Organizata mediale KosovaLive para zgjedhjeve lokale të fund tetorit 2017 ka mbajtur tetë punëtori “Votuesit e ri për një të ardhme më të mirë” me të rinjtë të moshës 18 deri 22 të cilët votojnë për të parën herë, si një platformë ku ata do t’i identifikonin nevojat e tyre në komunat ku jetojnë, dhe e cila do të shërbente edhe si stimulim për pjesëmarrje në procesin e votimeve.
Në fokus të këtyre punëtorive interaktive votuesit e rinj janë njoftuar me programet e kandidatëve të cilët garonin në zgjedhje për kryetarë komunash dhe asambleistë, i kanë analizuar premtimet e tyre dhe kanë ngritur problemet me të cilat ballafaqohen ata dhe bashkëqytetarët e tyre.
Në çdo punëtori kanë marrë pjesë dhjetra votues të rinj të cilët në bashkëpunim me trajnerët kanë dekonstruktuar programet politike të kandidatëve për kryetarë komunash dhe nëse këto programe kanë pasur ndikim në orientimin e tyre politik.
Punëtoritë janë mbajtur në qendrat më të mëdha të Kosovës, përfshirë edhe ato me banorë shumicë serbe: Prishtinë, Graçanicë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Veriu i Mitrovicës, Pejë dhe Gjakovë. Të gjitha këto komuna dhe punëtoritë do të portretizohen veç e veç në javët në vijim.
Shpresë se vota, si obligim qytetar, mund të sjellë ndryshim
Komuna e Ferizajt sot llogaritet ndër komunat më të zhvilluara ekonomike në Kosovë. Në katër vitet e fundit numri i bizneseve është rritur, që ka siguruar një stabilitet social për dallim nga komunat e tjera në Kosovë, por qytetarët konsiderojnë se autoritetet komunale duhet të bëjnë shumë më tepër në mënyrë që të lehtësohet jeta e tyre e përditshme dhe të sigurohet perspektiva për të rinjtë.
Në punëtorinë e organizuar nga organizata mediale KosovaLive, “Votuesit e rinj – për një të ardhme më të mirë”, votuesit e rinj të Ferizajt kanë identifikuar problemet me të cilat ballafaqohet jo vetëm Ferizaj, por edhe 44 fshatra që i takojnë kësaj komune. Edhe në këtë, sikur në komunat e tjera, ata konsiderojnë se nepotizmi, respektivisht punësimi sipas vijave partiake është një prej problemeve që jo vetëm është vështirë të zgjidhet, por problem që është vështirë mund të besohet se cilido kandidat për kryetar të komunës mund t’i ndërprejë rrugën.
Gjatë punëtorisë votuesit e rinj ishin të ndarë në dy grupe dhe kanë identifikuar nga dhjetë probleme për të cilat konsiderojnë se autoritetet e reja komunale, respektivisht kryetari i komunës do të duhej të kishin si prioritet. Të dy grupet konsideronin se nuk ekzistojnë kushtet adekuate dhe se shërbimet në qendrat e mjekësisë familjare dhe spitalet e atjeshme janë të këqia, përfshirë edhe mungesën e mbrojtjes shëndetësore, infrastukturës shëndetësore, mungesën e barnave dhe problemin e higjienës.
Dy kandidatët kryesorë për kryetar komune, Muharrem Svarqa nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës, megjithatë në fushatat e tyre parazgjedhore janë kthyer edhe nga problem i ofrimit të shërbimeve cilësore shnëdetësore.
Kështu, Svarqa premtoi ndërtimin e spitalit rajonal dhe në kontekst të saj edhe kompleksin spitalor për trajtimin e diabetit. Agim Aliu po ashtu ka premtuar ndërtimin e Qendrës Rajonale spitalore dhe ndërtimin e dhjetra qendrave të mjekësisë familjare nëpër fshatrat e komunës së Ferizajt.
Megjithatë, disa votues të rinj kanë shprehur mendimin se problemi në shëndetësi në këtë komunë nuk mund ta zgjidhin vetëm autoritetet lokale, e as t’i realizojnë premtimet pa bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë.
Votuesit e rinj konsiderojnë se një ndër problemet e mëdha është mungesa e trafikut urban. Ata kanë theksuar se autobusët urbanë qarkullojnë rrallë në disa pjesë të qytetit dhe fshatrat, sikur edhe se autobusët janë shumë të vjetëruar. Janë të mendimit se këtë çështje do të mund ta zgjidhte kryetari i ri i komunës së Ferizajt.
Si problem të dytë, ata kanë veçuar atë të rrugëve të këqia dhe të kanalizimit dhe infrastrukturës ujore.
Gatishmnëria e votuesve të rinj që të jenë pjesë e procesit zgjedhor me shpresë se vota e tyre mund të sjell ndryshim, është vërejtur edhe gjatë punëtorisë së organizuar sikur edhe gjatë anketimit para dhe pas saj. Në pyetjen nëse do të marrin pjesë në zgjedhje 75 për qind e tyre është përgjigjur pozitivisht dhe përqindja e njëjtë e tyre ka dalë sërish në zgjedhje gjatë balotazhit në këtë komunë.
Gjatë analizimit të premtimeve dhe programeve të kandidatëve për kryetar të komunës Ferizaj ata fillimisht i kanë identifikuar kandidatët për kryetar komune, e pastaj kanë identifikuar nëse këto dy çështje të ngritura kishin prioritet.
Për kryetar të komunës së Ferizajt kanë garuar tetë kandidatë.
Krahas Muharrem Svarqës dhe Agim Aliut, kandidatë ishin Faton Topalli i Lëvizjes Vetëvendosje!, Xhavit Zariqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Berisha nga Nisma për Kosovën, Qazim Rrahmani nga komuniteti RAE, Bashkim Fazliu nga Iniciativa Qytetare për Ferizaj dhe Amir Rexhepi nga Aleanca për Kosovën e Re.
Dy kandidatët kryesorë, Muharrem Svarqa dhe Agim Aliu, për të cilët qytetarët e Ferizajt kanë votuar edhe në raundin e dytë më 22 nëntor 2017, në fushatat e tyre parazgjedhore po ashtu kanë përmendur angazhimin për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, të kanalizimit dhe ujësjellësit.
Nga 44 fshatra të komunës së Ferizajt, 31 ballafaqohen me problemin e mungesës së kanalizimit dhe të ujit të pijshëm. Svarqa konsideron se çështja e ujit të pijshëm mund të zgjidhet me hapjen e puseve nëpër fshatra.
Në fushatën e tij parazgjedhore ai vetëm e ka përmendur çështjen e ndërtimit të rrjetit të ujësjellësist. Në disa fshatra ndërtimi i ujësjellësit ka filluar qysh më 2011, por deri më tash asnjë projekt nuk ka përfunduar.
Sa u përket ujërave të zeza ai ka thënë se tashmë është duke u zhvilluar një projekt në bashkëpunim me Bankën Botërore, gjegjësisht ndërtimi i një impianti për mbledhjen e ujërave të zeza.
Nga ana tjetër, Aliu gjatë fushatës parazgjedhore kanë prezantuar tri projekte inafrastrukturore që i pagëzoi “Projekt për unifikimin e qytetit”. Bëhet fjalë për projektin e ndërtimit të dy nënkalimeve dhe një mbikalimi për këmbësorë për t’iu shmangur hekurudhës që kalon nëpër qytet. Aliu ka theksuar se këto projekte do të ndihmojnë në përmirësimin e kaosit urban në trafik dhe se këto në këto tri projekte do të investohen mbi tre milionë euro.
Me investimin në infrastrukturë Aliu parasheh zgjidhjen e problemet të ujësjellësit dhe ujërave të zeza. Ai ka premtuar se çdo lagje në qytet dhe çdo fshat do të ketë qasje në ujë dhe do të zgjidh çështjen e kanalizimit.
Megjithatë, ai nuk ka thënë sa do të mund të kushtonte një projekt aq i madh.
Pjesëmarrësit e punëtorisë, megjithatë kanë pasur dilema nëse me votën e tyre mund të ndryshojnë situatën aktuale në komunën e tyre.
Një prej pjesëmarrëseve të punëtorisë, votuese e re, Rreze Misini deklaroi:
“Duke marrë parasysh punën e partive të ndryshme dhe planprogramet e tyre për qytetin e Ferizajt, jam në dilemë. Pjesëmarrja në zgjedhje sipas meje tregon që jam pjesë e popullsisë së Kosovës dhe që vendos vetë për të mirën e vendit pa u ndikuar nga asgjë. Partitë e shumta dhe planprogramet pak a shumë të njëjta, blerja e votës në mënyra të ndryshme, korrupsioni janë ndër arsyet që unë i shoh si indikatorë të mospjesëmarrjes në zgjedhje”.
Lulëzim Hasani dhe Mirjeta Shehu konsiderojnë se votimi në zgjedhje është obligim qytetar. Ata kanë deklaruar se do të jenë pjesë e atij procesi.
Hasani, ndërkaq ka shprehur edhe mendimin se përfaqësuesit e zgjedhur nuk qëndrojnë pas premtimeve të tyre gjatë mandatit, e Mirjeta Shehu si problem ka veçuar mungesën e optimizmit se gjendja mund të ndryshohet dhe keqpërodimin e votave.
Ndryshe të drejtë vote në komunën e Ferizajt kanë pasur 108,561 qytetarë, e këtë drejtë kanë shfrytëzuar 40.72 për qind prej tyre. Kishte madje 651 fletëvotime të pavlefshme dhe 19 e të paplotësuara.
Në raundin e dytë ka fituar kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Aliu. Për të kanë votuar 24.384 qytetarë, gjegjësisht ka marrë 56.18 për qind të votave, ndërkohë që Muharrem Svarqa ka marrë gjithsej 43.82, gjegjësisht kanë votuar gjithsej 19 016 qytetarë.