8

Eliona Aliu (17-vjeçare) nga komuna e  Gjilanit dhe Lirindë Kafexholli (16-vjeçare) nga komuna e Malishevës janë nxënëse që vijojnë mësimin në gjimnazin “Hasan Nahi”.  Ato janë në klasën e 11-të. Qysh në fillim të shkollës së mesme janë treguar të suksesshme në lëndët shkencore. Ato kanë realizuar projekte shkencore, si individuale ashtu edhe grupore.

Në fillim kemi pasur projekte veç e veç, përmes të cilëve është dashur të dëshmojmë se sa jemi të aftë të prezantojmë një projekt”, tregon Eliona për KosovaLive.

Ajo thotë se projektin e parë në çift e ka realizuar me shoqen e saj Lirindë Kafexholli.
Ky projekt i cili quhet ”Cleaning the environment from battery wastes and preventing harmful rays” është pranuar në Olimpiaden Shkencore I-SWEEEP 2016, e cila do të mbahet në Texas, SHBA.

Projekti ynë ka për qëllim pastrimin e ambientit. Këtë projekt e kemi bërë në bashkëpunim me profesorin e fizikës, Fatih Karaosmanlogu, i cili na ka ndihmuar shumë”, sqaroi Eliona.

Ndërkaq, Lirinda shpjegon me pak fjalë projektin që ka realizuar me shoqen e saj.

Kemi marrë bateritë alkaline, të cilat nuk janë më të përdorshme dhe materialet që gjenden brenda atyre baterive. Atë material, që është Oksidi i magnezit, e përdorim kundër radiacionit. Domethënë, të mos i lejojmë rrezet e dëmshme të depërtojnë”.

Profesoresha e gjuhës turke, Alma Erden, thotë për KosovaLive se të gjithë profesorët e shkollës i inkurajojnë shumë nxënësit që të marrin pjesë nëpër gara me projektet e tyre.

Tashmë është bërë traditë e shkollës sonë që të marrim pjesë jo vetëm brenda vendit  por në nivel ndërkombëtar me projekte të ndryshme dhe sukseset i kanë vërtetuar edhe çmimet që kemi fituar.
Vitin e kaluar, në oplimpiadën ndërkombëtare Genius, kemi marrë medalje të argjendtë, vendin e dytë. Në Holandë, para dy vitesh, kemi marrë medalje të artë
”, u shpreh ajo.

I-SWEEEP (The International Sustainable World Energy, Engineering and Environment Project) është një garë shkencore e hapur për nxënës të shkollave të mesme. Për herë të parë është mbajtur në vitin 2008 me qëllim për t’i mbledhur nxënësit nga gjithë bota, që shfaqin interesim për matematikë dhe shkencë.

Kjo garë, këtë vit do të mbahet nga 26 prilli deri më 1 maj.

/Medina Mehmeti – Vajzë Dëgjohu/

logo