8

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas (8 Mars), nesër pritet të organizohet marshi “MARShojmë, S’festojmë”, me qëllim kundërshtimin e  dhunës në baza gjinore dhe  vetëdijësimin e shoqërisë për të qëndruar të bashkuar për barazi dhe drejtësi gjinore në Kosovë.

Marshi ka për qëllim të protestuarit për çdo formë të dhunës gjinore, duke filluar nga seksizmi dhe kultura e seksualizuar, dhuna në familje, ngacmimi seksual, dhuna ekonomike dhe emocionale. Gjithashtu, marshi do të kritikojë edhe shtrëngimet e shumëfishta ekonomike dhe institucionale si kondita që prodhojnë dhunë në baza gjinore.

Marshi do të zhvillohet në sheshin “Zahir Pajaziti”. Po ashtu pritet të protestohet edhe me një sërë aktivitetesh të tjera si përformanca para Qeverisë, Klubi i Leximit dhe Diskutimit të Librave Feminist Feminizmi Shqiptar organizon diskutime me panelistë të ndryshëm në EU Information center e është paraparë edhe aksioni “Intervenim në hapësirën publike: Gjinorëzimi i qytetit”.

Jeta Rexha, pjesëmarrëse e Programit Universitar për Studime Gjinore, tregon për KosovaLive se në organizimin e kësaj ngjarjeje janë përfshira disa organizata. Ajo shpalos se si erdhi deri te realizimi i këtij marshi.

“Organizimi i ‘festës’ së 8 marsit, këtë vit ka qenë në bashkëpunim me disa organizata: Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ( RrGGK), Programi Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore, Artpolis, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR-KS), Qendra për Barazi dhe Liri – CEL, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Feminizmi Shqiptar.

Për marsh u diskutua menjëherë pas publikimit të ngjarjes në rrjetet sociale. Aty vërejtëm se si njerëzit shprehën interes dhe vullnet për t’u bashkangjitur. Këtë vit marshi do të shërbejë si mjet protuestues ndaj papërgjegjësisë dhe neglizhencës së institucioneve në shfrytëzimin e kornizave ligjore dhe efikasitetin e tyre në zgjidhjen dhe parandalimin e rasteve ku gratë përveç përjetimit të dhunës në çfarëdo lloj forme, në fund kanë përfundu të vrara,” është shprehur Jeta.

Tetë marsi njihet si Dita e Gruas në të gjithë botën, e në disa shtete kjo ditë festohet si festë kombëtare. Më 1910, u vendos që Dita e Gruas të festohej në të gjithë botën, për nder të lëvizjes së grave për të drejtat  e tyre dhe për t’i mbështetur gratë në njohjen e statusit të tyre në shoqëri. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, dhe drejtësi.

/Medina Shala – Vajzë Dëgjohu/

logo