Elfete Mehaj, banore e fshatit Gurrakoc të Komunës së Istogut, këtë qershor ka përfunduar për herë të parë studimet Bachelor në Kolegjin AAB në moshën 53 vjeçare.

E lindur më 5 shkurt 1963, Elfete Mehaj ka studiuar 4 vite në Kolegjin AAB, në degën Juridik – Kriminalistikë.

Ndonëse dallon për nga mosha prej kolegëve të saj, kjo nuk e ndaloi që të vazhdonte së ndjekuri ëndrrën për të përfunduar studimet universitare.

“Të përfundoj studimet në fakultet ka qenë ëndrra ime, dëshira e jetës sime”, është shprehur Mehaj.

Ajo thotë se ka pasur disa vështirësi kur ka filluar studimet në fitin 2014, por vullneti dhe dëshira e kanë ndihmuar atë t’i tejkalojë të gjitha.

“Një vështirësi  kam hasur pak a shumë pasi që kam qenë e shkëputur për shumë kohë nga shkolla dhe nga mësimet, mirëpo për një kohë shumë të shkurtër jam kyçur, sepse kam pasur shumë vullnet për ta kryer këtë drejtim”, ka thënë për KosovaLive Mehaj.

Gjatë studimeve, Elfete Mehaj ka thyer dy stereotipe të zakonshme në vendin tonë, ku njëra është se gratë nuk përfundojnë studimet universitare dhe tjetra se nëse je më në moshë, nuk mund të kryesh fakultet.

Pavarësisht të gjitha vështirësive, Mehaj shprehet se motivet e saj gjatë studimeve kanë qenë realizimi i ëndrrës së saj, ndjenja e privilegjit dhe arritja në shkollim.

“Motivet e mia kanë qenë përmbushja e ëndrrës sime, të ndihem e privilegjuar dhe të kem një arritje të lartë të shkollimit”, ka theksuar ajo.

Elfete Mehaj është femra e parë në fshatin Gurrakoc, e cila  ka përfunduar studimet universitare në moshën 53 vjeçare dhe ajo shpreson se në të ardhmen do të vazhdojë studimet pasuniversitare.

Mehaj tregon se ka pasur përkrahje të mjaftueshme gjatë ndjekjes së ëndrrës së saj, veçmas nga familja e saj, e cila e kanë ndihmuar shumë.

“Kam pasur shumë përkrahje të madhe nga familja ime. Ata më kanë përkrahur më së shumti dhe më kanë ndihmuar në shumë mënyra, pasi që gjatë studimeve unë nuk kam pasur asnjë mundësi financiare”, është shprehur ajo.

Elfete Mehaj thotë se ka një mesazh për gjininë që i takon derisa thotë se shkollimi është një portë e madhe nëpërmjet të cilës sheh dhe mëson shumë gjëra të bukura në jetë.

“Edhe pse unë me vonesë kam përfunduar fakultetin, dua t’u them femrave kosovare se kurrë nuk është vonë të marrësh dijeni dhe të mësosh gjëra të reja që njeriut në jetë i duhen”, ka thënë ajo.

/Vesa Prapashtica – Vajzat ngrisin zërin/

logo