Zana Daka nga Prishtina, e cila ka kaluar të 30-tat, është e vetmja kosovare që sot merr pjesë në gara automobilistike. Ajo për herë të parë ka garuar në vitin 2013, si e vetmja vajzë në mesin e meshkujve, dhe ka zënë vendin e 3-të në “Garat malore” të organizara nga Federata e Auto Sporteve të Kosovës.

“Gara më bën të kem vetëbesim dhe të ndihem shpirtërisht e plotësuar. Fakti që jam garuese e vetme në disa raste më bën të mburrem, por ka edhe raste kur ndihem pak keq sepse kam dëshirë që edhe vajzat tjera të merren me këtë sport”, thotë Zana për KosovaLive.

Ajo thotë se nuk e ka kompleks të jetë pjesë e një sporti të populluar më së shumti me djem, ndërkohë që rrëfen që pasionin për gara e ka të trashëguar.

“Gara me meshkuj nuk më bën shumë përshtypje, për shkak të traditës që kam të trashëguar nga gjyshi, halla, babai e vëllai, të cilët merren me autosport. Nga ta e kam trashëguar kulturën e këtij sporti dhe automobilizmit në përgjithësi… E kemi kulturë familjare këtë sport dhe nuk ndalemi me gjenerata”, ka shtuar ajo.

Interesim për automobilizëm ka edhe në mesin e kosovareve të tjera të reja, ndonëse jo shumë prej tyre deri më tash kanë bërë edhe hapin tjetër dhe kanë marrë guximin të provohen edhe në gara automobilistike.

Ky interesim gjithsesi shihet në grupet, rrjetet sociale dhe aktivitetet e ndryshme të adhuruesve të automobilizmit.

Në grupin “Marakli t’kerreve” që bashkon dashësit e veturave në Facebook, nga gjithsej 41 mijë anëtarë, rreth 2000 janë vajza.

Drejtuesi i këtij grupi, Behar Cakiqi, thotë se një numër i vajzave shkruajnë në grup kur kanë nevojë për ndihmë rreth automjetit, por vetëm diku rreth 3% e tyre janë të rregullta në tema e në diskutime të përditshme.

Edhe pse kjo tregon se automobilizmi vazhdon të jetë një pasion që dominohet nga djemtë, një interesim i shtuar, sidomos kohëve të fundit, po vërehet në mesin e vajzave. Disa prej tyre thonë se përkundër interesimit, shpesh ngurrojnë ta shprehin atë nga frika nga paragjykimet.

Arianita Veseli, vajzë 18 vjeçare nga Prishtina, thotë se më shumë preferon që vetëm nga prapavija të lexojë e të jetë e informuar lidhur me aktivitetet e zhvillimet e reja në fushën e automobilizmit, se sa të jetë e përfshirë direkt në to.

“Për të qenë e përfshirë, duhet të jesh e gatshme të ‘luftosh’ me shumë komente paragjykuese e diskriminuese që vijnë më pas, zakonisht nga ana e djemve”, shprehet ajo.

Në anën tjetër, Violeta Maloku, anëtare e “Marakli t’kerreve”, e sheh grupin si një “familje të madhe” që ia shton dashurinë ndaj automobilizmit.

“Si ndjekëse e apasionuar e garave vendore e ndërkombëtare, është e pamundur të mos biesh në dashuri me veturat. Në anën tjetër, informatat që marrim në grup, këshillat për kujdes, takimet me anëtarët e tjerë e aktivitetet e ndryshme që zhvillohen, janë arsye më tepër për ta dashur veturën e për ta shtuar kujdesin në komunikacion”, thotë ajo.

Për Malokun vetura është “liri”. Për këtë arsye, ajo kujdeset maksimalisht për të, si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë estetik. Ajo ka vënë re edhe vajza të tjera që e duan veturën, prandaj vazhdimisht organizon takime me to, për të ndarë së bashku njohuritë dhe përvojat e veta.

“Është pak e vështirë, sepse femrat zakonisht paragjykohen kur bie fjala te veturat. Por kjo gjë nuk do të na ndalë asnjëherë, sepse gjinia nuk është faktor përcaktues se kush duhet t’i dojë veturat e kush jo”, shprehet Maloku.

Në anën tjetër, Drenusha Salihu, vajzë 20 vjeçare nga Fushë Kosova, pasionin për vetura nuk e shprehë në grupe, por pak më ndryshe. Edhe pse interesimi për vetura është nxitur fillimisht nga lodrat e vëllait, ajo sot dëshiron të tregojë se veturat nuk janë vetëm për djem.

“Kur isha fëmijë vëllai im i madh kishte shumë vetura lodra dhe duke qenë se unë nuk kisha shumë shoqe, më binte të luaja shumë me të. Duke u rritur fillova të mendoj se përse lodrat e fëmijëve duhet të jenë të ndara në lista ‘për djem’ dhe ‘për vajza’. Përse vajzat duhet të luajnë me kukulla, e djemtë me vetura. Kjo gjë më shtyu edhe më shumë t’i mbaja veturat në duar, e t’i njihja edhe më mirë ato”, thotë Drenusha.

Me rritjen e pasionit, ajo ka filluar të interesohet edhe më thellë për detajet e veturave dhe automobilizmin.

“Fillova të hulumtoja… Në botën ku jetojmë sot, mund të klikosh në internet për çfarë të duash. E frymëzuar nga ato që lexoja, fillova edhe unë të shkruaj për pjesë e për detaje që do të mund t’i interesonin ose t’i hynin në punë ndokujt”ka shtuar ajo.

Drenusha sot shkruan online, si blogere me pagesë, për produktet e reja të një numri të brendeve botërore automobilistike. Synimi i saj është jo vetëm që me njohuritë që i ka t’i ndihmojë të tjerët, por edhe t’u tregojë njerëzve, siç thotë ajo, “që një vajzë mund të dijë për vetura e të japë për to informacione të plota e të qarta”.

Rina Kryeziu