1

Fjoralba Krapi është një blogger-e e cila tash e katër vite ka një blog mjaft të suksesshëm që quhet “Fjosworld”.  Ajo shkruan për tema të ndryshme si veshje, ushqim, gjëra të përditshme etj. dhe ka për qëllim inspirim e lexuesve të saj. Motivimi kryesor i saj për të hapur një blog ka qenë pasioni për shkrimin dhe dëshira e madhe për të pasur diçka interesante që do ta shoqëronte gjatë disa ditëve të bajatshme të pushimit.

“Fillimisht u fokusova në shkrime për veshje, por më vonë e kuptova që koncentrimi në një pikë apo në një temë është shumë i vështirë dhe ndonjëherë i zbrazët, pa shije. Pasi që e kuptova këtë fakt, vendosa të shkruaj për tema të cilat kisha shumë për të thënë, pikërisht me këto tema e gjeta veten dhe publikun,“shprehet ajo.

Ajo çka ka ndihmuar Fjoralbën gjatë hapjes se blogut të saj frymëzues është njohuria mbi web-faqe, dëshira e madhe për dizajnim të web-it dhe shkrimit në përgjithësi. Ajo thotë se një blog duhet të ketë organizim të qartë të postimeve dhe përdorim të mirë të kategorive dhe etiketimeve.

Sipas Fjoralbës, ajo nuk mund dhe rri ulur me orë të tëra para ekranit pa shkruar as edhe një fjalë të vetme. Ajo thotë se njeriu nuk është makinë shkrimi apo krijimi dhe ndonjëherë ka nevojë edhe për burime frymëzues. Për Fjoralba Krapin, frymëzues për të shkruar zakonisht gjendet në artikuj të ndryshëm që qarkullojnë në internet, por edhe prej blogeres së saj të preferuar si Sincerely Jules.

“Përpos Jules, aplikacionet e ndryshme si BlogLovin, Pinterest dhe Tumblr janë gjithashtu një burim inspirimi në ato ditët e mija “jo-fort kreative,” tregon Fjoralba.

Të jesh blogere në Prishtinë apo kudo tjetër, sipas Fjoralbës nuk është shumë e vështirë pasi që blogu si synim kryesor e ka shpërndarjen e frymëzues, ideve apo shkrimeve tek masa. Edhe pse trendi i blogimit është diçka e re në Kosovë, kohëve të fundit interesimi për blogim është rritur pasi që edhe lexueshmëria e blogjeve është rritur. Kjo gjë ka bërë që shumë të rinjë dhe njerëz që e duan shkrimin të fillojnë blog-un e tyre dhe të shprehin mendimet e tyre.

Sigurisht që pasi ta hapësh një blog, duhet që të ketë lexues të mjaftueshëm në mënyrë që një blog të mund të jetë i sukseshëm. Fjoralba Krapi beson se përkrahja është ajo që të shtyn të mos ndalesh së shkruari ku tani ajo ka deri 2,000 lexues për cdo artikull që ajo poston.

“Përkrahje nga ana e lexuesve kam mjaftueshëm dhe me të vertetë përkrahja e tyre është njëra ndër arsyet kryesore pse unë vazhdoj të shkruaj online.”

Por hapja e një blog-u nuk është edhe aq e thjeshtë sa vetëm të shkruash disa fjali. Cdo gjë që shihet, lexohet dhe kuptohet nga një blog duhet që të jetë e menduar nga blogger-ja/i.

“Në fillim ka qenë e vështirë të shkruaj për disa tema pasi që kam pasur frikë që diçka që shkruajë do të mund të keqkuptohej nga ndonjë lexues. Problem tjetër ka qenë ri-dizajnimi i web-faqes dhe kontrollimi i ngjyrave dhe fontit të faqes.”

Natyrisht që ka edhe disa efekte të vogla negative që mund të pengojnë vazhdimin e të shkruarit të një blog-u. Nga ana e kritikave, Fjoralba thotë se ajo i mirëpret të gjithat, pasi që sipas saj ajo ka arritur të jetë kritike e vetëvetës dhe mundohet të gjejë mënyra të ndryshme që ta bëjë blog-un e saj sa më të mirë dhe të lexueshëm.

“Deri tani nuk kam pasur komente negative për blog, mirëpo kritika dhe “Grammar-Nazi’s” kam pasur,” thotë ajo.

Që të jetë më e kuptueshme, termi “Grammar-Nazi” i përfshijnë ata njerëz që vazhdojnë të kritikojnë shkrimet për secilin gabim drejtshkrimor dhe gramatikor të mundur. Por Fjoralba Krapi ende vazhdon të shkruajë dhe të inspirojë cdo lexues të saj duke bërë maksimumin që ta promovojë shkrimin dhe leximin online në Prishtinë.

Nese doni të lexoni artikujt që ajo ka postuar, blog-u i saj ështëhttp://fjosworld.com/

/Vesa Prapashtica – Vajzë Dëgjohu/

logo