Sot me 29 Shtator, në orën 12:00, në zyret e KosovaLive në Prishtinë u mbajt tryeza e rrumbullakët me tematikën “EKONOMIA- rruga e paqes dhe e mirëqenies”.
Konferenca u hap nga Kelmend Hapçiu, drejtor i KosovaLive. Pas fjalës përshëndetëse të drejtorit të KosovaLive, fjalën e mori moderator Ibrahim Rexhepi i cili prezentoi panelin.
Pjesëmarrës të tryezës ishin: Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës; Marko Cadez, kryetar i i Odës Ekonomike të Serbisë; Përfaqësuesi i Odës Amerikane në Kosovë; Përfaqësuesi i Odës Amerikane në Serbi; dhe gazetarë dhe përfaqësues të mediave.
Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i nevojshëm për zhvillimin ekonomik të dy vendeve. Në të kaluarën ka pasur relacion ekonomik të dy vendeve derisa tashmë kërkohet që ai relacion të ngritet edhe më tej, ndërkohë që duhet adresuar dhe zgjidhur barrierat dhe sfidat e bashkëpunimit ekonomik në qarqe më të larta shtetërore. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga KosovaLive dheNUNS, në kuadër të projektit “Kosovo Serbia LIVE”, titulluar “Ekonomia – rruga e paqe sdhe e mirëqenies” të mbështetur nga Komisioni Evropian (KE).
Fokusi i tryezës ishte në marrëdhëniet ekonomike Kosovës-Serbi ku është theksuar se edhe sot këto marrëdhënie kanë një rrjedhë jo edhe aq normale, ngase zhvillohen vetëm në një fushë, atë të qarkullimit tregtar.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë se me Odën Ekonomike të Serbisë janë duke bashkëpunuar për të gjetur forma të avancuara të bashkëpunimit, të cilat mund të shprehen përmes investimeve, apo edhe përzierjes së kapitalit me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta.
“Projektet e këtilla janë të nevojshme, pasi edhe Bashkimi Evropian ka vlerësuar se Kosova dhe Serbia duhet të lidhen me rrugë më të mira. Përmes bashkëpunimit ekonomik mund të arrihet kjo dhe të bëhet përshpejtimi ekonomik i të dy vendeve. Dëshirojmë të kemi institucionalizim të ndërmarrësisë nga i cili do të eliminohen barrierat ekonomike ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Gërxhaliu.
Ndërsa, Marko Cadez, kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë, ka thënë se procesi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve ka filluar nga viti 2013, ku edhe kanë mbajtur rreth 30 takime teknike me Odën Ekonomike të Kosovës.
“Jemi duke punuar në eliminimin e barrierave në mënyrë që të mundësohen investime të përbashkëta në tregjet ndërkombëtare. Kemi dashur që investitorët serb të vijnë dhe të investojnë në Kosovë ku edh do të fillojmë me projekte investuese që do të krijojnë vende të reja të punës”, ka thënë Cadez.
Sipas tij, si shoqata të bizneseve mund të zgjidhin problemet e bashkëpunimit ekonomik dhe t’i adresojnë ato edhe në qarqe më të larta shtetërore.1