Organizata mediale KosovaLive para zgjedhjeve lokale të fund tetorit 2017 ka mbajtur tetë punëtori “Votuesit e ri për një të ardhme më të mirë” me të rinjtë të moshës 18 deri 22 të cilët votojnë për të parën herë, si një platformë ku ata do t’i identifikonin nevojat e tyre në komunat ku jetojnë, dhe e cila do të shërbente edhe si stimulim për pjesëmarrje në procesin e votimeve.

Në fokus të këtyre punëtorive interaktive votuesit e rinj janë njoftuar me programet e kandidatëve të cilët garonin në zgjedhje për kryetarë komunash dhe asambleistë, i kanë analizuar premtimet e tyre dhe kanë ngritur problemet me të cilat ballafaqohen ata dhe bashkëqytetarët e tyre.

Në çdo punëtori kanë marrë pjesë dhjetra votues të rinj të cilët në bashkëpunim me trajnerët kanë  dekonstruktuar programet politike të kandidatëve për kryetarë komunash dhe nëse këto programe kanë pasur ndikim në orientimin e tyre politik.

Punëtoritë janë mbajtur në qendrat më të mëdha të Kosovës, përfshirë edhe ato me banorë shumicë serbë: Prishtinë, Graçanicë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Veriu i Mitrovicës, Pejë dhe Gjakovë. Të gjitha këto komuna dhe punëtoritë do të portretizohen veç e veç në javët në vijim. 

Vota e përcaktuar nga besimi në kandidatë dhe premtimet e tyre  

Në zgjedhjet lokale të mbajtura në fund të tetorit 2017, në komunën e Gjakovës të drejtë vote kanë patur mbi 114,418 qytetarë, e këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 37,1 për qind.

Gjatë punëtorisë që e realizoi KosovaLive në këtë komunë para zgjedhjeve lokale, gjakovarët e rinj të cilët kanë fituar të drejtën e votes për të parën herë për kreun e qytetit të tyre, kanë paraqitur shumë probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët e këtushëm, e sidomos kanë ngritur çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre.

Në listën prioritare të tyre gjenden jo pak brenga: nis prej çështjes së punësimit pas kryerjes së shkollimit, ambientit joadekuat në jetën e tyre të përditshme deri te shumë çështje më lokale të natyrës infrastrukturale.

Mu porsi barcoletë, disa vjet më parë në pyetjen se ku mund t’i gjesh gjakovarët e rinj gjatë muajve të verës, përgjigja ishte: kryesisht në bregdet, ku shkojnë në kërkim të punës sezonale dhe këtë kryesisht si kamarier. Si duket edhe sot mu kjo barcoletë mund të shërbejë si ilustrim i gjendjes së papunësisë dhe mungesë së perspektivës së të rinjve.

Shkalla e papunësisë në nivel të Kosovës, sipas Anketës së fundit të Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë të vitit 2017, në mesin e popullsisë aktive për punë, është 30.6 %, në mesin e të rinjve arrin edhe deri 50.9 për qind. Sipas po të njëjtit burim, të rinjtë të moshës 15-24, kanë gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit.

Gjakova gjithsesi nuk bën përjashtim në këtë. Për më tepër, pohohet se numri i të papunëve, kryesisht të rinjtë, sillet rreth 20,000, ndërkohë që gjatë vitit punësohen jo më tepër se 1,500 veta, por vetëm 200-250 prej tyre gjejnë punë të qëndrueshme.

Në zgjedhjet lokale për kryetar të komunës së Gjakovës morën pjesë kandidatët nga shtatë parti politike: Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, Fazli Hoxha – Nisma për Kosovën, Edmond Dushi  – Aleanca Kosova e Re, Bekim Ermani – Lidhja Demokratike e Kosovës, Ardian Gjini – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Ramadan Hoti nga Partia Demokratike e Kosovës.

Dhe, punësimi gjithsesi u vërtetua si një nga çeshtjet preokupuese.

Pjesëmarrësit e punëtorisë, votuesit e ardhshëm që ishin në prag të votimit për të parën herë, të ndarë në tri grupe, me ndihmën e trajnerëve fillimisht kanë identifikuar kandidatë që garuan për kryetarë të komunës së Gjakovës: nivelin arsimor të tyre, angazhimin e tyre paraprak në punë dhe kanë shqyrtuar dhe diskutuar për premtimet e tyre rreth hapjes së vendeve të reja pune.

Në këtë kontekst, pjesëmarrësit e punëtorisë kanë arritur në këto përfundime. Sipas tyre, disa prej kandidatëve nuk kishin fare premtime konkrete e as bindëse sa i përket hapjes së vendeve të reja pune. Kur është fjala për brezin më të ri, disa prej kandidatëve kanë ndërlidhur arsimin si bazë kryesore për perspektivë. Një prej kandidatëve, nga ana tjetër, punësimin e kishte ndërlidhur me premtimin për krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik, me vëmendje të posaçme për ndëmarrësit e ri, sidomos për biznese që do të udhëhiqeshin nga gratë.

Fakti është se, përkundër realitetit të papunësisë, asnjëri nga kandidatët nuk premtonte se sa vende të reja pune do të mund të hapeshin e as sa përafërsisht sa qytetarë, e parasegjithash kuadro të reja të kualifikuara, do të mund të gjenin vendpune stabile.

Megjithatë çdonjëri prej këtyre kandidatëve kryesisht ka dhënë premtime të lidhur për zhvillimin ekonomik të komunës, që është me rëndësi për hapjen e vendeve të reja pune, me fjalë të tjera ajo që është në kompetencë të komunave.

Një nga premtimet e kandidatëve që garonin për kryetarë të ardhshëm ishte mbështetja me subvencione e ndërmarrësve të vegjël dhe të mesëm dhe subvencionet që do të orientoheshin nga ndërmarrësit prodhues dhe në bujqësi. Në fushatën parazgjedhore ishin dëgjuar premtimet edhe për zonën e lirë ekonomike, lehtësime administrative dhe teknike për investitorë potencial, sikur edhe premtimet për punësimin e së paku një anëtari të atyre familjeve që jetojnë nga ndihma sociale. Për disa kandidatë mbështetja e atyre që vazhdojnë traditën e zejeve të vjetra dhe hapja e bizneseve të reja në Çarshinë e Vjetër, po ashtu do të hapte rrugën për krijimin e vendeve të reja për punësim. Për disa kandidatë prioritet do të duhej të ishte zhvillimi i bujqësisë, rrjedhimisht premtohej shtimi i sipërfaqeve bujqësore dhe hapja e qendrave grumbulluese për produkte bujqësore, kryesisht pemë e perime.

Ish kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila në fushatën parazgjedhore kishte deklaruar se kjo komunë në tri vitet e mandatit të saj kishte ndihmuar 160 biznese dhe se ekzistonte edhe një mbështetje e madhe nga komuniteti i donatorëve që me këtë tempo të vazhdohet edhe vitin e ardhshëm 2018.

Rivali i saj kryesor, Ardian Gjini, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në kuadër të platformës së zhvillimit ekonomik premtonte një “koncept të ri publik”, krijimin e një këshilli publiko-privat, që do të funksiononte si urë lidhëse mes ndërmarrësve dhe komunës, si partner i tyre. Ai premtonte edhe bashkëpunimin me gjakovarët nga diaspora të interesuar për investime.

Sipas statistikës së Zyrës për Zhvillim Ekonomik, në tre vitet e fundit në komunën e Gjakovës janë regjistruar 1,060 biznese të reja, e janë mbyllur 360. Vetëm në nëntor 2017 janë hapur 282 biznese e janë mbyllur 77. Numri më i madh i bizneseve janë hapur në sektorin e shërbimeve, madje 587.

Gjykuar nga këto të dhëna, shtrohet edhe pyetja se ku do të mund të punësoheshin të rinjtë që i kryejnë studimet, pos nëse nuk arrihet shkalla e premtuar e zhvillimit ekonomik dhe hapja e vendeve të reja pune.

Çështja e mbeturinave, mungesa e kontejnerëve dhe deponive të mjaftueshme, problemi me ujërat e zeza dhe sistemi jo i rregulluar i lumenjve në këtë komunë, po ashtu dominuan diskutimin në punëtori. Ambienti jetësor, sipas këtyre votuesve të ri, mbetet faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të komunës, por edhe rast për hapjen e vendeve të reja pune dhe sektorëve të tjerë, si për shembull turizmit.

Në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë, në komunën e Gjakovës jetojnë gjithsej 94,556, respektivisht kjo është komuna e tretë në Kosovë për nga numri i banorëve. Në zonën urbane jetojnë 40,827 (43.2%), ndërsa në mjediset rurale 53,729 (56.8%) banorë. Sipas qendrave për grumbullimin e mbeturinave, gjatë një ditë grumbullohen prej 60 deri 70 tonë mbeturina, por edhe përkundër angazhimit të operatorëve të paregjistruara në bashkëpunim me banorët e fshatrave, nuk arrihet grumbullimi i qindpërqind në zonat rurale. Për këtë arsye vlerësohet se sasia e mbeturinave gjatë ditës mund të arrijë deri 100 tonelata.

Grupi punues në komunën e Gjakovës së bashku me organizatën HELVETAS Swiss intercooperation/DEMOS dhe ekspertët e tjerë kanë përgatitur dokumentin, gjegjësisht planin lokal për menaxhiminin e mbeturinave në komunën e Gjakovës 2015 -2020, me të cilin përfshihen vetëm mbeturinat organike, komunale që kanë komponentet për reciklim.

Me realizimin e këtij plani përfitues të drejtpërdrejtë do të ishin qytetarët të cilët do të jetojnë në një mjedis më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të sigurt, sikur edhe bizneset që do të kenë rritje të aktiviteteve ekonomike, si rezultat i rritjes së numrit të turistëve të tërhequr nga qyteti i pastër dhe i mirë menaxhuar. Nga ana tjetër, bizneset e riciklimit të cilët do të kenë qasje në sasi më të mëdha të materialeve.

Eldiana Azemi 19 vjeçare, pjesëmarrëse e punëtorisë “First Time Voters” në diskutimin rreth problemit të mbeturinave e kishte identifikuar këtë si një ndër çështjet që më së shumti i preukopon qytetarët e Gjakovës.

”Në Gjakovë deri në kohët e fundit ka pasur mbeturina, edhe ka lagje qe ndoshta hala kanë por pjesa më e madhe e Gjakovës është e pastër falë punës së Kompanisë së pastrimit “Çabrati” që është e kontraktuar nga komuna,” tha ajo, duke shprehur besimin edhe në angazhimin gjegjës së dy kryekandidatëve kryesorë për udhëheqjen e komunës.

Në qershor të vitit 2017, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, komuna e Gjakovës kishte realizuar projektin “Ndërtimi dhe rregullimi i pikave grumbulluese të mbeturinave” në vlerë 85 mijë euro. Janë vendosur kontejnerë për mbeturina, janë zëvendësuar ato të vjetrat dhe të dëmtuara me të rejat, e në të njëjtën kohë ka filluar edhe faza e projektit të njëjtë për rregullimin e 11 punkteve për grumbullimin e mbeturinave që gjenden në afërsi të objekteve kolektive të banimit.

Çështja e mbeturinave, mungesa e kontejnerëve dhe deponive të mjaftueshme, problemi me ujërat e zeza dhe sistemi jo i rregulluar i lumenjve në këtë komunë, po ashtu dominuan diskutimin në punëtori. Ambienti jetësor, sipas këtyre votuesve të ri, mbetet faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të komunës, por edhe rast për hapjen e vendeve të reja pune dhe sektoreve të tjerë, si për shembull turizmit.

Pjesëmarrësit kishin vërejtur se kandidatët në mënyrë tejet modeste kishin shpjeguar se si do ta zgjidhnin këtë problem nc rast se do të bëheshin kryetar komune. Disa konstatonin mungesën e kontejnerëve/shportave për mbeturina, që po ndikon në ndotjen e lagjeve dhe premtonin 40 kontejnerë të ri. Në, ndërkohë ishte edhe ideja mbi rëndësinë dhe riciklimin e mbeturinave.

Një prej kandidatëve kritikonte qeverinë e kaluar komunale për problemin e mbeturinave dhe kanalizimit. Në këtë kontekst theksohej Inspektorati Komunal “që nuk po e kryen punën e vet si duhet” para se gjithash nga shkaku se kuadrot e saj janë përcaktuar nga partitë politike. Në programin e njërit prej kandidatëve ishte orientimi multifunkcional për mbledhjen e e mbeturinave inerte dhe joinerte në një vend dhe premtimi se përmes koncesioneve mund të gjendet ndonjë kompani për reciklim.  Kandidati tjetër premtonte forcimin e kompanisë publike “Çabrati” dhe angazhimin më të madh të inspektorëve.

Sipas kryetares së deritashme, Mimoza Kusari Lila deri para një viti në këtë komunë ka pasur 70 deponi ilegale, se në ndërkohë janë eliminuar 28. Komuna kishte nënshkruar grantin në vlerë 183 mijë euro me GIZ-in me synim ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin e mbeturinave dhe kohëve të fundit ishin vendosur 44 kontejnerë të ri dhe 260 shporta për mbeturina. Njëherësh, ishte shpallur edhe fituesi i tenderit për rregullimin e rrjetit të kanalizimit.

Kundërkandidati Ardian Gjini shprehej kategorisht kundër deponive ilegale, ndërkohë që premtonte ndërtimin e katër deponive të reja që më vonë do t’i pastronte Kompanija “Çabrati”.  Sipas tij, zgjidhja është tek ndarja e mjeteve për pastrim. Ai ka premtuar se vendimi i tij i parë do të jetë pastrimi i qytetit.

Do të krijohen kolektorë për pastrim dhe nisim projektin për trajtimin e mbeturinave të ngurta”, kishte thënë Gjini në fushatën parazgjedhore.

Votuesit e ri, pjesëmarrës të punëtorisë, gjithsesi kanë pasur mundësi t’i plotësojnë njohuritë e tyre gjatë diskutimit dhe analizës së programeve të kandidatëve, jo rallë duke shprehur mosbesimin se çështjet kaq të rëndësishsme me të cilat ballafaqohet kjo komunë tash sa vjet, mund të tejkalohen pa investime të konsiderueshme.

Nga ana tjetër, punëtoria shërbeu si një platformë për rrumbullakësimin e premtimeve të kandidatëve për kryetarë të komunës në kontekst të perspektivës së tyre, gjegjësisht edhe për vendimin se cilit kandidat do t’ia jepnin votën.

Në balotazhin e mbajtur në nëntor 2017, nga gjithsej 114,418 votues të regjistruar në komunën e Gjakovës, në zgjedhje morën pjesë 35,58 për qind.

Për edhe një mandat të kryetares së deritashme të komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila votuan gjithsej 18,791 qytetarë ose 46,51, ndërkohë që fitues i zgjedhjeve dhe kryetar i kësaj komune në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, u zgjodh Ardian Gjini, për të cilin votuan gjithsej 21,607 qytetarë ose 53,49 për qind.

Në periudhën parazgjedhore, në periudhën e raundit të dytë të zgjedhjeve (19 komuna) dhe pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, organizata mediale KosovaLive njëherësh ka realizuar edhe disa anketa me votuesit e rinj në Kosovë. Synimi i anketave ishte arritja te përgjigja rreth informimit të votuesve kur bëhet fjalë për procesin e votimit, kriteret që ndikojnë që votën e tyre t’ia japin njërit apo tjetrit kandidat. Një pjesë e anketës kishte të bënte edhe me informimin e tyre rreth kompetencave të komunave.

Në anketën e parë, parazgjedhore, jopretencioze të KosovaLive me votuesit, kryesisht studentë të ri që marrin pjesë në zgjedhje për të parën herë, u përfshinë 40.5 për qind të vajzave dhe 59,5 për qind të djemve.

Planprogramet e partive theksohen si faktori kyç në përcaktimin e votës.

Në zgjedhjet lokale në Gjakovë në fund të tetorit 2017, kanë dalë qind për qind të pjesëmarrësve të punëtorisë “Votuesit e ri për një nesërme më të mirë”.

Sipas anketës me votuesit e rinj, 85.7 për qind kanë deklaruar se votën e tyre i kanë përcaktuar premtimet e kandidatëve.

Në balotazhin e mbajtur në nëntor 2017, të drejtën e votës nuk e kanë shfrytëzuar madje 71.4 për qind të pjesëmarrësve të punëtorisë.

Në pyetjen se a i besojnë kryetarit të zgjedhur se do t’a përmbushë premtimin e dhënë lidhur me zhvillimin ekonomik dhe punësimin, sikur edhe për mbrojtjen e ambientit respektivisht zgjidhjen e çështjes së hedhurinave/mbeturinave, 71.4 për qind janë përgjigjur pozitivisht.