Kuvendi i të Rinjve të Deçanit ka përmbyllur njëvjetorin e themelimit dhe funksionimit të tij me një bilanc të kënaqshëm aktivitetesh përballë sfidave të shumta në të cilat hasin të rinjtë kudo në Kosovë.

Në këtë përvjetor të parë të Kuvendit të të Rinjve të Deçanit, kryetari i tij, Ndriçim Çekaj, flet për KosovaLive për rezultatet e arritura dhe sfidat me të cilat u ballafaquan gjatë një viti veprimtarie.

Gjatë këtij vitit të parë të funksionimit, Kuvendi i të Rinjve të Deçanit ka punuar në organizimin e trajnimeve, aktiviteteve të ndryshme vetëdijesuese, humanitare e kulturore për të rinjtë e Deçanit.

Çekaj tregon se organizata që ai drejton u përballë me sfida të ndryshme, më të vështirat prej të cilave ishin ato në ditët e para të themelimit.

“Sfidë në vete ishin ditët e para deri sa krijuam imazhin e nevojshëm për t’u pranuar nga të tjerët si mekanizëm serioz rinor”, shpjegon Çekaj.

Kuvendi i te Rinjeve - Decan1

“Po ashtu sfidë tjetër ishte edhe koordinimi i kohës së aktivistëve, duke marrë parasysh obligimet individuale të secilit, qoftë në familje qoftë në studime”, thotë Çekaj duke shtuar se, pavarësisht çdo gjëje, anëtarët e Kuvendit Rinor të Deçanit kanë gjetur kohë për organizimin e aktiviteteve të ndryshme në të mirë të të rinjve deçanas.

Pavarësisht këtyre, Kuvendi i të Rinjve të Deçanit ka arsye për të festuar njëvjetorin e themelimit të tij. Gjatë këtij viti, kjo organizatë ka bërë përpjekje me mundësitë e saj të ngrisë zërin drejt dukurive negative dhe çështjeve me rëndësi për rininë e Deçanit, të organizojë takime vetëdijesuse, trajnime dhe debate rreth çështjeve të ndryshme. Për kryetarin e organizatës, këto janë arritjet më të mëdha.

“Edhe pse nuk është kohë e gjatë që nga themelimi, Kuvendi Rinor ka arritur te bëjë mjaftë aktivitete të cilat ne i konsiderojmë si suksese mjaft të mëdha. Vlen të ceken disa prej tyre që kanë të bëjnë me vetedijësimit e të rinjve për tema te ndryshme të dukurive devijante, si psh mbajtja e trajnimeve që trajtojnë parandalimin e përdorimit të duhanit, drogës dhe rëndësinë e mbrojtjes nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, aktivitete humanitare, aktivitete kulturore si  shfaqja e filmave, mbajtja e debateve të rregullta që kanë qëllim promovimin e vullnetarizmit dhe rëndësinë e aktivizimit rinor”, tregon Çekaj.

Një tjetër arritje shumë të rëndësishme të organizatës, Çekaj e konsideron mbajtjen e bashkëbisedimeve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ai tregon pse këto aktivitete janë me rëndësi për të rinjtë deçanas.

“Një prej aktiviteteve që ka qenë risi në komunën tonë i realizuar nga KRD dhe organizatat tjera rinore është edhe mbajtja e ciklit të bashkëbisedimeve me deputetet e Kuvendit te Republikës së Kosovës nga Komuna e Deçanit të cilët ishin Time Kadrijaj, Safete Hadergjonaj, Armend Zemaj dhe Daut Haradinaj. Ky cikël i takimeve me deputet ka qenë i mirëseardhur për të rinjtë e Deçanit, sepse nëpërmjet këtyre takimeve të rinjtë krijojnë kontakte direkte me përfaqesuesit e tyre ne institucione”, përfundon Çekaj.

“Vlen të ceket se në aspektin teknik dhe mbështetjes operative, Komuna e Deçanit na ka dalë në ndihmë në të gjitha rastet, si bie fjala në shfrytëzimin e objekteve te komunës, sigurimin e udhëtimit në disa raste të aktiviteteve jashtë Deçanit dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta me komunën. Këtu vlen të ceket edhe mbështetja e zyrës se kryetarit te komunës, Rasim Selmanaj”, tregon Çekaj.

Ai shton se një mbështetje më e madhe financiare është e nevojshme për Kuvendin e të Rinjve të Deçanit për projekte të ndryshme, siç është “ndarja e bursave dhe krijimi i lehtësirave në udhëtim për studime në Prishtinë e qytete tjera, rritja e titujve të librave në Bibliotekën e Qytetit është mjaftë e nevojshme, si dhe mbështetja e talenteve të fushave të ndryshme”.

Pas shënimit të vitit të parë të themelimit, Kuvendi i të Rinjve të Deçanit ka ende nevoja për të plotësuar por edhe plane për të ardhmen.

“Nëse flasim për planet e vitit të ardhshëm duhet cekur se për neve është e rëndësishme, në koordinim me organizatat tjera rinore, është ndërtimi i një objekti që i dedikohet tërësisht rinisë, i cili do të shfrytëzohej nga organizatat rinore të tanishme, por edhe ne të ardhmen. Për t’u ndërtuar ky objekt duhet angazhimi i të gjithë akterëve, si organizatave rinore nëpërmjet presionit publik, institucioneve lokale dhe qendrore për ndarjen e lokacionit dhe mjeteve financiare për ndërtimin e tij”, tregon Çekaj për KosovaLive.

Për këtë ai thotë se kanë bërë kërkesë në takimet me deputetet e Kuvendit të Kosovës nga Komuna e Deçanit, të cilët kanë ofruar përkrahje se do të bëjnë përpjekje ta fusin këtë çështje  në buxhetin e vitit 2017.

Ndërkaq, synim më i madh për Kuvendin e të Rinjve të Deçanit mbetet vazhdimi i ekzistimit dhe funksionalizimit të tij në mënyrë edhe më të përforcuar.

“Synim tjetër afatgjatë yni është edhe forcimi i Kuvendit të Rinjve të Deçanit si organizatë rinore në mënyre të atillë që të behet adresë për të rinjtë e Deçanit”, thotë Çekaj në përvjetorin e parë të Kuvendit të të Rinjve të Deçanit.

/Fatbardha Shabanaj – Vajzat ngrisin zërin/

logo