Rreth 6 milionë euro nga Fondi mbretëror i Emirateve te Bashkuara Arabe janë investuar për renovimin e Spitalit rajonal të Vushtrrisë “Khalifa Found”, i cili tashmë ka një infrastrukturë më të bukur në Ballkan.

Pacientët e Vushtrrisë dhe rrethinës tashmë nuk kanë nevojë që të udhëtojnë deri në Prishtinë apo Mitrovicë për të marrë trajtimet e duhura mjekësore, pasi që Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed” rifilloi punën këtë javë pasi kishte qëndruar i mbyllur për pacientët për disa muaj për shkak të renovimit.

Në këtë spital ofrohen të gjitha shërbimet e mundshme mjekësore, internistike, pediatrike, si dhe bëhen CT-të dhe mamografia.

Spitali rajonal i Vushtrrise1

Gjatë kohës sa nuk ishte në funksionim spitali, Ajshe Aliut i duhej të udhëtonte për në Prishtinë thuajse çdo javë. Tani ajo ndihet më e relaksuar pasi shërbimin mjekësor do ta marrë në Spitalin e Vushtrrisë.

“Spitali është i mrekullueshëm, sapo e vizitova dhe qysh prej hyrjes të duket sikur je në një shtet tjetër e jo në Vushtrri. Besoj se ky spital i duhej Vushtrrisë mjaft e sidomos qytetarëve të saj pasi që mua, e besoj edhe pacientëve të tjerë, na duhej që gati çdo javë të udhëtonim në Prishtinë për të marrë trajtimet tona”, thotë Ajshe Aliu për KosovaLive.

Fatmir Azemi, punëtor në spital, thotë se e mirëpriti hapjen e spitalit dhe shpreson se tani pas renovimit edhe ai do ta ketë punën e përditshme më të lehtë.

“Sigurisht që jam gëzuar. Kjo është ndihmëse e madhe për mua si punëtor këtu dhe renovimi vetëm se na e ka lehtësuar punën. Të gjitha pajisjet mjekësore janë të reja dhe të papërdorura dhe besoj se qytetarët do të mbesin mëse të kënaqur me shërbimet e këtushme”, thotë ai.

Shërbimi Emergjent në Vushtrri që merrej me pranimin e pacientëve gjatë kohës kur spitali ishte në renovim, tashmë është bartur në qendrën spitalore “Sheikh Zayed” dhe ofron shërbime gjatë tërë kohës.

Risi tjetër për qytetarët vushtrrias është edhe fillimi i ndërtimit të objektit të ri të Qendrës së Katërt të Mjekësisë Familjare, ku pritet që ta frekuentojnë më shumë se 5000 banorë dhe që u ofron atyre shërbim më të shpejt. Ndërtimi i këtij objekti pritet të përfundojë brenda vitit.

/Rina Krasniqi – Vajzat ngrisin zërin/

logo