TV Telma (Shkup)  – Nataša Stojanovska edhe sot  shqetësohet kur i shkon mendja të hyjë në Sobranje. Kështu është prej 27 prillit, ditës që mediat maqedonase e kanë quajtur “e enjtja e përgjakur”. Atëbotë, mu në “Pres sallën” e Sobranjes, janë sulmuar deputetët e opozitës së atëhershme dhe gazetarët të cilët kanë përcjellur konferencën për shtyp të kryetarit të sapozgjedhur të parlamentit. Nga ajo kohë kaluan tetë muaj, por për Stojanovskën traumet janë ende të gjalla.

“Ende nuk nuk kam hyrë në Sobranje, nuk kam pasur guxim e as fuqi të hyjë, edhe pse një herë tentova të hyj dhe ta pijë një kafe me njerëzit me të cilët përjetova atë të ‘enjtje të përgjakur’ në Sobranje. Por, më besoni, u ktheva”, thotë Stojanovska.

E çfarë ngjante atë 27 prill në Sobranje?

Për ngjarjet e 27 prillit, Prokuroria për krim të organizuar zhvillon hetimet për një nga veprat më të rënda kundër shtetit për të cilat ligjet e Maqedonisë parashohin së paku 10 vjet burg. Në mesin e të dyshuarve janë zyrtarët e atëhershëm policor dhe deputetët e partisë së atëhershme në pushtet VMRO-DPMNE që sot është në opozitë. Derisa vazhdojnë hetimet, pak gazetarë marrin guximin të thonë kush është fajtor për dhunën ndaj gazetarëve, edhe pse 27 prilli nuk ishte rast i vetëm.

Pesë vjet më parë, më 24 dhjetor 2012, gazetarët për të parën herë janë përzënë nga galeria e sallës plenare të Sobranjes nga përcjellin seancat. Nuk u është lejuar të raportojnë nga seanca ku vendosej për buxhetin. Në mesin tyre ishte edhe Snežana Lupevska Sozen.

“Na kanë tërhequr vërejtjen se duhet të dalim. Gjithsesi, kemi refuzuar meqë është dashur të raportojmë nga ajo ngjarje. Me dhunë, bukvalisht duke na tërhequr, na nxorën nga galeria”, thotë Lupevska.

Në pyetjen nëse ka kërkuar ndihmë, përgjigjet: “Nuk pati nga kush. Ata që është dashur të të mbrojnë, e këta janë sigurimi dhe policia, në fakt kryenin dhunën”.

Por, gjyqet e Maqedonisë nuk kanë parë si rast atë që gazetarët janë penguar të raportojnë. Madje edhe Gjykata Supreme ka thënë se nuk është shkelur e drejta e tyre e raportimit. Por, Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strazbur ishte i mendimit tjetër dhe solli vendimin në favor të gazetarëve të Maqedonisë.

Snežana Lupevska thotë se pati “autocenzurë dhe frikë”.

“Jo të gjithë gazetarët e nënshkruan akuzën. Vetëm pesë prej nesh. Kemi marrë dëmshpërblim adekuat, shteti e pagoi atë dëmshpërblim dhe, me këtë, që është më me rëndësi, e morëm një satisfakcion moral”.

Satisfakcioni moral erdhi pesë vjet pas atij 24 dhjetori. Dhe ndërkohë që gazetarët në Shkup fizikisht pengoheshin të raportojnë, korrespodentët nga brendia, që ishin kritik ndaj pushtetit paraprak, ishin nën bllokadën e plotë të komunave.

Aneta Daskalovska e humbi vendin e punës në kohën kur shkroi se sa i pasur ishte dhe si ishte pasuruar kryetari i atëhershëm i Manastirit, Vladimir Taleksi. Nga ana tjetër, ishte e pamundur të arrihet tek çfarëdo informate nga pushtetet lokale.

“Çdo kërkesë imja për informata nga komuna e Manastirit heshtazi refuzohej, pa më dhënë asfarë përgjigje. Nëse rastësisht do ta merrnin telefonin, njerëzit e tij nga shërbimi për media gjenin gjithëfarë arsyetimesh, kështu që ishte turp për atë ç’bënin. Në stilin, do ta dëgjojnë pyetjen tuaj, e do të thonë: ‘po, po, shkruani me e-mail, do t’ju përgjigjemi.’ E-maili nuk kthehej kurrë. Ose, unë nuk mund t’ju përgjigjem rreth kësaj, e dini, fëmijët i kam të sëmurë, nuk jam në punë. Kishte arsyetime të këtilla”, thotë Daskalovska.

Ajo thotë se shembulli i saj është drastik, por se nga ofendimet e Taleskit nga pozita e kryetarit të komunës nuk kurseheshin as kolegët e tjera.

“Nisi t’i ofendojë gazetarët që i shtronin pyetje. Do të thotë, në ngjarje, ndonjë ngjarje publike, i shtrohet pyetja, e ai përgjigjet me fjalët: Ju jeni sharlatanë”, thotë Daskalovska.

Gjabir Derala nga organizata joqeveritare Civil shpjegon se një raport të këtillë e zbatonte një strukturë e forcës që ka lidhje me politikën apo drejtpërdrejtë buron nga ajo. Dhe kjo zgjati plot 11 vjet.

“Pushtetit thjesht i shndërruan mediat në tripod, mbajtëse për mikrofon. Për ta mediat nuk ishin syri i publikut. Përkundrazi, e kanë mbyllur syrin publik dhe i kanë shndërruar mediat në mbajtëse për mikforonin me të cilin mund të flasin pa pengesë”, thotë Derala.

Qeveria e re e Maqedonisë, e zgjedhur pas 27 prillit, premton transparencë. Qeveria që udhëhiqet nga Lidhja Socialdemokratike e Maqedonisë (SDSM) e kryeministrit Zoran Zaev, flet për një raport tjetër ndaj gazetarëve dhe mediave në përgjithësi. Nga vendimet e para ishte edhe vendimi për heqjen e mbishkrimit të sekretetit nga disa informata dhe që gazetarëve t’u lehtësohet qasja në informata.

Atëherë, a ka ndryshime në raportin e pushtetiti ndaj gazetarëve?

“Dallimi qëndron në atë se askush nuk e zbaton politikën ashtu brutalisht. Shpresoj të jetë përmirësuar edhe në raport me redaktorët dhe pronarët”, thotë Lupevska.

“Konsideroj se kur janë në opozitë politikanët janë transparentë. Kurdo që i thërret do të lajmërohen, do të thonë, do të shtojnë diç, madje edhe vet do të jenë ‘fishkëllues’. Por, nëse vijnë në pushtet, kjo transparencë zgjat një a dy muaj. Dhe më nuk janë. U krye!”, shpjegon Daskalovska.

Të gjithë bashkëbiseduesit pajtohen se duhet kohë që gjërat të fillojnë të funksionojnë si në çdo vend demokratik. Nataša Stojanovska thotë se nuk mund të lejohet të harrohet 27 prilli.

“Mosndëshkimi i asaj që ndodhi më 24 dhjetor në Sobranje, kur i kanë zvarritur deputetët dhe ne gazetarët, solli 27 prillin”, thotë Stojanovska.