Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama për raportin gjashtë mujor të punës ka mbajtur fjalimin e tij para këshilltarëve të Kuvendit të Kryeqytetit duke thënë se do të vazhdojnë punën pandërprerë për transformimin e Prishtinës në një Kryeqytet praktik, të pastër dhe të përjetimeve.
Rama në postimin e tij në Facebook ka thënë se një numër i madh i projekteve që janë hartuar dhe tenderuar përgjatë vitit 2022 kanë filluar të zbatohen me një dinamikë të madhe në këtë gjashtëmujor.
Këtë vit e filluam me përkushtim e një energji drejt përmbushjes së vizionit tim për transformimin e Kryeqytetit në një mjedis më miqësor për këmbësor, më të gjelbër e më të shëndetshëm.
Nisëm një prej projekteve më të mëdha infrastukturore të realizuar ndonjë herë në Kryeqytet, rrugën Jim Xhema.
Një rrugë që, përpos që zgjidh problemin e kolektorit, do të krijojë një jetë të re për rreth 20,000 qytetarë të Prishtinës. Ky projekt i ka sjellë Kryeqytetit punësim e zhvillim, një standard të ri të ndërtimit, rrugë të gjëra me korsi për autobusë e biciklistë.
Për të përmirësuar ajrin, reduktuar djegjen e thëngjillit e drunjve, dhe për të siguruar një jetë më cilësore për qytetarët e Kryeqytetit, kemi zgjeruar rrjetin e Termokosit për 40,000 qytetarë shtesë. Kemi nënshkruar ndërtimin e pesë shkollave dhe tri të tjera në ndërtim e sipër, duke sjellë numrin e shkollave të reja në tetë.
Këto shkolla do të ofrojnë arsim më cilësor, kushte më të mira për arsimtarët e nxënësit dhe reduktim të numrit të nxënësve në shkollat aktuale. Mbi të gjitha do të lehtësojnë jetën e prindërve të cilët tani duhet të vozisin disa herë nëpër Kryeqytet për të dërguar dhe marrë fëmijët e tyre nga shkolla. Me përfundimin e këtyre shkollave, pra, do të reduktohet dukshëm edhe komunikacioni në Kryeqytet.
Janë duke u dizajnuar disa projekte të mëdha të cilat do të transformojnë Kryqytetin tonë tutje, si: ndërtimi i sheshit të Prishtinës së Vjetër që përfshin ndërtimin e tunelit në rrugët Agim Ramadani dhe Ibrahim Lutfiu; kjo do të lidhet edhe me tregun e ri duke krijuar një hapsirë të re funksionale dhe të bukur; transformimi ish ndërtesës së Gërmisë në Sallë të Koncerteve dhe Muze të Artit; ndërtimi i sheshit Xhorxh Bush.
Të gjitha këto do t’i japin një pamje tërësisht të re Prishtinës tonë të dashur.
Qytetarët e Veternikut tanimë po marrin shërbime shëndetësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Veternik, një shërbim bazik i cili iu kishte munguar qytetarëve të kësaj zone. Më tutje, Spitali i Prishtinës është duke u dizajnuar dhe punët në ndërtimin e tij do të fillojnë në fund të vitit 2023. Fëmijët tanë tani kanë më shumë terene sportive të reja dhe të renovuara. Bujqit tanë janë mbështetur me serra, makineri bujqësore e pagesa direkte në formë të subvencioneve.
Këto janë vetëm disa prej projekteve të mëdha që kemi nisur e realizuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023. Ne do të vazhdojmë punën tonë pandërprerë për transformimin e Prishtinës sonë në një Kryeqytet praktik, të pastër dhe të përjetimeve.






