Ka përfunduar me sukses sesioni i parë i projektit “Kosova-Serbia: Live” në Beograd, organizuar nga organizata jo-qeveritare KosovaLive Organisation, në Prishtinë, Kosovë dhe Nuns Press, në Beograd, Serbi (Asociacioni i pavarur i gazetarëve të Serbisë) nën mbështetjen e Bashkimi Evropian për mbështetjen e shoqërisë civile.
Ky trajnim është mbajtur nga data 20-22 mars, ku në dy ditët e para është diskutuar për hapat fillestar të gazetarisë hulumtuese, ligjëruar nga Agron Bajrami, kryeredaktor në të përditshmen “Koha Ditore” dhe Branco Čečen, drejtor i Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Serbi.
Ndërsa, në ditën e fundit të trajnimit u diskutuan tema të ndryshme të fokusuara në dialogun dhe marrëdhëniet Prishtinë-Beograd. Vladimir Todoric, nga New Policy Centre dhe sekretar ndërkombëtar i Partisë Demokratike në Serbi, foli për harmonizimin e interesit në dialogun Prishtinë-Beograd. Mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, në kontekstin Prishtinë-Beograd foli sekretari i përgjithshëm i ministrisë për Integrime Evropiane nga qeveria e Republikës së Kosovës, Demush Shasha.
Pjesa e dytë e kësaj ditë ishte rezervuar për bashkëpunimin kulturor në mes të dy shteteve. Për kulturën, si reflektim i shtetit dhe shoqërisë, foli Lola Joksimovic, eksperte e pavarur. Po ashtu u prezantua dhe festivali “Mirëdita, dobar dan!” nga Maja Stojanović nga Iniciativa qytetare së bashku me ekspozitën e familjes Bogujevci e mbajtur në Beograd kohë më parë, nga Danko Runić, organizator i ngjarjes.
Prezentimi i fundit u bë nga Nita Deda për festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtër dhe atij dokumentar “DokuFest”. Prezantimi i saj u fokusua në aktivitete shtesë të festivalit, që nxisin bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Serbisë dhe sa ky festival raportohet në media.
Në këtë trajnim morën pjesë gjithsej 16 gazetarë, 8 nga Kosova dhe 8 nga Serbia. “Zëri”, “Koha Ditore”, “Kosovo 2.0”, “RTV 21”, “Kosovalive360”, “Kohavision” dhe gazetarë të pavarur prezantuan Kosovën në këtë trajnim, ndërsa nga mediat serbe morën pjesë “Vreme”, “Novi magazin”, “Newsweek”, “Danas”, “BETA”, “FoNET”, “CINS” dhe “RTV Vojvodina”.
Sesioni idytë i këtij projekti do të mbahet në Prishtinë në fillim të muajit prill.