KosovaLive (Prishtinë) – Parim Olluri, një prej themeluesve të medias online Insajderi, e njohur për gazetari hulumtuese, thotë se prej themelimit, para dy vitesh, kjo media ka publikuar mbi 100 hulumtime dhe ka zhveshur me dhjetra afera korruptive e të natyrave tjera. Publikimin e hulumtimeve e kanë përcjellur edhe kërcënimet që kanë kulminuar në muajin gusht të vitit të kaluar, kur është sulmuar fizikisht nga tre persona, derisa në orët e vonshme po kthehej në shtëpi, me të fejuarën e tij. Rasti është paraqitur menjëherë në polici, por ai habitet se policia kishte kërkuar ndihmë nga qytetarët për identifikimin e sulmuesve.

“Për mua janë të çuditshme shumë rrethana. E para është fakti se tani po bëhen pesë muaj apo gjashtë, dhe Policia e Kosovë nuk arriti ende me i identifikua autorët e këtij akti, kur policia i posedon fotografitë e pastërta të tyre, posedon videot e tyre. Por, institucionet shtetërore e kanë edhe data-bazën e regjistrimit të qytetarëve të Kosovës dhe mundem me i bë krahasimet dhe me ardhë deri te rezultatet shumë shpejtë,” thotë ai.

Olluri nuk e di se cili hulumtim specifik ishte shkas që ishte sulmuar, por e di se krejt kjo ka të bëjë me punën e tij prej gazetari.

“Në atë kohë unë kam publikuar shumë artikuj që përfshihen shumë komandantë të UÇK–së që tash janë biznesmenë të korruptuar të pasluftës, kështu që mendoj që ka ardhur si reaksion i atyre shkrimeve. Jo veç unë personalisht por është edhe Policia e Kosovës që e vlerëson situatën si të rrezikshme, jo të sigurt dhe fakti që në momentin kur e kanë bërë vlerësimin e rrezikshmërisë për mua personalisht, policia ka rekomanduar pajisjen me armë me leje, kallxon që edhe vet policia nuk mundet, nuk ka kapacitet ndoshta për me sigurua një lëvizje të lirë për të gjithë,” thotë Olluri.

Përvoja tash së voni e gazetares të së përditshmes me tirazh të konsiderueshëm Koha Ditore, Saranda Ramaj, nuk kishte sulm fizik si epilog. Kësaj gazetareje të guximshme, që tash katër vjet merret kryesisht me gazetari hulumtuese, i janë kërcënuar shumë herë për shkak të publikimit të shumë aferave, por ajo as që kishte ëndërruar se do të shkonin aq larg sa t’ia përcjellin kërcënimet përmes prindërve.

“Ata kanë shkuar, kanë biseduar me prindët e mi, në orët e vona të mbrëmjes. Njerëz të panjohur, që familja ime, prindët e mi konkretisht, asnjëherë që kanë dëgjuar për shkak të unë rrallë herë foli për punën time me prindër, për shkak se nuk i takojnë kësaj lëmie, dhe i kanë kërkuar që ‘në rregull, ajo çfarë ka raportuar deri tash është në rregull, mirëpo asnjë shkrim të mos vazhdojë të raportojë’. Ky ka qenë mesazhi i tyre dhe e kanë lënë një vizitë-kartë. Vizit-karta kishte qenë e një institucioni shumë të lartë shtetëror – Zyres Kombëtare të Kontrollit. E kanë lënë numrin e telefonit dhe i kanë thënë që ne mund të takohemi prap.”

Zbulimi se shumë parregullsi dhe shkelje të raportuara në Raportin fillestar të Kontrollit të Prokurorisë Shtetërore nuk u gjetën edhe në raportin përfundimtar, ishte shkas që disa individë kishin “vizituar” prindërit e saj në orët e vonshme. Ajo thotë se edhe më parë kishte pasur tentime që, përmes personave të tretë, të vihet kontakti me të, dhe se madje i ishte ofruar edhe kompensimi për mospublikimin e gjetjeve të saj. Megjithatë, ajo kishte insistuar vetëm në takim zyrtar, në redaksinë e Kohës Ditore, që nuk ndodhi kurrë.

“Sipas informatave që i kam, pala e ka pranuar fajin. Përveç që e ka pranuar fajin, ai ka shkuar një hap më tutje, dhe e ka pranuar që është larguar raporti fillestar, është ndryshuar se ai ka gjetur shkelje në Prokurorinë e Shtetit. Por, në raportin final janë larguar. Ky është lajm shumë I mire për shkak se, sipas informatave të mia, policia ka bërë informatë zyrtare të veçantë për këtë rast që Prokuroria tash duhet të nisë ta hetojë vetëveten nëse është e përfshirë në fshehje të raportit.”

Para diç më shumë se një muaji, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës publikoi edhe hulumtimin e saj mbi sigurinë e gazetarëve. Petrit Çollaku thotë se gjatë vitit 2017 në raport më vitin paraprak 2016 është shtuar numri i kërcënimeve ndaj gazetarëve.

“Deri nga fundi i dhjetorit kemi regjistruar 24 raste, ndërsa në polici janë diku më shumë se 30 raste që janë paraqitur, por në data bazën janë 24, dy prej tyre janë sulme fizike. Një ka qenë sulm në pronë, dhe shumica e herave janë kërcënime verbale. Kërcënimet të cilat ose bëhen përmes telefonit ose janë dërguar porosi përmes personave tjerë tek gazetari. Kërcënime edhe nëpër Facebook, nëpër rrjete sociale,” thotë ai.

Ai thotë se deri më sot janë zgjidhur vetëm dy raste – një nga viti 2014, e tjetri nga viti 2016, dhe se gazetarët presin efikasitet më të madh të organeve të sigurisë, policisë dhe gjyqeve.

”Është vërejtur që sivjet pak a shumë gazetaria hulumtuese është duke u sulmuar më së shumti sepse po janë me paraqitjet e tyre, artikujt, publikimet që i bëjnë, kryesisht janë duke akuzuar, ndoshta edhe figura të larta, figurat e forta që sillen këndej,” thotë Çollaku.

Parim Olluri mendon se arsye për këtë është hapja e shumë mediave të reja online, që si pasojë ka ashpërsimin e raportit të politikanëve ndaj gazetarëve. Kryetari apo kryeministri nuk mund të negociojë me, për shembull, 300 media për të penguar publikimin e ndonjë hulumtimi, kështu që problemet e tyre tash i kanë zbritur në terren, në rrugë, thotë Olluri.

Saranda Ramaj konsideron se propaganda është më e rrezikshme se sulmi fizik:

“Grupet e interesit janë shumë të fuqishme në Kosovë dhe grupet e interesit nuk njohin parti, nuk njohin as sistem të drejtësisë, dmth sistemi i drejtësisë dhe partitë janë në funksion të grupeve të interesit dhe jo e kundërta. Dhe njerëzit e partive të ndryshme i takojnë grupit të njëjtë të interesit. Fatkeqësisht, këto grupe të interesit kanë blerë edhe një pjesë të mediave, kryesisht përmes reklamave. E kanë krijuar njëfarë mbështjellësi që e sigurojnë veten dhe çdo atakim më i vogël te këto grupe, këto ndihen të rrezikuara për shkak të një background-i, do të thoja edhe kriminal. Kjo është arsyeja që fillimisht ata mundohen të paguajnë dhe pak media ka që nuk pranojnë të paguajnë. Këto media që nuk i paguajnë, ata i diskreditojnë, dhe nëse nuk arrijnë t’i diskreditojnë, atëherë delë dikush e i sulmon,” thotë ajo.

Prokurori shtetëror Aleksandër Lumezi thotë se në kuadër të Zyres së Prokurorit Shtetëror e ka emëruar një koordinator i cili do të përcjellë punën e prokurorëve të tjerë, dhe nga një prokuror në Gjykatat Themelore të komunave të tjera më të mëdha, të cilët do të merren me rastet kur gazetarët janë palë e dëmtuar. Po ashtu është hapur edhe baza e të dhënave ku janë regjistruar të gjitha veprat e kryera kundër gazetarëve.

“Ne kemi parametrat në bazë të cilave e vlerësojmë punën e këtyre koordinatorëve dhe prokurorët të cilët I trajtojnë këto lëndë, dhe mund t’ju them se kemi pasur një efikasitet më të madh sa i përket trajtimit të këtyre rasteve. I kemi deri tani 22 raste ku i kemi hetuar dhe i kemi ngritur aktakuzat dhe ato I kemi dërguar nëpër gjykata, ndërsa shumica e rasteve tjera janë në fazën e grumbullimit të informacioneve ose në procedurën hetuese,” thotë ai.

Në ditët e para të vitit 2018 Asociacioni i Gazetarëve ka regjistruar edhe një rast kërcënimi ndaj gazetarit i cili ka shkruar rreth keqpërdorimit të postit të një zyrtari komunal në Gjilan. Policia ia ka caktuar masën e parabrugimit prej 48 orësh këtij zyrtari. Epilogu ende nuk dihet, por Çollaku thotë se gazetarët kërkojnë drejtësi dhe thonë se politika e ndëshkimit duhet të ndryshojë. Në të kundërtën, porosia është si vijon: Shkoj, e kërcënoj dhe e rrah një gazetar, dhe në fund dënohem me 200-300 euro dhe lirohem pa kurrfarë problemi.