Build Skills with our trainings

Sign up now!

Sfidat e grave në fusha tradicionalisht të dominuara nga meshkujt

Tet 15, 2023

E stigmatizuan për zgjedhjen e saj për t’u bërë automekanike, gjë që e dekurajoi Dorentina Qerimin, që t’i vazhdojë studimet në shkollën teknike për këtë profesion.

Por, duke i thyer gjitha paragjykimet, Dorentina rrëfen për KosovaLive se tash e 5 vite ushtron profesionin e automekanikes në Ferizaj.

“Rrugëtimi im nisi si një ndihmëse e babait tim, aty filloi të ma donte zemra punën me vetura dhe rregullimet e veturave. Babai im ishte mësuesi im. Në atë kohë unë regjistrova shkollën e mesme teknike për automekanikët po për shkak të paragjykimeve u detyrova ta ndërprerja shkollimin dhe vazhdova të punoja si ndihmëse e babit. Për shkak të problemeve shëndetësore të babit unë fillova pastaj edhe punën si automekanike”, rrëfen ajo.

Ajo thotë se shpesh ka marrë komente të llojit “ti nuk je për këtë punë”, “nuk i ka hije një gruaje të jetë automekanike”, “t’i nuk ke forcë”, etj.

“Si popull paragjykues që jemi shpesh jam ndier shumë e ofenduar nga këto fjalë”, thotë Dorentina teksa shton se ndonëse ishte lodhur nga këto paragjykime, nuk ishte dorëzuar asnjëherë dhe vazhdon ta bëjë me pasion e dashuri këtë punë.

Të njëjtin stereotip se profesionet kanë gjini, e ka thyer edhe Laura Mirena, e cila tash e sa vite punon si shofere në Trafikun Urban të Prishtinës.

Ajo kishte pasur ëndërr të kamotshme vozitjen e autobusit, por pavarësisht pasionit dhe dëshirës shpresat kanë qenë të vogla që kjo ëndërr një ditë të bëhet realitet.

”Që nga fëmijëria kam pasur pasion për automobilistikën, në veçanti autobusin dhe motoçikletën. Për ta arritur këtë qëllim në atë kohë shpresat kanë qenë të vogla por dëshira dhe vullneti im ka qenë shumë i madh për të arritur pikësynimin tim. Fatmirësisht me kalimin e viteve, puna dhe angazhimi im kanë bërë që unë ta bëjë ëndrrën realitet”, thotë Laura për KosovaLive.

Pavarësisht që Laura ka pasur përkrahjen e familjes, ajo është përballur me paragjykime të shumta gjatë rrugëtimit të saj nga gjitha anët.

“Familja ime ka qenë gjithmonë ajo që më ka mbështetur dhe inkurajuar në çdo aspekt të jetës duke më thënë që kam aftësi për ta zotëruar këtë profesion. Në fillim kam pasur paragjykime të shumta. Është vështirë punësimi dhe vozitja e një autobusi nga një grua në Kosovë, prandaj  duke u nisur nga shembulli im, unë dua ti inkurajoj dhe të ju  bëjë thirrje të gjithë të rinjve që të mos dëshpërohen dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre”, thekson ajo.

 

“Ata duhet të vazhdojnë të punojnë shumë deri në arritjen e qëllimeve që kanë dhe të korrin sukseset e atyre qëllimeve, pa marrë parasysh sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë rrugëtimit të tyre”, përfundoi ajo.


Diskriminimet gjinore që hasin gratë në tregun e punës

Ndonëse në numër të vogël, edhe ato pak gratë që përfshihen në tregun e punës në Kosovë, hasin në një diskriminim tjetër, që ndërlidhet me të drejtën e tyre për ta shfrytëzuar pushimin e lehonisë.

Për këtë temë ka folur edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala i cili tha se ky është një dsikriminim ndaj gjinisë femërore ndaj të cilit shteti nuk ka arritur të intervenoj sa duhet.

“Sektori publik e sidomos ai privat heziton të punësojë gratë që janë të martuara ose janë shtatzëna pasi që u duhet të paguajë pushimin e lehonisë. Këtu është një diskrimimim ku shteti nuk ka intervenuar si duhet dhe sa duhet”, thotë Shala për Kosova Live.

Ndërkohë deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj  në një prononcim për KosovaLive konsideron se ekzistojnë barriera për gratë në tregun e punës porse po punohet në favor të grave.

“Gratë kanë hezitim për me pas qasje direkte në tregun e punës por me kohë këto janë duke u tejkaluar. Jemi duke bërë ligje të mira, ligje jo diskriminuese por ligje që janë në favor për gratë qoftë në tregun e punës qoftë edhe në pjesëmarrjen e tyre në jetën politike e shoqërore”, ka theksuar Kadriaj.

Ndërkaq Arjeta Maka organizatore në organizatën “Gruaja Hyjnore” ka thënë që ligjet, kultura, feja dhe politika janë të ndërtuara mbi bazë patriakale andaj gratë ballafaqohen me shumë sfida në tregun e punës..

“Megjithëse gratë në Kosovë përfaqësojnë një pjesë të vogël të pronarëve të bizneseve që  tregon se bizneset e tyre janë pjesë përbërëse e rëndësishme e strukturës socio-ekonomik sepse Ligjet, kulturat, feja dhe politika janë ndërtuar të gjitha mbi bazën patriarkale dhe grave nuk u mbetet gjë veçëse të përballen me këtë sfidë shumë të madhe. Edhe pse në ditët e sotme një pjesë e madhe e ligjeve dhe politikave kanë tentuar që jo vetëm grave për të gjithëve t’u krijohet një mjedis biznesi sa më i favorshëm, aktualisht një pjesë e madhe e këtyre ndryshimeve ende nuk janë zbatuar”, tha ajo.

Maka shtoi se dallimet gjinore që sot ekzistojnë në treg të punës janë për shkak të besimeve në stereotive të ndryshme. Sipas saj, fuqizimi ekonomik i grave është kusht për zhvillimin e një vendi.

“Dallimet gjinore në tregjet e punës në baza gjinore në ditët e sotme janë të ndara.  Kjo ndarje  gjinore në karrierë ndodhë për shkak të besimeve në steroetipe se punojnë më mirë se gratë midis perceptimeve mbi profesionet specifike si. psh arkitekturë , programere, inxhiniere elektrike, ushtare, police, politikë etj. Fuqizimi ekonomik i grave duhet të jetë primar e në qendër të vëmendjds sepse  pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë e grave në ekonomi është një hap jetik drejt arritjes së një zhvillimi të qëndrueshëm në vend”, thekson ajo.

Profesori Kadri Sylejmani nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, thotë se viteve të fundit dukshëm është rritur interesimi i gjinisë femrore për të studiuar në këtë fakultet e sidomos në programin “Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike” .

Në fakt, interesimi i vajzave për të studiuar në FIEK është në rritje të qëndrueshme në vitet e fundit. Ne kemi vënë re një ndryshim pozitiv të ndjeshëm në numrin e vajzave që aplikojnë për programe të ndryshme në fakultetin tonë. Në veçanti në programin e studimit ‘Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike’ ka një interesim gjithnjë e më shtuar të vajave për të studiuar në këtë drejtim. Me siguri, këtu ndikim të madh ka zhvillimi i fushës së kompjuterikes në vend dhe mundësitë shumë të favorshme për punësim. Po ashtu, mendoj që edhe programi i bursave i qeverisë për fushat STEM ka pasur ndikim në dy vitet e fundit”, shtoi ai.

Sipas Sylejmanit stereotipet gjinore janë një realitet i përhapur në shoqërinë tonë, dhe ato kanë ndikim në zgjedhjen e drejtimeve të studimit nga studentet.

“Në shumë raste, vajzat mund të ndikohen negativisht nga stereotipet që i vendosen disa drejtimeve, duke i kufizuar ato në zgjedhjen e fushave tradicionalisht të cilat cilësohen si gjoja ‘të papërshtatshme për vajzat’. Unë nuk kam vërejtur që ka diçka të tillë prezentë në FIEK. Sidoqoftë, është e rëndësishme të punojmë në ndryshimin e këtyre stereotipeve dhe të inkurajojmë të gjitha studentet, pavarësisht gjinisë, të zgjedhin drejtimet e studimit sipas interesave dhe pasionit të tyre”.

 

Tregu i punës, jofavorizues për gratë

Ndërkaq edhe tregu i punës vazhdon të reflektojë ndarjen e profesioneve në bazë të gjinisë, ku si rezultat vazhdon përfaqësimi i lartë i grave (49,7%) të punësuara në sektorin e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, profesione të cilat konsiderohen tradicionalisht të përshtatshme për gratë.

Përveç kësaj,  gratë janë pre e stereotipeve tradicionale, që ende janë në mesin tonë dhe u pamundësojnë atyre një punë me orar të plotë.

Raporti i organizatës jqeveritare D4D-së për Rritjen e Qasjes së Grave në punësim, tregon se ndarja e përgjegjësive lidhur me angazhimet familjare dhe kujdesin ndaj familjes vazhdojnë të reflektojnë pabarazi të thellë, e cila reflekton në mundësinë e grave për qasje në punë me orar të plotë.

Statistikat tregojnë se në vitin 2020, 25% e grave punojnë me orar të pjesshëm për shkak të angazhimeve familjare në krahasim me vetëm 2.3% të burrave.

Ndërkohë, sipas Agjencisë se Statistikave të Kosovës, në bazë të numrit të përgjithshëm të studenteve, të cilët ndjekin arsimin e lartë në nivelin Bachelor, në vitin 2012/2022, vërehet diferencë e madhe gjinore në fushën e arsimit, ku nga 4 mijë e 352 studentë, 92.6% janë femra dhe 7.4% janë meshkuj.

Sipas Barometrit të Tregut të Punës në Kosovë del se 1 mijë e 281 e të diplomuarve në arsimin e lartë janë femra, ndërkaq vetëm 734 e të diplomuarve në arsimin e lartë janë meshkuj.

Kjo tregon se gratë janë më të arsimuara se burrat, por kjo nuk reflektohet në raport me punësimi. Sipas Barometrit të Tregut të Punës në Kosovë, shkalla e punësimit është 42.8% e të punësuarve janë meshkuj ndërkaq vetëm 14.1% e të punësuarve janë femra.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë Gjermane.

 

Ardona Popova është në fazën e përfundimit të studimeve Bachelor në Gazetari në Universitetin e Prishtinës. Ajo është një pasionante e fushës sëgazetarisë dhe është e përkushtuar për të zhvilluar dhe pasuruar shkathtësitë e saj në këtë fushë.

 

 

Artikulli është realizuar në kuadër të programit Internship & Mentorship të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin”.

Ky program implementohet nga KosovaLive dhe mundësohet nga SustainMedia, një projekt i GIZ, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI