Volunteer

Faton Haxhiu, student i Fakultetit Ekonomik është një ndër të rinjtë që ka zgjedhur të merret me punë vullnetare. Sipas tij, të qënurit i angazhuar me punë vullnetare sjell shumë përfitime, si në zhvillimin e aftësive komunikative, ashtu edhe në të ngarkuarit me përgjegjësi që në një moshë të re. Fatoni ndihet mirë në këtë punë, e kjo reflektohet edhe në fytyrën e tij kur ndan me ne eksperiencat e tij.

“Sot ekzistojnë shumë mundësi për t’u përfshirë në punë vullnetare, duke filluar nga institucionet dhe organizatat, të cilat për personat e interesuar ofrojnë punë vullnetare. Mjafton që të ketë interesim dhe përkushtim në atë që dëshiron të bësh”,tregon Fatoni.

Organizata American Corner, gjatë dy viteve të fundit ka pasur rreth 30 vullnetarë. Kjo organizatë ofron shumë aktivitete për të rinj. Përfshin klasa në gjuhën angleze për fëmijë dhe të rritur, debate, dikutime dhe aktivitete të tjera që janë në përputhshmëri me politikat e American Corner. Veçantia e vullnetarëve që janë pjesë e kësaj organizate, është se kanë mundësi që të krijojnë dhe të implementojnë projekte të ideuara nga vet ata. Sipas Arbër Jasharit, asistent në American Corner, interesimi i të rinjve për të marrë pjesë në projektet dhe programet e realizuara nga kjo organizatë është shumë i madh.

“Pasi që Kosova është një vend me një popullsi shumë të re, ka interes të madh për të bërë punë vullnetare. Shumica e vullnetarëve në “American Corner” janë studentë të Universitetit të Prishtinës. Ne gjithashtu kemi vullnetarë, të cilët vijnë për të shërbyer në Kosovë, si pjesë e disa programeve të Ambasadës Amerikane. Vullnetarizmi është një traditë e rëndësishme amerikane dhe “American Corner” i inkurajon të rinjtë dhe studentët që të angazhohen në punë vullnetare”, shpjegon Arbëri.

Kur flitet për vullnetarizmin në Kosovë nuk mundet të shmanget shoqata humanitare “Nëna Tereza”, e themeluar në maj të vitit 1990, si shkak i situatës tejet të rëndë socio-ekonomike dhe politike. Ajo fokusohej tek fëmijët dhe familjet në nevojë, por dha një kontribut të madh edhe në fushën e shëndetësisë. Shoqata hapi 104 ambulanta, ndërsa në vitin 1990, hapi maternitetin e parë në Prishtinë, ku lindën 13.000 fëmijë dhe u kryen 800 ndërhyrje kirurgjikale. Sot, kjo shoqatë numëron rreth 4.200 vullnetarë të regjistruar.

Bashkimi Europian ka përafërsisht 100 milionë qytetarë të të gjitha grupmoshave, të cilët bëjnë punë vullnetare për të kontribuar në të mirë të komunitetit në të cilin jetojnë, kurse në Kosovë nuk ka ende ndonjë statistikë që e mbulon këtë sektor. Për më shumë institucionet e Kosovës nuk kanë marrë ndonjë iniciativë për zhvillimin e vullnetarizmit.

Amer Miftari, nga Prizreni vullnetar i edicionit të parë të festivalit internacional të filmit të shkurtër “Dokufest” thekson se si kontributi vullnetar po përhapet gjithnjë e më shumë.

“Në kohën kur unë kam qenë i angazhuar me punë vullnetare, numri i të rinjve nuk ka qenë i madh. Po ta krahasojmë me tani vërejmë ndryshime. Unë personalisht shoh shumë vullnetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, e po ashtu nga vende të huaja që shprehin interes për pjesëmarrje në Dokufest “, rrëfen Miftari.

Në Kosovë, veprojnë edhe shoqata e organizata të tjera, të cilat ofrojnë punë vullnetare si: Këshilli Amerikan, The Ideas Partnership, festivale të filmit si: Prifest, Dokufest, Skena Up, festivale të muzikës etj.

/Medina Shala, “Vajzë dëgjohu”/