Mërgim Avdimetaj, 20 vjeçar nga Deçani ka përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë dhe momentalisht është i papunë. Ai thotë se për shkak të kushteve jo të mira për punësim në Kosovë, ka vendosur që të shkojë në Gjermani për të vazhduar me studimet dhe të sigurojë një vend pune. Ai tashmë ka aplikuar për vizë dhe po pret përgjigje.

Kushtet jo të mira që ofrohen, cilësia e dobët në arsim, pagat jo dinjitoze, mungesa e sigurimeve shëndetësore janë disa nga arsyet që nuk e shoh të ardhmen në Kosovë. Të gjitha këto më janë ofruar nga shteti gjerman. Por, shpresa mbetet që kjo do të ndryshojë dhe, pse jo, të kthehem prapë dhe të jap kontributin në vendin tim”,  thotë Avdimetaj.

Edhe ai, sikur shumë të rinj kosovarë, ndihet i zhgënjyer me jetën dhe mundësitë që atdheu po ia ofron. Shkalla e lartë e papunësisë, varfëria, pagat e ulëta, gjendje e rënduar e sistemit arsimor dhe shëndetësor dhe mungesa e lirisë së lëvizjes janë vetëm disa nga problemet me të cilat i ballafaqon realiteti i Kosovës.

Në një anketë jopretencioze të realizuar nga KosovaLive  me grupmoshat prej 17-28 vjeç lidhur me vlerësimin e perspektivës së jetës së tyre në Kosovë, shumica prej të anketuarve (91.2%) deklaruan se ndjekin shkollimin për mundësi më të mëdha për punësim dhe status më të lartë në shoqëri, ndërsa një pjesë më e vogël (8.8 %) e kanë ndërprerë atë.

Kur janë pyetur se pse e kanë ndërprerë shkollimin, 41.9% e tyre janë përgjigjur se nuk kanë të ardhme në Kosovë dhe se nuk kanë mundësi t’i realizojnë ëndrrat e tyre, ndërsa një pjesë më e vogël e tyre shprehen se nuk kanë pasur mundësi t’i përballojnë shpenzimet financiare.

Gati gjysma e të anketuarve (43.1%) shprehen skeptikë për mundësinë e punësimit pas studimeve, prandaj numri më i madh i tyre (75.2%) po t’u jepej mundësia thonë se do të studionin në një institucion arsimor publik në vendet e rajonit.

Nga ata që studiojnë dhe janë të punësuar, që përbëjnë gjysmën nga të anketuarit, shumica (66%) deklarojnë se nuk punojnë në sektorët për të cilët janë diplomuar ose janë duke u shkolluar.

Sipas burimeve zyrtare të Departamentit për Punësim për vitin 2018, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMQ), numri i të papunëve në grupmoshën 15-24 vjeç ishte 18.741. Ata thonë se nuk posedojnë evidenca mbi numrin e punëkërkuesve të regjistruar për punësim jashtë vendit, ndonëse është e ditur se shumica prej tyre shikojnë nga Evropa Perëndimore, në rend të parë Gjermania, si destinacion për punësim potencial dhe për një jetë më të mirë.


Zyra e këtij departamenti thotë se MPMQ ka Marrëveshje Mirëkuptimi me 3 institucione gjermane:
Landesverband Bayerischer Bauinnungen dhe Deutsche Gesellschaftfür Internationale Zusammenarbeit GmbH Kosovo (GIZ, German Federal Enterprise for International Cooperation, Fondacioni Besa dhe Deutsche Gesellschaftfür Internationale Zusammenarbeit GmbH Kosovo (GIZ, German Federal Enterprise for International Cooperation dhe Union Business (albanisch&deutsch), nëpërmjet të cilave janë ndërmjetësuar 18 persona për aftësim profesional dhe punësim. Ky proces konsiderohet si migrim qarkor.

Po ashtu vitin e kaluar janë rilicencuar rreth 20 ofrues jopublik të punësimit të cilët ofrojnë trajnime profesionale dhe lidhje me punëdhënës brenda dhe jashtë shtetit. (https://mpms.rks-gov.net/shpallje/publikime/).

Një prej tyre është edhe Agjencioni për Përkrahje të Punësimit në Kosovë (APPK), i cili bën  integrimin ekonomik të individit në shoqëri, përmes masave aktive të punësimit, në kuadër të programeve të caktuara, kryesisht me porosi nga institucione ose organizata ndërkombëtare.

APPK thotë se interesimi i të rinjve për programet e tyre është i madh. Vetëm gjatë vitit të kaluar, mbi 400 kandidatë kanë marrë trajnime nga APPK.

“Për secilin kandidat që aplikon në programet e APPK-së, aplikimi i masës aktive të integrimit ekonomik, bazohet në këshillimet dhe profilizimet e detajuara me kandidatin. Në këtë kontekst, informata kthyese nga kandidatët, është se mbi 90% e tyre janë të kënaqur me programet e realizuara.”

Sipas Shpëtim Kalludrës, zyrtar i Agjencisë për Punësim në Republikën e Kosovës, punësimi i të rinjve kosovarë jashtë vendit i kontribuon rritjes së nivelit të shkathtësive të tyre profesionale, krijon remitanca për shtetin, mundëson zgjedhje për punëtorët në Kosovë dhe rritë potencialin njerëzor.

Fatlum Gashi, 22 vjeçar nga Peja, pas përfundimit të shkollës së mesme të mjekësisë, e siç thotë, për shkak të mungesës së perspektivës dhe konkurrencës nuk kishte vazhduar me studimet në Kosovë. Edhe ai është njëri prej atyre që përfitoi nga oferta e Agjencisë për Përkrahje Punësimi, ku mësoi gjuhën gjermane dhe në më pak se 12 muaj nisi praktikën në një institucion shëndetësor në Gjermani.

E kam zgjedhur agjencionin sepse shumë të tjerë ma kanë rekomanduar, ishte i besueshëm dhe janë realizuar të gjitha ato që i kanë premtuar gjatë periudhës së aftësimit profesional, por nëse në një të ardhme në Kosovë do të ngritej standardi jetësor, do të kthehesha me dëshirë.”- thotë ai.

Të rinjtë, megjithatë nuk e mohojnë faktin  se kohëve të fundit janë hapur vende pune, mirëpo thonë se kriteret ndonjëherë janë të paarritshme dhe përzgjedhja shpeshherë është e padrejtë.

Rrjedhimisht, shumica prej tyre e shohin të ardhmen e tyre jashtë Kosovës dhe janë aktivisht të angazhuar në  kërkimin e rrugëve legale, e disa edhe ato ilegale, për të fituar leje qëndrimi apo shtetësi në ndonjë nga shtetet e Evropës.

Është i njohur për kosovarët edhe “Eksodi i vitit 2014-2015” që u shoqërua me ikje masive të popullatës, duke përfshirë të rinj e të reja, studentë, familjarë, pleq e fëmijë. Ata ia kishin mësyrë Evropës, edhe duke marrë parasysh faktin se mund të ktheheshin mbrapsht nga shteti për ku ishin nisur.

Ato ditë brenda natës niseshin me autobusë 800-1000 persona.

Të rinjtë, njëherësh konsiderojnë se jeta e tyre sociale dallon shumë nga ajo e bashkëmoshatarëve në vendet e rajonit sepse ata janë më të pavarur, ndërsa shumica prej të rinjve kosovarë ende financohen nga familja, dhe theksojnë edhe pamundësinë e lëvizjes jashtë vendit.

Qëndresa 26 vjeçare, e martuar (e cila deshi të mbetet anonime) nga Prishtina, tregon se në zgjedhjen e saj për partner ndikuan edhe “letrat”, gjegjësisht fakti se bashkëshorti i saj kishte shtetësi të jashtme.

E pranoj se gjithmonë kam dashur të jetoj jashtë Kosovës, për shkaqe që i dimë të gjithë”, është shprehur ajo.

Kosova kështu gradualisht po zbrazet nga rinia dhe fuqia punëtore, e me një ritëm të ngjashëm po plaket edhe popullata.

Duke iu referuar Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës 2018 , në vitin 2017 kishim ngritje të lehtë të shkallës së punësimit në krahasim me vitet paraprake prej 1-3%. Shkalla e përgjithshme e punësimit ishte 29.8%, ndërsa shkalla e papunësisë ishte 30.5%.

Nuk përjashtohet mundësia që, për ironi, edhe migrimi i popullatës së aftë për punë dhe ulja e përgjithshme e natalitetit po i kontribuojnë edhe uljes së shkallës së papunësisë.

Gjylshahe Feta

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.

Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë document janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.