Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti kanë përmbyllur përvjetoritn e 13-të të pavarësisë së Kosovës me vizitën te Nëna Ferdonije Qerkez në Gjakovë, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe
Në këtë 13- vjetor të shtetit tonë, ritheksojmë zotimin se secila e secili prej nesh do të jemi zëri i nënës Ferdonije e i mijëra nënave të tjera anekënd Kosovës në kërkim të drejtësisë ka thënë Osmani në postimin e saj në Facebook.
E përmbyllëm këtë ditëlindje të shtetit tonë në vizitë tek Nëna Ferdonije Qerkezi, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe. Kjo datë, 17 shkurti, është edhe data e lindjes së djalit të saj, Artanit.
Shtëpia ku akoma ruhen gjësendet e djemve të saj, të cilëve ajo çdo ditë ju flet nëpërmjet fotografive të tyre, na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë. Rrobat e tyre, lodrat me të cilat ishin rritur, lugët me të cilat kishin ngrënë, e djepi në të cilin i kishte përkundur…që të gjitha ishin ende aty, në këtë shtëpi muze. Dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë, e plagë që nuk mbyllet pa drejtësi e pa kthimin e të gjithë të zhdukurve në tokën e të parëve tanë.
Në këtë 13- vjetor të shtetit tonë, ritheksojmë zotimin se secila e secili prej nesh do të jemi zëri i nënës Ferdonije e i mijëra nënave të tjera anekënd Kosovës në kërkim të drejtësisë. Asnjë festë e asnjë përvjetor nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë.