Kosova/Kosovo
Albanian-Serb Information Exchange Forum
About Kosova/Kosovo
Faqja e internetit botohet në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht. Pas kësaj, në rend ishte edhe ambicia jonë për të hapur një dritare për krijimin e një kulture dialogu, diçka që u ka munguar shumë edhe shqiptarëve, edhe serbëve, gjatë përballjes së tyre në dy dekadat e fundit. Ne gjithashtu kemi dashur të ofrojmë edhe një hulumtim serioz dhe të hollësishëm rreth qëndrimeve të popullatës, për të dëgjuar dhe paraqitur se si njeriu i thjeshtë në rrugë – shqiptari dhe serbi – e shohin “anën tjetër”, dhe mënyrën se si e shohin ata të kaluarën dhe çka është më e rëndësishme, si e shohin ata të ardhmen. Në fund, ambicia jonë ishte të shkohet edhe përtej komunikimit elektronik, që të kemi sa më shumë ribotime dhe transmetime të materialit tonë në mediat shqiptare dhe serbe, të organizonim mbledhje dhe të sillnim bashkë gazetarët nga të dyja anët. Të punonim së bashku drejt arritjes së asaj që secili gazetar i përkushtuar e sheh si detyrë të tij parësore – të shkruarit për të vërtetën, e jo për njërën ose tjetrën palë.
Ku jemi… një vit më pas? Sa të suksesshëm ishim, cilat janë të arriturat, si dhe ku kemi ngecur dhe kemi arritur vetëm gjer në gjysmë të rrugës? Faqja e internetit po ecën fuqimisht, duke shënuar gjithnjë e më tepër suksese prej muajit në muaj. Ajo sjellë lajme dhe fotografi të cilësisë së lartë, ndonëse jo me ritmin e dëshiruar. Për shkak të mungesës së fondeve, ajo që fillimisht është menduar si faqe lajmesh me dy madje edhe tri edicione në ditë, deri tani ka pasur vetëm një edicion, që publikohet nga ora 14.00.
Suksesi ynë më i madh ishte ai në fushën editoriale. Faqja e internetit bashkë redaktohet nga KosovaLive në Prishtinë dhe Beta në Beograd, dhe çdo ditë të dy ekipet prodhojnë lajme në bazë të këtij vendimi të përbashkët redaktorial. Të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e çështjeve me të cilat do të përballemi, ne kemi caktuar një mekanizëm përmes të cilit CDRSEE do të ndërhynte dhe luante rolin e arbitrit në rast të ndonjë mospajtimi redaktorial. Jemi shumë krenarë për faktin që gjatë 12 muajve asnjëherë nuk ka pasur nevojë për ndonjë arbitrim të tillë. Aq më tepër, ka pasur raste kur artikujt e lajmeve janë nënshkruar nga të dy ekipet bashkërisht. Ne gjithashtu kemi ndërtuar një atmosferë miqësore të punës, të respektit të ndërsjellë në të dyja agjencitë e lajmeve, një akt jo i vogël në këtë kohë. Rezultati i përgjithshëm ishte krijimi i një faqeje interneti – burim i lajmeve, që nuk do të thotë se pëlqehet nga të gjithë, por që gëzon respektin e të gjithëve. Ndoshta pa qejfi n e të tjerëve, sidoqoftë respekti nuk ka munguar asnjëherë nga kolegët e mediave tjera, organizatave mediale dhe institucioneve politike.
Ku kemi ngecur? Përpjekjet tona për gjetjen e fondeve kanë qenë zhgënjyese, dhe si rezultat i kësaj ne as që kemi mundur të shkojmë më larg e as më thellë. Përkundër përpjekjeve tona, ne nuk kemi mundur të nxisim një mbështetje të duhur financiare nga bashkësia ndërkombëtare, apo të angazhojmë të dy qeveritë, ashtu siç do të kishim dëshiruar. Është sidomos për keqardhje, mungesa e angazhimit dhe mbështetjes financiare nga BE-ja dhe institucionet e saj. Ky projekt mbështet të gjitha ato për të cilat angazhohet BE-ja: Bashkëpunimi shumetnik, toleranca, vizioni dhe qëllimet e përbashkëta… megjithatë, nuk kemi arritur të gjejmë ndonjë përkrahje financiare nga BE-ja. E tërë kjo ka rezultuar me një projekt më modest, prej atij që nevojitet në këtë kohë të rëndësishme. Sidoqoftë, ne u jemi mirënjohës atyre donatorëve, UNESCO-së, FES-it, IFA-së, Soros, OSBE-së, Komisioneve të SHBA-ve për Demokraci, Trustit Ballkanik për Demokraci, të cilët besojnë në këtë veprim dhe na ndihmojnë që të çajmë përpara.
“Forumi”, vendi ku ne kemi shpresuar të themelojmë kulturën e dialogut, në fakt më tepër ka qenë vend për monologje konfliktuoze. Gjithmonë, e kemi ditur se kjo do të jetë pjesa më e vështirë e përpjekjeve tona. Sipas përkufizimit, dialogu përfshin të kuptuarit e pikëpamjeve dhe ndjenjave “të të tjerëve”. Brenda dhe përreth Kosovës, sot për sot kjo është e vështirë për t’u arritur. Në “bisedimet” e fundit të sponsorizuara nga KB, po shohim një përsëritje të dy monologjeve të ngulitura, e jo të kuptuarit e frikës, brengave dhe mendimeve thellësisht të rrënjosura të të tjerëve. Këto janë çështje që kemi shpresuar se do t’i adresojmë dhe përderisa të gëzuar vërejmë se kemi bërë disa hapa, ende jemi larg sa të themi se kemi korrur sukses. Kjo është një arsye që ne t’i dyfishojmë e jo t’i ndalim përpjekjet tona. Shpresojmë se ata donatorë dhe partnerë, të cilët i kanë mbështetur përpjekjet tona, do të kenë të njëjtën qasje.
E fundit por jo më pak e rëndësishmja, për shkak të mungesës së fondeve, nuk kemi arritur një “mutacion” të plotë nga sajbërhapësira në një botë reale, duke mbajtur mbledhjet e domosdoshme dhe të rëndësishme, si dhe konferencat e dialogut fillimisht ndërmjet gazetarëve, e më vonë edhe ndërmjet palëve të përfshira. Ne shpresojmë ta arrijmë këtë në vitin 2006. Pa marrë parasysh zgjidhjen politike për çështjen e statusit… shqiptarët dhe serbët ishin, janë dhe do të mbesin fqinj. Është koha të pimë nga një kafe së bashku. Vetë fakti i pirjes së filxhanit të parë mund të jetë kënaqësi.
Kelmend Hapciu
Ljubica Markovic
Nenad Sebek