Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ka filluar punën Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit, një nga iniciativat më të rëndësishme për të mbështetur transformimin e Kryeqytetit.
Rama në postimin e tij në Facebook ka thënë se për një kohë të gjatë, Kryeqyteti është përballur me një sërë sfidash urbane, të cilat janë duke i vështirësuar jetën qytetarëve, trafiku i mbingarkuar, infrastruktura e dobët, planifikimi i munguar urban, mungesa e hapësirave të gjelbra dhe e atyre rekreative, janë veç disa nga problemet të cilat do të marrin zgjidhje përmes Arkitektit të Kryeqytetit. Fillimisht është duke u skanuar gjendja në terren, për të krijuar një fotografi më të qartë të problemeve, nevojave dhe emergjencës së trajtimit të tyre.
Aktualisht, Arkitekti është duke punuar në disa zgjidhje urbane si: mbikalimi që e lidhë “Arbërinë” me “Pallatin e Rinisë, tuneli në rrugën “Agim Ramadani”, Nënkalimi tek “Katedralja”, Arena Multifunksionale për sporte me dorë dhe disa projekte tjera. Këto projekte shumë shpejt do të kalojnë në fazën e realizimit në terren.
Jemi duke punuar në dizajnimin e shërbimeve digjitale – E-lejet e cila mundëson që i gjithë procesi i pajisjes me kushte dhe leje ndërtimore të kryhet në mënyrë elektronike.
Ky është vetë fillimi i një rrugëtimi të gjatë të transformimit të Kryeqytetit, për ta bërë Prishtinën qytet praktik, të pastër dhe të përjetimeve.