Rasti i vrasjes së Zejnepe Bytyqit në Suharekë nga bashkëshorti i saj në vitin 2015, nuk është rasti i vetëm që ka nxitur reagime të shoqërisë civile që merren me të drejtat e grave.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës (PK), vetëm në vitin e kaluar 988 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje – 119 më shumë se në vitin 2015.

“Përveç dhunës nga bashkëshortët, ka edhe gra të cilat ballafaqohen edhe me dhunën e ushtruar nga anëtarët e familjes, si babai, vëllai e xhaxhai”, ka shpjeguar Policia e Kosovës.

Sh.B. nga Prishtina, njëra nga viktimat e dhunës në familje tregon për KosovaLive se thuajse ishte “mësuar” me dhunën në familje edhe pse ishte kundër saj.

“Para se të martohesha disa herë më ka rrahur babai. Si shumë vajza të tjera edhe unë e mirrja dhunën si diçka normale, pra ishte prindi im dhe mund të më rrahte nëse bëja ndonjë gabim. Mirëpo, dhuna vazhdoi edhe nga bashkëshorti… Kushtet jo të mira ekonomike kanë qenë shkaku kryesor i dhunës. Fëmijët ishin të vegjël dhe nuk dinin asgjë, mirëpo tani që janë rritur ata më mbrojnë sa herë që kam konflikt me bashkëshortin tim, mirëpo edhe ai ka filluar të ndryshojë. Tani që punojmë të dy, kemi kushte më të mira dhe kemi konflikte më pak”, rrëfen ajo.

Policia e Kosovës pohon se ka kapacitet të mjaftueshëm profesional për hetimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe se seriozisht trajton çdo rast dhe ëshjtë në gatishmëri t’i ofrojën përkrahje dhe ndihmë viktimave.

“Hetuesit policorë në kuadër të njësive për hetimin e dhunës në familje vazhdimisht kontaktojnë me të gjitha shtresat e shoqërisë dhe i informojmë për pasojat që sjellë dhuna në familje dhe nëse dhuna në familje ndodhë duhet të raportohet në organet kompetente”, thuhet në një përgjigje nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës.

Për Policinë e Kosovës, “dhuna është e patolerueshme kudo që të ndodhë dhe kryesit e saj rreptësisht do të ndiqen dhe do të marrin dënimin sipas ligjeve në fuqi”.

Individët që janë shkaktarë të dhunës në familje ballafaqohen me dënime të cilat janë të përcaktuara me ligj.

Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Këshillin Prokurorial të Kosovës, tregon se për veprat me lëndime të lehta trupore dënimet janë nga tre muaj deri në pesë vite, ndërsa ato me  lëndime të rënda nga një deri në 10 vite.

“Sa i përket numrit të rasteve të dhunës në familje vitin e kaluar kemi përfaqësuar 1021 raste. Prej tyre 512 raste kanë kërkuar urdhra mbrojtës, 107 urdhra mbrojtës emergjent dhe një rast urdhër mbrojtës emergjent të përkohshëm. Shkelja e urdhrit për mbrojtje është vepër penale dhe ndiqet sipas detyrës zyrtare  sipas nenit 25 ”thotë Lutfiu.

Ky nen përcakton se shkelësit e urdhrave për mbrojtje kryejnë vepër penale dhe mund të dënohen me gjobë prej 200 deri në 2,000 euro por edhe me burgim deri në gjashtë muaj.

Derisa dhunuesit dënohen me burgim apo me para, varësisht prej rasteve, shumë gra që kanë qenë viktima të dhunës në familje vendosen në strehimore, ndërsa ka edhe prej tyre që vendosin t’iu kthehen prapë bashkëshortëve të tyre duke e arsyetuar dhunën.

Sipas statistikave të fundit të vitit 2013-2014 të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga anketimi i 4,127 ekonomive familjare doli se 28% e femrave në shumicën e rasteve pajtohen dhe e arsyetojnë dhunën “kur gruaja neglizhon fëmijët”, 17 % kur gruaja demonstron autonominë e saj, për shembull “duke dalë jashtë shtëpisë pa i treguar burrit të saj”, 14% “kur fjaloset me të”, ndërsa rreth një në dhjetë femra besojnë se “rrahja e gruas arsyetohet nëse gruaja refuzon të ketë marrëdhënie seksuale me burrin” dhe “pesë përqind nëse ajo e djeg ushqimin”.

Sipas burimit të njëjtë, arsyetimi në secilën nga pesë situatat është më pak prezent në mesin e atyre që jetojnë në ekonomitë familjare më të pasura, më të arsimuara dhe te femrat asnjëherë të martuara.

‘’Me rritjen e nivelit të arsimimit, femrat kanë më pak të ngjarë të arsyetojnë rrahjen apo goditjen e gruas nga burri i tyre, me 68% që pajtohen prej atyre që nuk kanë arsimim në krahasim me nëntë përqind të atyre që pajtohen që kanë arsimim të lartë”janë disa nga të gjeturat në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Edhe pse ka gra që e arsyetojnë dhunën në familje, një pjesë e konsiderueshme e raportojnë atë në polici dhe kërkojnë mbrojtje dhe një gjykim të drejtë.

Këshilltarja e lartë ligjore në institucionin e Avokatit të Popullit, Luljeta Domaniku tregon se gjatë monitorimit të seancave gjyqësore ka pasur zvarritje në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me dhunën ndaj grave ose burrave.

“Avokati i Popullit shumë herë, përmes raporteve ka tërheq vëmendjen në domosdoshmërinë e reagimit me kohë dhe në mënyrë të përshtashme nga autoritetet kompetente për rastet e dhunës. Gjithmonë është i pajustifikueshëm mosveprimi apo dështimi i institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur viktimat e dhunës. Gjithashtu edhe mosbashkëpunimi i institucioneve lidhur me çështjen e dhunës ka qenë një prej shqetësimeve të shumta të Avokatit të Popullit”thekson ajo.

Sipas Domanikut, shkaqet kryesore për të cilat ndodhë dhuna në familje janë të karakterit social, ekonomik, kulturor dhe të tjera.

Adelina Berisha, koordinatore për Hulumtim dhe Avokim mbi Dhunën në Baza Gjinore në organizatën joqeveritare Rrjeti i Grupit të Grave konsideron se dënimet për dhunuesit shpesh janë më të ulëta sesa krimi i shkaktuar.

“Rastet e dhunës në familje po trajtohen vetëm me ligjin civil kundër dhunës në familje, e kjo shpesh bënë që dënimet të jenë më të ulëta. Në të kaluarën RrGK ka shprehur shqetësimin për këtë çështje. Në rastin e dënimit të vrasësit të Zejnepe Berishës, pas reagimit të RrGK-së dënimi i tij është rritur nga 12 vjet në 17 vjet e gjysmë”thotë ajo.

Berisha tregon se gjendja e rëndë ekonomike dhe faktorët e ndryshëm mund të jenë shkaktarë të dhunës në familje.

‘’Në hulumtimin me titullin ‘Mjaftë më me arsyetime’, të realizuar në vitin 2015, qytetarët janë shprehur se disa prej arsyeve të dhunës mund të jenë: gjendja e rëndë ekonomike, papunësia, mungesa e arsimimit, martesa kundër vullnetit si dhe traumat e luftës. Po ashtu disa qytetarë kanë konsideruar se dhuna paraqitet si pasojë e martesave të hershme, kultura dhe tradita si dhe familjet e mëdha që jetojnë së bashku në hapësira të pamjaftueshme”, thekson ajo.

Iliriana Gashi, drejtoreshë në OJQ “Kosova Women 4 Women pohon se gratë bëhen viktima të dyfishta pas raportimit të dhunës.

“Shumica e rasteve të vrasjeve të grave kanë ndodhë pasi janë raportuar apo pas ndarjes, por masat ligjore të ndërmarra, ose më mirë të themi të pandërmarra e kanë eskaluar dhunën. Është jashtëzakonisht i ulët niveli i masave të ndërmarra ndaj dhunuesve. Nuk është sekret që sistemi ynë i drejtesisë qalon në shumë aspekte dhe fatkeqësisht edhe në rastet e dhunës në familje është i tillë”, thekson ajo.

Psikologia, Dritë Demelezi Sejdiu thotë për KosovaLive se dhuna në familje mund të lërë edhe pasoja në shëndetin dhe gjendjen psiqike të grave.

“Dhuna përjetohet si traumë duke paraqitur probleme shendetësore si: stres, frikë, pagjumësi, ankth, depresion, mungesë të vetërespektit dhe vetëbesimit, konfuzion dhe pasiguri. Gruaja e cila përjeton dhunë ndihet e nënvlerësuar, e frikësuar dhe e pa sigurt. Kjo ndikon që ajo të jetojë një jetë me të cilën nuk është e kënaqur. Ajo e percepton veten si jo të vlefshme duke mos u kujdesur për veten, nevojat personale dhe jetën e saj. Përjeton vështirësi në realizimin e aktiviteteve të përditshme për shkak të mungesës së vetërespektit dhe vetëbesimit. Shmanget nga kontaktet sociale duke menduar se nuk është e denjë për shoqërimin dhe vëmendjen e të tjerëve. Në kokën e saj zhvillohen mendime të vazhdueshme negative duke krijuar një ndjenjë pa shpresë për një të ardhme të kënaqshme dhe të sigurt”, shpjegon Delmezi Sejdiu.

Arbresha Berisha