Organizata mediale KosovaLive para zgjedhjeve lokale të fund tetorit 2017 ka mbajtur tetë punëtori “Votuesit e ri për një të ardhme më të mirë” me të rinjtë të moshës 18 deri 22 të cilët votojnë për të parën herë, si një platformë ku ata do t’i identifikonin nevojat e tyre në komunat ku jetojnë, dhe e cila do të shërbente edhe si stimulim për pjesëmarrje në procesin e votimeve.

Në fokus të këtyre punëtorive interaktive votuesit e rinj janë njoftuar me programet e kandidatëve të cilët garonin në zgjedhje për kryetarë komunash dhe asambleistë, i kanë analizuar premtimet e tyre dhe kanë ngritur problemet me të cilat ballafaqohen ata dhe bashkëqytetarët e tyre.

Në çdo punëtori kanë marrë pjesë dhjetra votues të rinj të cilët në bashkëpunim me trajnerët kanë  dekonstruktuar programet politike të kandidatëve për kryetarë komunash dhe nëse këto programe kanë pasur ndikim në orientimin e tyre politik.

Punëtoritë janë mbajtur në qendrat më të mëdha të Kosovës, përfshirë edhe ato me banorë shumicë serbe: Prishtinë, Graçanicë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Veriu i Mitrovicës, Pejë dhe Gjakovë. Të gjitha këto komuna dhe punëtoritë do të portretizohen veç e veç në javët në vijim.

 

Një votë pa informatë rreth kandidatëve, programeve…

Komuna e Graçanicës, që në përbërje ka 16 fshatra, në të cilat kryesisht jetojnë banorët serbë, është formuar në dhjetor 2009. Edhe pse serbët që jetojnë në Kosovën qendrore, sikur edhe në komunat në veri të Kosovës, në masë të madhe kanë bojkotuar regjistrimin e fundit të popullsisë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, supozohet se në këtë komunë aktualisht jetojnë rreth 25 mijë banorë. Supozohet, meqë nuk është e qartë nëse në këtë numër bëjnë pjesë edhe serbët e zhvendosur të cilët posedojnë dokumentet kosovare

Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare të komunës së Graçanicës, në këtë komunë multi-etnike, krahas 85.7 për qind të serbëve jetojnë edhe 3.7 për qind të shqiptarëve dhe 10.6 për qind të pjesëtarëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.

Votuesit e rinj të komunës së Graçanicës, pjesëmarrës të punëtorisë “Votuesit e rinj për një të ardhme më të mirë” të organizatës mediale KosovaLive, kanë thënë se kishin dëgjuar për dy kandidatët për kryetar të të komunës: Srđan Popović-in nga Lista Srpska (Lista Serbe) dhe Aleksandar Čolić-in nga Građanska Inicijativa „ Novi početak”(Iniciativa qytetare “Fillimi i ri”). Nga ana tjetër, të rinjtë deklaruan se nuk kishin informata të mjaftueshme mbi angazhimin e deritashëm politik të tyre, që do t’u lehtësonte të përcaktohen cilit kandidat do t’ia jepnin votën.

Ata konsiderojnë se mediat janë përgjegjës kryesor për informimin e pamjaftueshëm të votuesve në përgjithësi rreth kandidatëve që garojnë për mandatin katër vjeçar të kryetarit të komunës, meqë jo vetëm se nuk u ofrojnë informata bazike për angazhimet e tyre politike dhe angazhimet e tjera, por rreth kësaj mungojnë edhe hulumtimet mediale.

Një pjesëmarrës i punëtorisë kishte thënë se përballja e kandidatëve në fushatën parazgjedhore definitivisht do të përcaktonte se kujt do t’ia jepnin votën qytetarët dhe kujt do t’ia jepte edhe vet ai, ndërkohë që një pjesëmarrës tjetër kishte konstatuar se të dy kandidatët po i shmangen ballafaqimit publik.

Në bashkëpunim me trajnerin, votuesit e rinj tentuan të vijnë deri te informatat rreth këtyre kandidatëve vetë, por erdhën në përfundim se kjo ishte e pamundur, meqë këto informata nuk ishin në dispozicion as në internet as rrjete sociale. Disa pjesëmarrës të punëtorisë më pastaj u paraqitën pjesëmarrësve të tjerë informatat që vet i posedonin rreth kandidatëve, meqë i njihnin personalisht.

Nga ana tjetër, votuesit e rinj, pjesëmarrës të punëtorisë konsideronin se kryetari i ardhshëm i komunsë mund t’i zgjidhë problemet me të cilat ballfaqohen qytetarët e komunës së Graçanicës, por kishin shtuar se edhe shumë zgjidhje varen jo vetëm prej tyre por edhe prej pushtetit në Beograd dhe Prishtinës.

Një prej pjesëmarrësve është shprehur se një kryetar komune ka pushtet të mjaftueshëm që mund ta marrë cilindo vendim.

“S’është me rëndësi kush do të zgjidhet kryetari, krejt do të jetë ashtu si thotë Beogradi.”

Pjesëmarrësi tjetër mendonte ndryshe. “Madje edhe shumë më tepër varet nga Prishtina, sidomos për ato probleme komunale siç është për shembull ujësjellësi”.

Megjithatë¸është dëgjuar edhe mendimi se “e vetmja që mund ta bëjë një kryetar, është të krijojë një balancë mes Beogradit dhe Prishtinës.”

Pjesëmarrësist ishin të pajtimit se kushdo që të fitojë nga dy kandidatë, nuk do të zgjidhë problemet esenciale, siç është transporti.

Kandidatët pët kryetar të komunës, Srđan Popović dhe Aleksandar Ćolić, megjithatë më së paku janë marrë me probleme, përfshirë aty çmimin për transport të të rinjve që studiojnë në Mitrovicën e Veriut dhe të cilët janë të detyruar që vetëm në një drejtim të paguajnë biletën prej 3 euro.

Në fokus të fushatës së tyre parazgjedhore dhe premtimeve është shtruar edhe çështja e mbijetesës së serbëve. Kështu kandidati i Lista Srpska, Srđan Popović, ka thënë se nëse zgjidhet kryetar, prioriteti i tij do të jetë mbijetesa e serbëve dhe kanë theksuar se problemi më i madh në vendbanimet e kësaj komune është shitja e shtëpive dhe pronave.

Në këtë kontekst ai ka deklaruar edhe këtë:

“Ne duhet si dijmë dhe si mundemi të mbesim dhe mbijetojmë këtu, dhe ky do të jetë synimi ynë kryesor, dhe udhërrëfyesi kryesor në punën që do ta bëjmë kur ta marrim besimin e qytetarëe. Qëndrimi jonë dhe mbijetesa, nuk është vetëm e drejtë jona, por edhe obligim ndaj paraardhësve dhe varreve të tyre. Më së lehti është sot të shitësh shtëpinë, pronën, trashëgiminë dhe të shkosh diku në pasiguri, por shumëkush që shkoi u penduar”, ka thënë Popović.

Edhe Aleksandar Čolić  deklaroi se synimi i tij ishte mbetja e serbëve në territorin e komunës së Graçanicës, dhe se kjo do të realizohet ashtu që do të punohet në fuqizimin ekonomik të qytetarëve.

“Komuna nuk është institucion politik, por duhet të jetë institucion menaxherial, i cili do të merret me avancimin dhe prosperitetin e qytetarëve, meqë kjo më shumë është shndërruar në vetëm politikë partiake, e jo nacionale. Do të kontribuonim në aktivizimin e firmave serbe që janë mbyllur e që nuk punojnë, që disa gjera të ndryshojnë.”

Čolić po ashtu kishte deklaruar se pret që “populli të synojë të drejtat e veta dhe të vihet përballë kushtëzimeve, ndarjeve dhe kufizimeve”, dhe kishte porositur se nëse qytetarët nuk dalin në zgjedhje “dikush tjetër do të votonte në vend të tyre”.

Ndryshe, sikur edhe në fushatën parazgjedhore në katër komunat e veriut të Kosovës, kështu edhe Srđan Popović kishte pasur mbështetjen e drejtorit të “Zyres për Kosovë e Metohi”, Marko Đurić i cili në të gjitha tubimet e Lista Srpska kishte apeluar në unitetin serb, si “armë” kryesore për mbijetesën e serbëve të Kosovës.

“Lista Srpska është e vetmja (parti) që gëzon mbështetjen e Republikës së Serbisë dhe institucioneve të saj, dhe shtrohet pyetja se mbështetjen e kujt e kanë ata që dalin kundër Lista Srpska dhe ku qëndron lojaliteti i tyre. Këto forca politike janë instrument në duart e atyre qëllimi i të cilëve është rrënimi i unitetit politik serb,” kishte deklaruar në një tubim Marko Đurić.

Është interesante se gjatë zgjedhjeve, nga Lista Inciative Qytetare “Fillimi I Ri” hoqën dorë 11 kandidatë për deputetë. Čolić pohonte se bëhej fjalë për frikë dhe se kërcënimet vinin nga individët nga Lista Srpska.

“Frika e tyre, shantazhi me humbjen e vendit të punës së nënës, babait, vëllaut…. Kushtëzimet, kërcënimet, këto ishin arsyet…. Aktualisht situata sikur është e qetë, por ka presione të brendshme dhe të fshehta. Vijnë njerëzit në shtabin tim dhe lajmërojnë. U kërcënohen me ndihmat sociale, me marrjen e shtëpive ose banesave, me humbjen e vendit të punës, dhe mua më vjen keq,” deklaroi Čolić .

Fitohet përshtypja se kandidatët për kryetar të komunës së Graçanicës nuk kanë pasur program të përpunuar politik me të cilin do të garonin për kryetar të komunës. Kryesisht, sipërfaqësisht, pa elaboruar deri në fund, kishin listuar problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Graçanicës.

Zgjidhja e furnizimit me ujë të pijshëm, problemi i ujërave të zeza dhe kanalizimit, mbeturinat, por as problem I hapjes së vendeve të reja pune, nuk kanë qenë në focus tëfushatave zgjedhore as të Popović-it as të Čolić-it.

Gjatë mandatit paraprak katërvjeçar, është përmirësuar infrastruktura e ujësjellësit dhe kanalizimit, ndërsa një nga çështjet kryesore aktuale është problemi i mbeturinave. Vetëm Čolić me një rast kishte thënë se çështja e mbeturinave duhet të zgjidhet në nivel të shtetit. Ai konsideon se një nga zgjidhjet është reciklimi i mbeturinave, por se qytetarëve, lidhur me këtë ide, nuk duhet dhënë shpresa të rrjeshme.

Graçanica, para se të bëhej në komunë, sipas planit të Marti Ahtisaarit, ishte një vendbanim rurual. Pretendohet se me ndërtimin e shpejtë të objekteve të ndryshme në rregullimin e infrastrukturës, mundësimin e më përmbajtjeve sportive dhe kultore, dhe me hapjen e vendeve të reja pune do të bëhet ambient urban.

Në këtë kontekst, deponimi i mbeturinave paraqet problem për shumicën e qytetarëve. Komuna e Graçanicës pas shumë vitesh ka mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për krijimin e ndërmarrjes publike komunale “Ekologija”. Iniciativa është bërë para tri vitesh, e pritet se me krijimin e kësaj ndërmarrjeje komunale do të përmirësohen jo vetëm shërbimet komunale, por do të happen edhe një numër vendesh të reja puna. Kjo kompani publike rregullisht do ta mbledh dhe transportojë mbeturinat, do t’i identifikojë dhe eliminojë deponitë e egra, do t’i mirëmbajë rrjetet e kanalizimit, rrugët lokale, sipërfaqet publike dhe ndriçimin publik, e do të ofrojë edhe shërbime të varrosjes dhe mirëmbjajtjen e oxhaqeve. Po ashtu do të përkujdeset edhe për pastërtinë e tregut të gjelbërt. Deri më tash, për mbledhjen dhe transportin e mbeturinave komuna ka pasur kontratë me kompaninë “Pastrimi”. Sipas kësaj konktrate, kjo kompani i mbledhte mbeturinat dy herë në jave, që nuk ishte e mjaftueshme për mirëmbajtjen e pastërtisë në komunë dhe i kishte kontribuar hapjes së deponive të egra.

Edhe pse nuk pati as një përballje mediale në mes të dy kandidatëve, kandidati i Lista Srpska, Srđan Popović fitoi në raundin e pare. Për të votuan madje 87.5 për qind apo 6.985 qytetarë që dolën në zgjedhje, ndërkohë që për Aleksandar Čolić-in votuan 12.46 për qind respektivisht 995 qytetarë. Të drejtë vote patën 21.163 qytetarë të komunës së Graçanicës, e këtë të drejtë e shfrytëzuan me pjesëmarrjen e tyre 42.07 për qind të tyre.