Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti senatorët amerikanë, Chris Murphy nga radhët e Republikanëve dhe Gary Peters, nga radhët e Demokratëve, të cilët i falënderoi për vizitën.
Krahas diskutimit për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve tanë, të cilët sa vijnë e forcohen e thellohen, kryeministri i njoftoi senatorët për indikatorët më të fundit ekonomikë dhe ata demokratikë, siç edhe po evidentohen në vazhdimësi nga raporte kredibile ndërkombëtare. Duke folur për pjesëmarrjen e dytë radhazi si vend mikpritës i ushtrimeve ushtarake Defender Europe 23, kryeministri nënvizoi shtimin e buxhetit në mbrojtje në dy vitet e fundit, duke mos lënë anash shtimin e buxhetit në shëndetësi dhe arsim.
Më tej ai veçoi dhe vizitën e administratores së USAID-it, Samantha Power vetëm 10 ditë më parë, me të cilën së bashku lansuan ankandin e parë për parkun solar me kapacitet 100 MË. Kryeministri shprehu falënderimin e tij për ndihmën dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në tranzicionin e drejtë energjetik drejt energjisë së qëndrueshme dhe të gjelbër.
Senator Murphy, që kishte vizituar Kosovën diç më shumë se një vit më parë, u shpreh i lumtur që po takohet përsëri me kryeministrin Kurti, të cilin e falënderoi për qëndrimin ndaj Ukrainës dhe për pranimin e refugjatëve afganë, duke dëshmuar që ShBA-të kanë një vend partner të besueshëm. Ai po ashtu e uroi për performancën ekonomike, investimet e huaja, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit. Senatori Peters po ashtu e përgëzoi kryeministrin Kurti për performancën impresive ekonomike.
Në takim u diskutua edhe për raportet me Serbinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me theks te Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Zbatimit. Në lidhje me to, të cilat përbëjnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre, kryeministri u shpreh se duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime, teksa i njoftoi për propozimin e Kosovës, për sa i takon zbatimit të nenit 7 të Marrëveshje Bazike, të inspiruar nga modeli kroat.
Senator Murphy u shpreh se Serbia nuk duhet ta pengojë Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, ndërkaq senatori Peters në takim tha se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për mos-veprimin e saj për sa i përket zbatimit të Marrëveshjes Bazike.
Senatorët po shoqëroheshin nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters ka thënë se ka pasur një bisedë të përzemërt, ku kanë folur për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve tanë, të cilët vijnë e forcohen, por edhe thellohen.
Krahas marrëdhënieve dypalëshe Kurti dhe senatorët amerikanë kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend, qeverisjen tonë më shumë se dyvjeçare, arritjet, progresin dhe synimet përpara.
Kryeministri Kurti tha se kanë bashkëbiseduar edhe për raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me theks te Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Zbatimit. Ato përbëjnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre. Prandaj, na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pakushtëzime.
Dje me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ishim bashkë në ceremoninë e fillimit të ushtrimit më të madh ushtarak në rajon Defender Europe 23, në të cilën Kosova këtë vit po merr pjesë për herë të dytë radhazi si vend mikpritës. Me 1 mijë ushtarë më shumë se sa në ushtrimin pararendës, jemi të katërtit sa i përket personelit ushtarak në mesin e 25 ushtrive të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E dhjetë ditë më parë së bashku me administratoren e USAID-it, Samantha Power, po në këtë sallë e lansuam ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavat. Një vit më herët, në korrik të 2022, në Washington DC nënshkruam marrëveshjen me MCC me vlerë prej 236.7 milionë dollarë për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë, të dyja hapa gjigantë drejt tranzicionit të drejtë me pavarësim energjetik me energji të ripërtëritshme në qendër.
Në takimin e fundit që e kishim në Prishtinë me delegacionin e senatorëve amerikanë të udhëhequr nga senatori Chris Murphy, e ku ishin edhe senatorët Shaheen dhe Tillis, 13 muaj më parë, patëm theksuar se kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani që të gjitha shtetet demokratike të qëndrojnë bashkë kundër luftës agresore dhe ilegale të Rusisë në Ukrainë.
Bashkëpunimi dhe partneriteti në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë energjetike krahas sanksioneve të përbashkëta kundër Rusisë është përgjigja më e mirë ndaj realitetit të ri.
Demokracia, shoqëria, pluralizmi politikë, të drejtat e njeriut kanë nevojë të mbrohen më shumë se kurrë. Demokracia është sistemi edhe më i fortë edhe më i brishtë. Është sistemi më i fortë sepse është sistemi më i drejtë, por është sistemi më i brishtë sepse është sistemi më i hapur. Andaj, duhet ta kultivojmë e ta mbrojmë.
Kryeministri Kurti në fund ka falënderuar edhe një herë senatorët amerikanë për vizitën, interesimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm, për fuqizimin e lidhjeve ndërmjet shteteve mike, partnere dhe aleate, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.




