Organizata mediale KosovaLive para zgjedhjeve lokale të fund tetorit 2017 ka mbajtur tetë punëtori “Votuesit e ri për një të ardhme më të mirë” me të rinjtë të moshës 18 deri 22 të cilët votojnë për të parën herë, si një platformë ku ata do t’i identifikonin nevojat e tyre në komunat ku jetojnë, dhe e cila do të shërbente edhe si stimulim për pjesëmarrje në procesin e votimeve.

Në fokus të këtyre punëtorive interaktive votuesit e rinj janë njoftuar me programet e kandidatëve të cilët garonin në zgjedhje për kryetarë komunash dhe asambleistë, i kanë analizuar premtimet e tyre dhe kanë ngritur problemet me të cilat ballafaqohen ata dhe bashkëqytetarët e tyre.

Në çdo punëtori kanë marrë pjesë dhjetra votues të rinj të cilët në bashkëpunim me trajnerët kanë  dekonstruktuar programet politike të kandidatëve për kryetarë komunash dhe nëse këto programe kanë pasur ndikim në orientimin e tyre politik.

Punëtoritë janë mbajtur në qendrat më të mëdha të Kosovës, përfshirë edhe ato me banorë shumicë serbe: Prishtinë, Graçanicë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Veriu i Mitrovicës, Pejë dhe Gjakovë. Të gjitha këto komuna dhe punëtoritë do të portretizohen veç e veç në javët në vijim. 

Të rinjtë gjilanas: Çdo votë mund të sjell ndryshime!

Komuna e Gjilanit është komunë multietnike në të cilën, pas popullatës shumicë shqiptare, jetojnë edhe serbët, romët, ashkalinjtë, pjesëtarët e komunitetit turk, goranët. Komuna përfshinë 63 fshatra dhe ka kushte optimale klimatike për zhvillimin e florës dhe faunës së begatshme, Moravën e Binçës.

Megjithatë, banorët e kësaj komune me vite të tëra ballafaqohen me dy probleme të mëdha: problemin e ujit të pijshëm, problemin e kanalizimit dhe ujërave të zeza dhe atë të rrugëve, sidomos atyre që lidhin Gjilanin me fshatrat dhe fshatrat mes vete.

Deri më tash janë investuar disa miliona euro sidomos në zgjidhjen e problemit të ujësjellësit dhe ujërave të zeza, por ky problem është zgjidhur vetëm pjesërisht. Qytetarët e kësaj komune edhe tutje shpresojnë se pushteti i ri do t’i përmbush premtimet e veta dhe më në fund do të fitojnë asfaltin deri te shtëpitë e tyre dhe do të heqin nga qafa problemin e kanalizimit.

Votuesit e rinj të komunës së Gjilanit, të cilët për të parën herë patën rastin të votojnë për përfaqësuesit e vet komunalë, gjatë punëtorisë së organizatës mediale KosovaLive kanë paraqitur rreth 20 probleme që përditë i brengosin qytetarët e kësaj komune: qentë endacakë, ndriçimi i dobët urban dhe periferik, mospajisja e shkollave dhe të ngjashme, por për ta, megjithatë problemet më të mëdha janë ai i mungesës së ujit të pijshëm,  ujërat e zeza dhe rrugët.

Votuesit e rinj sidomos ishin të interesuar rreth kompetencace të komunës dhe në këtë kontekst disa prej tyre kanë deklaruar se është privilegj që qytetarët e një komune munden vet të zgjedhin përfaqësuesit e vet, meqë në zgjedhjet e ardhshme kanë “priviligjin” që sërish t’i zgjedhin ose që me votat e tyre t’i ndëshkojnë ata nëse nuk i plotësojnë premtimet.

Në bashkëpunim me trajnerin, pjesëmarrësit e punëtorisë “Votuesit e rinj për një ardhme më të mirë” kanë ardhë në përfundim që edhe kandidatët për kryetarë të komunave nga të gjitha partitë, në fushatat e tyre parazgjedhore dhe në të gjitha programet politike, më së shumëti vëmendje i kushtojnë mu çështjeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe lidhjes së vendbanimeve rurale me rrugë të asfaltuara.

Për kryetar të komunës së Gjilanit kanë garuar gjashtë kandidatë: nga Lidhja Demokratike e Kosovës – Lutfi Haziri, nga Partia Demokratike e Kosovës – Zenun Pajaziti, nga Lëvizje Vetëvendosje! – Sami Kurteshi, nga Nisma për Kosovën – Bajram Hasani, nga Partia e Drejtësisë – Naser Morina, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Rexhep Kadriu.

Kandidatët kryesorë për kryetarë komune, Lutfi Haziri dhe Sami Kurteshi nga Lëvizje Vetëvendosje!, gjatë fushatës parazgjedhore dhe shumë debateve, kanë premtuar edhe projekte milionëshe për zgjidhjen e këtyre dy problemeve kruciale.

Kështu, Kurteshi ka theksuar se do të eliminojë “kutërbimin” në Gjilan me sistemin modern të  kanalizimit dhe implanteve. Ai ka premtuar se në zgjidhjen e kësaj çështjeje, nëse zgjidhet kryetar i komunës, do të investojë 10 milionë euro në ndërtimin e pesë implanteve nëntokësore për përpunimin e ujërave të zeza në fshatra dhe pesë të tjera në lagjet e Gjilanit, duke shtuar se përmbi to do të jenë parqet ku do të mbillen drunjtë dhe lulet.

Edhe pse ka pasur kritika të mëdha në punën e pushtetit paraprak komunal dhe kundërkandidatit të tij Hazirit, i cili për të dytën herë me radhë u kandidua për kryetar të komunës së Gjilanit, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të rrugëve të asfaltuara në mjediset rurale dhe në qytet, ai prapseprap më së shumti është përqendruar në standardizimin e trafikut urban. Ai ka premtuar se do të investojë 4,8 milionë euro për modernizimin e trafikut urban dhe se kështu do të lidheshin edhe 95 për qind të fshatrave me qytet.

Nga ana tjetër, Lutfi Haziri, i ka bazuar premtimet për përmirësimin e infrastrukturës kryesisht në projektet apo planet tashmë të filluara, e të hartuara nga pushteti paraprak. Në këtë kontekst ai ka premtuar se nëse zgjidhet kryetar, do të investojë 26 milionë euro për sanimin dhe zgjerimin e rrugëve dhe se do të krijohen edhe trotuaret, si në qytet ashtu edhe në fshatra.

Sa i përket çështjes së ujërave të zeza, Haziri ka theksuar se janë në vijim e sipër disa projekte të trajtimit të ujërave të zeza në disa mjedise, se janë siguruar mjetet pë këtë dhe se projekti komplet do të kushtojë 12 milionë euro.

Në nëntor të vitit 2015, Komuna e Gjilanit ka nënshkruar Marrëveshjen për këtë projekt më firmën austrike “Ostap”.

Në dhjetor të vitit 2017 janë siguruar edhe 480 mijë euro për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Gjilan. Haziri ka theksuar se infrastrukturën nëntokësore, përfshirë ujin e pijshëm dhe kanalizimit, do t’i jap në menaxhim kompanisë “Hidromorava”.

Banorët e disa lagjeve në Gjilan me vite të tëra kanë problem me furnizimim me ujë të pijshëm. Arsyeja për këtë nuk është vetëm numri i shtuar i banorëve në qytet, por janë edhe gypat e amortizuar të ujësjellësit, të vjetra mbi 50 vjet, gjegjësisht kapaciteti i vogël që nuk mjafton për nevojat aktuale.

Më 2008 Qeveria e Zvicrës kishte investuar 7.5 milionë euro për ndërtimin e fabrikës së ujit për furnizimin e qytetit të Gjilanit dhe të dy fshtrave: Velekincë, ku jetojnë shqiptarët dhe Pasjan, ku jetojnë serbët. Në ndërkohë, çështja e ujit të pijshëm edhe sot e kësaj dite nuk është e zgjidhur në shumë fshatra.

Pjesëmarrësit e punëtorisë, votuesit e rinj, konsiderojnë se është me rëndësi të shfrytëzojnë të drejtën e votës për përfaqësuesit e vet. Disa kanë deklaruar se çdo votë mund të sjellë ndryshime.

Tringa Ademi, e cila del për të parën herë në zgjedhje, ka deklaruar se gjithsesi do të votojë.

“Vështirësi e imja mund të jetë zgjedhja e personit të duhur për ta votuar për arsye të mosnjohjes mirë të tyre”, ka komentuar Tringa.

Në periudhën parazgjedhore, në periudhën e raundit të dytë të zgjedhjeve (19 komuna) dhe pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, organizata mediale KosovaLive njëherësh ka realizuar edhe disa anketa me votuesit e rinj në Kosovë. Synimi i anketave ishte arritja te përgjigja rreth informimit të votuesve kur bëhet fjalë për procesin e votimit, kriteret që ndikojnë që votën e tyre t’ia japin njërit apo tjetrit kandidat. Një pjesë e anketës kishte të bënte edhe me informimin e tyre rreth kompetencave të komunave.

Në anketën e KosovaLive me pjesëmarrësit e punëtorisë – votues për të parën herë, organizuar pas mbarimit të procesit zgjedhor, të gjithë deklaruan se kishin marrë pjesë në zgjedhjet lokale përcaktonin kryetarin e ardhshëm të komunës së Gjilanit.

Në raundin e dytë, ndërkaq, të drejtën e votës së tyre e kanë shfrytëzuar diç më pak – 71 për qind.

Është interesant të ceket se pjesa dërmuese e pjesëmarrësve të punëtorisë së organizuar në Gjilan kishin veçuar premtimet dhe programet e kandidatëve si faktor determinues që përecaktoi votën e tyre për kryetar të kësaj komune.

Ndryshe,  në raundin e dytë të zgjedhjeve, në balotazh për kryetarë të komunës së Gjilanit, garuan Haziri dhe Kurteshi. Lutfi Haziri ka fituar besimin e qytetarëve për mandatin e dytë me radhë.

Ky rezultat, në njëfarë mënyrë, u pasqyrua edhe në anketën e KosovaLive me votuesit e rinj: mbi 70 për qind të pjesëmarrësve të kësaj ankete, pas përmbylljes së zgjedhjeve, kishin shprehur besimin se kryetari i zgjedhur i komunës do të zgjidhte edhe dy nga çështjet që ata i kishin identifikuar si probleme në këtë komunë – ujësjellësin dhe ujërat e zeza sikur edhe ndriçimin publik.

Të drejtë vote në komunën e Gjilanit kishin 100.399 qytetarë, e këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 33.466, rerspektivisht 33.18 për qind.

Për Lutfi Hazirin kanë votuar 21.261 qytetarë apo 63.8 për qind të atyre që kanë dalë për të votuar, e për Sami Kurteshin nga Lëvizje Vetëvendosje!, 12.057 ose 36.19 për qind të votuesve.