Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili e ka uruar për detyrën dhe ka shprehur pritjen që stabiliteti institucional do të mundësojë zbatimin e reformave në fusha të ndryshme.
Presidentja Osmani ka diskutuar me ambasadorin britanik për angazhimin e institucioneve të Kosovës për të realizuar prioritetin kyç në menaxhimin e pandeminë COVID-19, lidhur me sigurimin e vaksinës për të gjithë qytetarët e vendit.
Osmani ka shprehur gatishmërinë për të intensifikuar raportet e Kosovës me Britaninë e Madhe në fushën e shkëmbimeve tregtare si dhe bashkëpunimit në çështjet e sigurisë, mbrojtjes, kulturës dhe arsimit.
Ambasadori Abbott ka konfirmuar përkushtimin e Britanisë së Madhe për përkrahje të mëtejme duke shprehur gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit në fushën e fuqizimit të kapitalit njerëzor si arsimi dhe kultura, por po ashtu edhe në fushën e sigurisë.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Abbott kanë diskutuar vazhdimin e mbështetjes së Britanisë së Madhe në procesin e rekrutimit të pozitave udhëheqëse në institucionet publike për të siguruar transparencë dhe emërime të bazuar në profesionalizëm dhe integritet.
Presidentja Osmani ka falënderuar ambasadorin e Britanisë së Madhe për përkrahjen të cilën shteti britanik ka ofruar për Republikën e Kosovës ndër vite dhe ka theksuar se orientimi afatgjatë strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentit.