Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jerusalem, bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe Zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti.
Gjatë ceremonisë së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më datën 1 shkurt 2021, ministri i Jashtëm i Shtetit të Izraelit, Gabriel Ashkenazi bëri zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.
Në pamundësi për të qenë prezentë në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jerusalem.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës.