Kosovës për të parandaluar format e dhunës ndaj fëmijëve janë më të dukshme në ligjet, politikat dhe protokollet e saj. Ndërkohë që kapaciteti i Kosovës në krijimin e shërbimeve të përshtatshme për parandalimin e dhunës, mbrojtjes dhe reintegrimit të viktimave mbetet i kufizuar”, thekson Kllokoqi për KosovaLive.

Psikologia Dritë Demelezi-Sejdiu konfirmon se dhuna te fëmijët mund të shkaktojë ankth dhe depresion.

“Te fëmija zhvillohet agresiviteti dhe shpesh angazhohet në grindje me të tjerët në shkollë, në shtëpi dhe në lagje, po ashtu paraqiten probleme me gjumin. Fëmija ka vështirësi për të fjetur, përjeton ankth gjatë gjumit duke u zgjuar natën i frikësuar dhe i shqetësuar. Shpesh mund të përjetojnë edhe ankesa fizike si: kokëdhimbje dhe dhimbje stomaku. Kështu paraqiten probleme në jetën e përditshme si: grindje, situata konfliktuoze, marrëdhënie jokualitative, shkelje e ligjeve, abuzim me substancat narkotike, konsumim i duhanit dhe alkoolit, pra krijohet një personalitet me sjellje dekonstruktive“, thekson ajo.

Sipas zyrtares për informim të Avokatit të Popullit (IAP), Majlinda Sinani Lulaj, mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë nuk bëhet në masën e duhur.

“Realizimi praktik i të drejtave të fëmijëve, mbrojtja dhe respektimi i tyre, mbetet sfidë për institucionet e Kosovës, përkundër faktit se Kosova ka një kornizë të mirë ligjore për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve. IAP heton ankesat e paraqitura lidhur me pohimet për shkelje të të drejtave të njeriut, që kryhen nga autoritetet publike përfshirë këtu edhe Policinë e Kosovës, ndërsa sa i përket prokurorive dhe gjykatave vetëm në rastet që kanë të bëjnë me zvarritjen e procedurave gjyqësore”, thekson Lulaj.

Arbresha Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM