Edhe pas njoftimit të Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik, se uji në liqenin e Badocit nuk është i helmuar, qytetarët e Prishtinës, ende hezitojnë të pijnë ujin që rrjedhë në çezmat e shtëpive të tyre. Gjatë fundjavës, ata iu drejtuan marketeve për të blerë ujë të pijshëm.
“Jo, nuk e pimë ujin e çezmës, prej asaj dite që kemi ndëgju që e ka helmu dikush, kemi ble ujin e pijshëm, edhe ende po e blejmë me bidona. Ujin në shtëpi po e përdorim vetëm për me pastru”, thotë për Kosovalive, 36 vjeçarja Ardita Gashi.
Edhe ata, të cilët frekuentojnë kafenetë e Prishtinës thonë se nuk e pinë ujin që ua servojnë me kafe.
“Nuk po guxoj me pi ujin që po ma sjellin me kafe, po e blej në shishe, edhe pse po thojnë tash që uji s’ka kurgjo”, tha Besarti, i cili po pinte një kafe në një nga lokalet në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë.
Por ka edhe nga ata qytetarë, të cilët pas njoftimit se uji në liqenin e Badocit nuk është i helmuar kanë vazhduar konsumimin e tij si zakonisht.
“Veç dje që u nal uji kena ble. Tash u pa që nuk është e vërtetë se uji është helmu, po te na në Kosovë i bojnë senet e mëdhaja”,thotë Ramadan Mustafa.
Gjatë fundjavës është vënë re një rritje e kërkesës për të blerë ujë të pijshëm, në marketet e kryeqytetit.
“Dje ka pas shumë shitje të ujit. Konsumatorët kanë kërkuar kompleta edhe bidona me ujë të pijshëm. E sot po duket që ka më pak se dje, pasi tash ka ujë”, tha për Kosovalive Albulena Zeqiri, shitëse në marketin “Dragstore”.
Të njëjtën gjë e konfirmojnë edhe shitësit në marketin “Maxi”.
“Dje gjatë ditës nuk ka pas ujë, njerëzit kanë kërku pak më shumë, sot ka vazhdu shitja e ujit normal, nuk ka ndonjë ndryshim”, pohon Linda.
Ndërkohë, policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë tek liqenet që furnizojnë kryeqytetin me ujë të pijshëm, me qëllim të parandalimit të sulmeve terroriste. Pas arrestimit të të dyshuarve për terrorizëm Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik analizoi mostrat e ujit të liqenit të Badocit, ku gjithçka rezultoi brenda normave të lejuara.
/Gentiana Morina “ Vajzë dëgjohu”/