Muhamet Ibrahimi, menaxher i njërës nga pikat e Albi Market në kryeqytet pohon se vazhdimisht i përdorin qeset e plastikës.
“Ne shprehim shqetësim për këtë fenomen, por nuk ka ndonjë alternativë tjetër më pak të kushtueshme”, thotë Ibrahimi.
Një publikim i Sustainicum Collection dëmshmërinë e qeseve plastike e ilustron përmes faktit ato nuk janë biodegraduese dhe mund të qëndrojnë deri në 1000 vjet në ambient. Për më keq, ato pësojnë fotodegradim, që do të thotë se nën ndikimin e rrezeve ultravjollce (UV) dhe nxehtësisë degradohen në copëza shumë të vogla duke depërtuar kështu në zinxhirin ushqimor.
Vetëm 1 për qind e qeseve plastike janë të reciklueshme në mbarë botën, në anën tjetër, kostot e reciklimit janë shumë më të larta se ato të prodhimit dhe bazuar në kostot e sistemeve të shpëtimit dhe të reciklimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), reciklimi i një ton qeseve plastike kushton 4,000 dollarë.
Në një tryezë të paradokohshme të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), u prezantua një hulumtim parlamentar lidhur me praktikat e mira të menaxhimit të mbeturinave në vendet evropiane. Statistikat flasin se vetëm brenda vitit 2017 dhe 2018 në Kosovë janë importuar mbi 12 mijë tonë qese dhe shishe të plastikës, ndërsa organizatat që merren me mbrojtje të mjedisit, konsiderojnë se vetëm në lumenjtë e Kosovës gjenden mbi 20 mijë tonë plastikë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në publikimin e Anketës së Mbeturinave Industriale 2015, raporton se sasia e mbeturinave të gjeneruara nga industria në Kosovë, të cilat janë recikluar në vitin 2015, ka arritur në 14.672 tonë.
Kompania “Plastika” luan rol të konsiderueshëm në uljen e ndotjes në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, pasi është e para kompani që merret me reciklimin e materialeve plastike dhe ripërdorimin e tyre për prodhimin e folieve për agrikulturë dhe për ndërtimtari.
“Kompania jonë grumbullon dhe reciklon mbi 5,000 tonë mbeturina plastike në vit”, shprehen menaxherët e kësaj kompanie.
Libraria “Dukagjini” është një ndër ndërmarrjet që klientët e vet i shërben me qese letre.
“Përveç aspektit ekologjik, qeset e letrës janë estetikisht më të mira”, thotë njëra nga përgjegjëset e librarisë.
Edhe shqetësimi i qytetarëve është në rritje. Bahrie Vllasaj nga Gjilani, e cila tash e një kohë të gjatë përdor vetëm trastë pëlhure, thotë së të gjithë duhet të vetëdijësohen në këtë drejtim. Përdorimin e trastave ajo e vlerëson si zgjidhjen më të mirë.
“Ato kanë jetëgjatësi në përdorim dhe janë mjaft praktike”, shton ajo.
Në një raport të publikuar në Koha.net, është llogaritur se bizneset që prodhojnë qese të plastikës në vlerë prej pesë milionë euro në vit.
Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ Nr. 11/2013 për përcaktimin e kërkesave teknike dhe kërkesave të tjera për qeset e plastikës.
“Përcaktohen kërkesat teknike dhe kushtet e tjera të cilat kanë të bëjnë me qeset e plastikës nga polietileni dhe polipropileni, të cilat janë të destinuara për vendosjen në qarkullim të lirë me aditiv për përdorim të përgjithshëm dhe qeseve të plastikës pa aditiv që përdoren për nevojat e industrisë, vlerësimin e konfirmitetit të qeseve të plastikës dhe kushtet të cilat duhet t’i plotësojë Trupi i emëruar për vlerësimin e konformitetit”, thuhet në këtë Udhëzim Administrativ.
Qytetarët janë skeptikë në lidhje me vendosjen e tarifës dhe ndalimin e dhurimit falas të qeseve të plastikës për ta zvogëluar përdorimin e tyre. Vllasaj lidhur me këtë shprehet:
“Mendoj se edhe po të fillohej shitja e qeseve plastike, nuk do të kishte shumë ndikim në zvogëlimin e përdorimit të tyre sepse qytetarët që zakonisht shpenzojnë shuma të mëdha nuk do ta kishin problem të paguanin edhe për qeset e plastikës.”
Ndërsa përgjegjësja e librarisë “Dukagjini” mendon se impakti do të ishte negativ sepse do të përfitonin grupe të caktuara të interesit duke e rritur prodhimin e qeseve të plastikës.
Një qasje ndryshe ka Agjencia Kombëtare e Mjedisit të Shqipërisë, e cila e ka aplikuar masën për shitjen e qeseve të plastikës.
“Deri më tani impakti është pozitiv, pasi përdorimi i trastave përmirëson jo vetëm jetën e qytetarëve, por ndikon edhe në jetëgjatësinë e kafshëve, që kohët e fundit kanë vdekshmëri të lartë për shkak se i përtypin qeset e plastikës”, thonë zyrtarë nga kjo agjenci.
Masa e shitjes së qeseve të plastikës ka filluar të aplikohet në Shqipëri që nga 5 qershori i vitit 2017. Se praktika e shitjes së qeseve të plastikës ka rezultuar e suksesshme e dëshmojnë edhe vendet e Bashkimit Evropian (BE) ku kjo masë aplikohet.
Arjetë Murati
Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.