Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë prezantuar sot para qytetarëve të Komunës së Mitrovicës, Buxhetin për vitin 2023.
Kryeministri Kurti teksa ka vlerësuar lart kontributin e sakrificën e Mitrovicës, u shpreh i lumtur që të flas sot me qytetarët e kësaj komune për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin tjetër, për projektet e ardhshme, për ato që po i vazhdojmë, me qëllim gjithnjë të rritjes së mirëqenies dhe të zhvillimit.
Ai tha se Buxheti i planifikuar për Komunën e Mitrovicës, për vitin 2023 është mbi 25 milionë euro, dhe së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati diskutuan më në detaje se si dhe ku është paraparë ndarja e buxhetit për këtë komunë.
Disa nga projektet me interes për qytetarët e kësaj komune që veçoi kryeministri e që parashihen me buxhetin për vitin e ardhshëm janë trajtimi i rrugëve të rëndësishme të Shalës së Bajgorës: Rruga Bare-Selac, Rruga Maxherë-Dedi –Bistricë dhe rehabilitimi i rrugëve Bislim Bajgora dhe Agim Ramadani, teksa janë alokuar 1 milion euro për programin për rindërtimin e shtëpive në pjesën veriore të qytetit.
Përveç investimeve në vlerë prej 3 milionë euro për Ndërmarrjen Trepça, që parashihen në buxhetin për vitin e ardhshëm, janë ndarë 1.4 milion euro për renovimin e stadiumit “Adem Jashari”, kurse për ruajtjen e trashëgimisë e për kulturë, në vitin e ardhshëm janë planifikuar mjete për rehabilitimin e Xhamisë së Mazhiqit, rehabilitimin e Qytetit të Vjetër të Trepçës dhe rindërtimin e disa objekteve tjera kulturore.
E falë miratimit të dy marrëveshjeve ndërkombëtare për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë dhe Vushtrri, kryeministri Kurti shtoi se projekti i financuar nga BERZh dhe Banka Investive Evropiane, që tejkalon vlerën prej 30 milionë euro, parasheh rregullimin e ujërave të zeza dhe trajtimin e tyre nga lumenjtë Ibri, Sitnica, Trepça dhe Lushta.
Prezantimi i buxhetit për vitin 2023 ka filluar nga dita e djeshme, e martë, në Komunën e Prizrenit dhe do të vazhdojë të prezantohet dhe në komuna të tjera ku qytetarët do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë dhe shprehin mendimet e tyre lidhur me buxhetin e vitit 2023. Prezantimi i radhës do të jetë në Komunën e Prishtinës, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Mirë se po e gjejmë njëri-tjetrin në qytetin tuaj të dashur, në qytetin e dashur për të gjithë Kosovën e mbarë kombin tonë për të gjithë neve, e sa herë që nisemi rrugës për Mitrovicë, natyrisht që na vijnë në mendje kontributi i Mitrovicës, sakrifica e Mitrovicës, gjendjen në të cilën ndodhet sot Mitrovica por edhe ëndrrat tona të cilat nuk janë të ndryshme prej atyre që kontribuan e dhanë aq shumë për Republikën tonë dhe mbarë kombin shqiptar. Por na vijnë në mendje edhe perecat, por vonë tash se dëgjova që deri në ora 11 paradite e po ashtu edhe kënga e Mitrovicës e grupet si TNT e MAK-u, mandej fitoret e basketbollit të klubit “Trepça” që po bën lojë të shkëlqyeshme në këtë sezon dhe njëkohësisht na kujtohen mbi të gjitha minatorët të cilëve aq shumë ua kemi borxh edhe zhvillimin edhe çlirimin edhe lirinë por në të njëjtën kohë edhe frymën e përbashkët të rezistencës tonë në kohërat më të vështira.
E rrugës për këtu njeriu e vëren se sa e vështirë është kjo rruga Prishtinë-Mitrovicë diçka që do të mund të bëhej për më pak së gjysmë ore e shpesh herë e kalon edhe një orë. Prandaj ne do të përqendrohemi shumë që ta ndihmojmë Mitrovicën dhe të mos lejojmë që ky qytet i kulturës edhe i artit, të jetë kaq shumë i ndarë nga kryeqyteti dhe nga viset e tjera të Kosovës por në të njëjtën kohë edhe ta prezantojmë buxhetin për çdo aspekt të jetesës në Kosovë e në veçanti këtu për Komunën e Mitrovicës sepse ne as nuk duam as nuk mundemi ta harrojmë Mitrovicën e duhet ta kemi në fokus nëse e duam mbarë Republikën jo vetëm Mitrovicën të zhvilluar e të përparuar.
Unë jam i lumtur që këtu jam bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Muratin, që të flasim me juve, për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, të flasim për projektet e ardhshme, për ato që po i vazhdojmë, me qëllim gjithnjë të rritjes së mirëqenies dhe të zhvillimit.
Vitin e kaluar e kemi pasur vitin më të suksesshëm në kuptimin ekonomik në historinë e shtetit tonë sa i përket të hyrave buxhetore në njërën anë dhe rritjes ekonomike në anën tjetër, përkundër sfidave e krizave globale. Pra pandemia nuk është se iku plotësisht, por luftës ruse në Ukrainë iu bashkëngjitën pasoja për mbarë kontinentin dhe jo vetëm edhe sa i përket krizës energjetike ashtu edhe asaj inflacionare.
Buxheti për vitin 2023 do të jetë buxheti më i lartë në historinë e vendit tonë. Do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro. Prej tyre, të hyra buxhetore do të jenë 2 miliardë e 884 milionë euro.
Në kuadër të buxhetit parashihet shtimi i vlerave për investime kapitale dhe mallra dhe shërbime, që arrijnë vlerën prej 1.3 miliard euro. Kjo do të kontribuojë substancialisht në shtimin e aktivitetit biznesor dhe në zhvillimin ekonomik.
Shpenzimet që i dedikohen qeverisjes lokale dhe komunave parashihet të rriten për rreth 100 milionë euro, nga 560 milionë që ishte në vitin 2022, në 660 milionë sa do të jetë në vitin 2023 pra një rritje prej gati 20 për qind.
Buxheti i planifikuar për Komunën e Mitrovicës, për vitin 2023 është mbi 25 milionë euro.
Të dashur qytetarë,
Prej fillimit, Qeveria jonë është udhëhequr nga tri vlera kryesore: drejtësia, barazi dhe zhvillim. Pa mbushur dy vite në pushtet, Qeveria jonë ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në këto tri drejtime. Mes tjerash ekonomia është rritur në vitin e kaluar prej 10.7 për qind të produktit vendor ndërkaq në këtë vit do të kemi rreth 4 për qind rritje ekonomike pasi që të hiqet inflacionni.
Kemi përparuar për 17 vende sa i përket Indeksit të Transparency International për luftimin e korrupsionit dhe gjithashtu 17 vende sa i përket Lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij, sa i përket sundimit të ligjit, sipas “World Justice Project” është një organizatë ndërkombëtare, kemi shënuar vendin e parë në Ballkan, herën e dytë sivjet ndërkaq vendin e dytë në botë sa i përket përmirësimit në sundimin e ligjit.
Tetë karakteristika janë ato që e përcaktojnë sundimin e ligjit në një vend dhe në Ballkan nga këto tetë karakteristika në shtatë prej tyre për shembull Kosova është më mirë se Serbia. Në njërën prej tyre Serbia është më mirë se Kosova. Pra, jo vetëm që jemi vend demokratik por në të njëjtën kohë edhe me sundim të ligjit, të parët në Ballkan. Gjithashtu drejtësia dhe rritja ekonomike duhet të shoqërohen në aspektin social ku bëhet shpërndarja e rishpërndarja e të mirave që të mos e lëmë askë mbrapa. Kështu që kemi filluar për herë të parë me një shtet social, që garanton arsimin e lartë pa pagesë, shtesa për fëmijë dhe mbështetje financiare për nëna të reja, e pensione të dinjitetshme, sidomos për personat me aftësi të kufizuara.
Një nga prioritetet e Qeverisë është edhe arsimi. Buxheti në arsim është më i larti në historinë e arsimit tonë, dhe i dedikohet këtyre prioriteteve: zgjerimit të edukimit në fëmijëri të hershme, edukimi në fëmijërinë e hershme është shumë i rëndësishëm për ecjen e mëtutjeshme në jetë, në aspektin profesional të karrierës e të zhvillimit intelektual e emocional. Mandej e kemi arsimin profesional meqenëse duam ta lidhim me tregun e punës dhe digjitalizimin e shkollave. Këtë vit është paraparë buxhet për vazhdimin dhe ndërtimin e dy çerdheve në Mitrovicë – në Lagjen Ilirida dhe në Shipol. Me buxhetin e 2023, kemi përmbushur premtimin tonë për 500 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta apo me aftësi të kufizuara. Buxheti për subvencione dhe transfere, pra kryesisht programet për barazi sociale, parashihet të arrijë në 1.1 miliard euro. Kjo është një rritje prej 500 milionë euro, krahasuar me shpenzimet e për shembull, vitit para pandemik 2019. Me fjalë të tjera përafërsisht katër vjet kemi gati dyfishim të subvencioneve dhe transfereve për barazi sociale.
Transferet sociale për familjet që jetojnë në varfëri parashihet të jenë 48 milionë euro apo një rritje rreth 33% krahasuar me vitin para-pandemik 2019.
Shtesat për lehona e për fëmijë që i kemi premtuar, i kemi filluar në kohë dhe deri në vitin 2023 po e përmbushim zotimin tonë duke i përfshirë në skemë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Në këtë vit që po i afrohemi fundit për çdo muaj e kemi rritur edhe nga një vit më shumë të moshës së fëmijëve që përfshiheshin në skemën e shtesave dhe në këtë mënyrë po ndajmë buxhet në vlerë prej 60 milionë euro ashtu që për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës deri në moshën 16 vjeçare të kemi shtesa. Për të ndihmuar familjet, parashihet asistencë prej 75 milionë euro në subvencionim të kostos së energjisë elektrike.
Në kuadër të buxhetit parashihen investime në vlerë prej 3 milionë euro për Ndërmarrjen Trepça. Energjia e ripërtritshme paraqet një nga prioritetet e Qeverisë. Mitrovica është bazë e një prej projekteve më të mëdha të energjisë së ripërtritshme, në Bajgorë dhe në Selac, 27 turbina me gjithsejt 105 megavatë.
Me planifikimet e buxhetit 2023 do të mundësohet zbatimi i skemës për punësim të garantuar për të rinj.
Për shumë vite e shumë gjatë unë e di që ju jeni ballafaquar me sfidën e udhëtimit, për shkak se kjo rruga Prishtinë-Mitrovicë, që ka filluar nuk është zbatuar e përfunduar që nga viti 2009. Vitin e kaluar por edhe këtë vit kemi ndarë mjete buxhetore për përfundim të kësaj arterie të rëndësishme. Por të gjitha punët të cilat po vonohen e po zhagiten në Kosovë është për shkak se planifikimi dhe përgatitjet nuk i kanë paraprirë ekzekutimit dhe zbatimit. Nuk është planifikuar dhe përgatitur mirë. Ka filluar puna duke mos pasur plan të saktë e të qartë dhe duke mos u përgatitur ajo sidomos sa i përket shpronësimeve. E më pastaj kur fillon të kryhet një punë edhe ngec te pengesa e shpronësimeve, bëhet shumë e shtrenjtë sepse çfarëdo shpronësimi i hyp vlera për të paguar shteti me buxhet të vetin kur dihet që tash kemi këtë pengesë, këtë vështirësi të cilën e keqpërdor një privat. Po të bëheshin shpronësimet të gjitha në fillim dhe mandej të shtrohet rruga gjithçka do të shkonte shpejt dhe lirë. Meqenëse shpronësimet nuk bëhen paraprakisht, nuk ka përgatitje e planifikim atëherë gjithçka bëhet ngadalë dhe shtrenjtë. Në vend që të jetë shpejt dhe lirë, është ngadalë dhe shtrenjtë për shkak se planifikimi dhe përgatitjet nuk i kanë paraprirë zbatimit dhe ekzekutimit të punëve e të vendimeve.
Ky buxhet për vitin e ardhshëm parasheh edhe trajtimin e rrugëve të rëndësishme të Shalës së Bajgorës: Rruga Bare-Selac, Rruga Maxherë-Dedi –Bistricë dhe rehabilitimi i rrugëve Bislim Bajgora dhe Agim Ramadani. Kemi alokuar 1 milion euro për programin për rindërtimin e shtëpive në pjesën veriore të qytetit.
Qeveria jonë ka miratuar dy marrëveshje ndërkombëtare për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë dhe Vushtrri. Ky projekt i financuar nga BERZh dhe Banka Investive Evropiane, që tejkalon 30 milionë euro, parasheh rregullimin e ujërave të zeza dhe trajtimin e tyre nga lumenjtë Ibri, Sitnica, Trepça dhe Lushta.
Shpenzimet për shëndetësi parashihet të rriten në afër 300 milionë euro, rritje prej 15% krahasur me vitin e kaluar, apo rreth 50% më shumë sesa në vitin para-pandemik 2019. Nga këto, 60 milionë euro rreth 20 për qind janë për barna esenciale, dhe në kuadër të buxhetit 2023 është paraparë përfundimi i Spitalit të Pediatrisë në Mitrovicë.
Rritjen e buxhetit në infrastrukturën shëndetësore e kemi shoqëruar edhe me rritjen e numrit të stafit mjekësor, ku i kemi shtuar 400 pozita: 100 pozita për nivelin qendror e 300 për atë lokal, anë e mbanë Kosovës, sigurisht edhe në Mitrovicë.
Rajoni i Mitrovicës ka potencial edhe për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Buxheti për bujqësi vitin e ardhshëm është 87 milionë € dhe jemi afër arritjes së premtimit programor për 100 milionë euro shpenzime në bujqësi e që ka mundësi me grante që do mund të vijnë edhe ta afrojmë këtë synim tonin drejt realizimit pra 100 milionë euro në vit për bujqësi.
Në kuadër të buxhetit parashihen dyfishimi i pagesave për rendimente bujqësore, kompenzimi i TVSh-së për naftën bujqësore dhe mbulimi i shpenzimeve për inpute tjera bujqësore.
Është dyfishuar buxheti për ushtrinë e Kosovës krahasuar me vitet para Qeverisjes sonë. Parashihet rekrutimi i ushtarëve të rinj dhe inkurajojmë të rinjtë dhe të rejat nga Mitrovica që ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Po ashtu, kemi shtuar 300 pozita të reja për Policinë. Pra vitin e kaluar e bëmë projektligjin për buxhetin e vitit 2022 ku buxheti për ushtrinë është 52 për qind në 2022-shin më shumë se në 2021-shin e në 2023 është edhe 20 për qind më shumë se sa 2022-shi. Në të kaluarën është dashur 10 vjet që përafërsisht të dyfishohet buxheti për ushtrinë e tash ne e kemi dyfishuar me një bazë shumë më të lart brenda dy vjetëve.
Kthimi i terminaleve doganore shtetërore ishte gjithashtu një nga premtimet tona, materializimin e së cilit vazhdojmë me terminalin në aeroportin e Prishtinës dhe në Vërmicë, si dhe me terminalet e tjera, për funksionalizimin e të cilave i kemi ndarë gjithsej 6 milionë euro.
Për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe për të siguruar cilësi të shërbimeve, për t’i mbrojtur konsumatorët dhe për të mbledhur tatimet që mundësojnë ofrimin e shërbimeve më të mira publike, në nivel vendi kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet. Shteti duhet të jetë rregullator dhe mbikëqyrës e aspekti mbikëqyrës i shtetit reflektohet pikërisht tek inspektoratët. Numrin e inspektorëve ne po e shtojmë me 240 pozita të reja.
Për sportin, i kemi ndarë 1,4 milion euro për renovimin e stadiumit ,”Adem Jashari”. Ndërsa për ruajtjen e trashëgimisë e për kulturë, në vitin e ardhshëm janë planifikuar mjete për rehabilitimin e Xhamisë së Mazhiqit, rehabilitimin e Qytetit të Vjetër të Trepçës dhe rindërtimin e disa objekteve tjera kulturore.
Të dashur të pranishëm,
Ka edhe shumë projekte e nisma tjera që janë në këtë buxhetin për vitit të ardhshëm, për të cilat më gjerësisht e mbase më hollësisht do të mund të ju flas Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati. E mandej do të mund ta hapim bashkëbisedimin me të gjithë juve.