Më datë 3 shkurt 2022, u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën “Mbrojtja e të drejtës autoriale në të ardhmen e gazetarisë”, të organizuar nga Kosovalive dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK.
Në këtë tryezë panelist ishin: Kelmend Hapçiu – Kosovalive, Krenare Sogojeva Dermaku – Komisionere për Informim dhe Privatësi, Ylli Zekaj – Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Blerta Iberdemaj –
Kallxo.com.
Në tryezë u paraqitën sfidat për mbrojtjen e të drejtës autoriale në Kosovë. Hapçiu nga Kosovalive foli mbi rëndësinë e ruajtjes së të drejtës autoriale.
Në tryezë u diskutua rreth zhvillimit të teknologjisë dhe se si tani jemi në një periudhë ku besueshmëria dhe privatësia do të vihen në pikëpyetje. U fol edhe rreth teknologjive të reja që po zhvillohen siç është Web 3.0. Sipas panelistëve ky lloj zhvillimi i teknologjisë mund të jetë i rrezikshëm dhe ne duhet të jemi të përgatitur.
Kurse, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Sogojeva foli edhe për keqpërdorimet e të dhënave personale që po ndodhin në Kosovë dhe sfidat e gazetarëve për qasjen në dokumentet zyrtare.
Ndërsa, Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, foli për pasojat gjyqësore në rast të shkeljes të së drejtës autoriale, dhe tregoi për monitorimin që bën ky institucion në proceset gjyqësore.
E shembuj të ndryshëm se si po menaxhohet aktualisht dhe sa sfiduese është e drejta autoriale në Kosovë u dhanë nga Zyrtarja Ligjore e
Kallxo.com, Blerta Iberdemaj.
Rekomandimet që dolën nga diskutimi i kësaj tryeze:
•Gjyqtarët duhet të jenë të trajnuar dhe të përgatitur për këtë temë (çështjet e të drejtave të autorit në gazetari) në mënyrë që të jetë më e garantuar që procedura të shkojë sipas ligjit.
•Prokurorët duhet të kenë trajnime adekuate dhe të jenë të njoftuar me këto tema (çështjet e të drejtave të autorit në gazetari) në mënyrë që të garantohet që procedura të shkojë sipas ligjit.
•Këshillet prokuroriale dhe gjyqësore në akademinë e drejtësisë të mbajnë trajnime për gjyqtarët dhe prokurorët për këto çështje.
•Të ofrohen trajnime dhe praktikë adektuate për gazetarët e rinj, në mënyrë që të evitohen gabimet që bëhen nga vetë gazetarët në fillim të karrierës.
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.