Build Skills with our trainings

Sign up now!

Taksa e “zezë” për gratë kosovare

Dhj 4, 2023

Të paktën 5 euro në muaj shpenzon një grua për blerjen e produkteve menstruale në Kosovë, për të cilat paguan dhe TVSH, ndonëse tash e shumë kohë po kërkohet që kjo tarifë të largohet. Në total i bie se një grua përgjatë një viti për produktet menstruale që janë nevojë e pashmangshme për të paguan, rreth 60 euro.

E teksa organet shtetërore s’e kanë në plan heqjen ose uljen e taksës, kjo shumë është e lartë, krahasuar me numrin e ulët të punësimit të grave në Kosovë. Sipas Agjensionit të Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm 15.9 e grave në Kosovë janë të punësuara.

Në ndërkohë sipas Organizatës jo qeveritare, “EcoKos Women”, një familje mesatare në Kosovë shpenzon 10.3 euro në muaj për produktet menstruale.

E teksa në shumë vende të botës ka nisur praktika që gratë gjatë ciklit menstrual të lirohen në pushim mjekësor, një gjë e tillë ende nuk është as temë diskutimi në Kosovë.

 

Sfida mujore e grave

Xhylferie Begaj nga Malisheva thotë se trupi i saj e përballon me vështirësi ndryshimin që ndodhë në trupin e saj gjatë ciklit menstrual.

Ajo shprehet se e ka shumë të vështirë të punojë gjatë kësaj periudhe dhe shpesh ajo detyrohet të shkojë në shtëpi pa e përfunduar orarin e punës.

“Kam dhimbje shpine, barku, dhimbje koke dhe ndryshim të humorit, e krejt këto ndikojnë që unë nuk mundem më u koncentru në punë”, thotë ajo për KosovaLive.

Për pothuajse një vit ajo bën punën e njëjtë në një market, ku i kërkohet që t’i ndihmojë njerëzit në kryerjen e pagesave, gjë që e bënë duke qëndruar në këmbë kryesisht, gjatë orarit 8 orësh.

“Në ditën kur më vjen cikli kam dhimbje të mëdha, s’mundem me qëndru as ul dhe as në këmbë, më duhet të nderpresë punën dhe të marrë leje që të shkojë në shtëpi”, theksoi ajo.

Në vendin ku ajo punon nuk ka ndonjë rregullore që vajzave dhe grave u ofrohet pushim menstrual, megjithatë ajo bëri të ditur që gjejnë mirëkuptim për lirim nga puna gjatë kohës kur ato përjetojnë ciklin menstrual.

Ndërkohë sipas një hulumtimi të kryer nga Woman’s Health Concern (OJQ që vepron në Angli dhe është e foksuar në shëndetin e grave) rreth 80 për qind e grave përjetojnë dhimbje menstruale gjatë ciklit menstrual qysh nga adoleshenca e hershme deri në menopauzë, shumica e grave përjetojë disa sosh shqetësimesh gjatë menstruimit-vecanërisht në ditën e parë, si dhe 5 deri ne 10 për qind e grave përjetojnë dhimbje aq të mëdha sa mund të prishën jetën e tyre.

 

Çka ndodhë me trupin e gruas gjatë ciklit menstrual?

Por çka realisht ndodh me trupin e gruas gjatë ciklit menstrual, dhe si manifestohen dhimbjet e këtij procesi, tregon për KosovaLive gjinekologia Drita Kabashi. Ajo  thotë se dhimbjet manifestohen në forma të ndryshme varësisht nga hormonet, gjenet e shumë cka tjetër.

“Cikli menstrual është një funksion i ndërlikuar i hormoneve dhe organeve riprodhuese te vajzat dhe gratë. Zakonishtë cikli i parë fillon diku në moshën trembëdhjetë vje 135are dhe cikli mbaron rreth moshës pesëdhjetë-pesëdhjetë-e-pesë vjeçare. Cikli paraqitet çdo muaj nga njëzet e një deri në tridhjetë e pesë ditë dhe zakonisht zgjatë katër deri ne shtatë ditë. Disa e kanë ciklin më të shkurtër disa më të gjatë, disa kanë gjakderdhje më shumë disa më pak, e kjo varet nga shumë faktorë si hormone, gjenetika, e shumë të tjerë… Shumë vajza dhe gra mund të përjetojnë edhe dhimbje”, bën të ditur ajo.

Ka raste kur disa vajza dhe gratë përjetojnë dhimbje shume të mëdha dhe janë të detyruara të përdorin medikamente.

“Në disa raste cikli përcillet edhe me dhembje të mëdha ashtu që vajzat apo gratë kanë nevojë për medikamente kundër dhembjeve. Arsyet janë të shumta si cysta të ndryshme apo myomet që formohen në mitër apo edhe endometrioza e cila gjithashu mund të shkaktojë dhimbje gjatë ciklit. Inflamacionet apo pezmatimet e vezoreve apo në përgjithësi të organeve riprodhuese mund të shkaktojnë dhembje gjatë ciklit”, thekson gjinekologia.

Gjinekologia e sheh shumë të rëndësishme pushimin gjatë ciklit menstrual. Kjo sipas saj është një domosdoshmëri që vajzat dhe gratë të lirohen nga shkolla apo puna në javën kritike.

 

Çmimet e papërballueshme për gratë e papunësuara

E përpos sfidave shëndetësore, aspekti financiar për ciklin menstrual ka gjithashtu rëndësi. Çmimet e produkteve menstruale që gratë i kanë të domososhme në Kosovë janë të larta. Për një pako me peceta menstruale çmimet sillen prej 1 deri në 5 euro.

Aktivistja, Lëndina Balaj, konsideron se këto produkte janë shumë larg lluksit si dhe çmimi i vendosur për këto produkte është i papërballueshëm për shumicën e grave.

‘’Duke pasur parasysh se vetëm 15,9 për qind e grave janë të punësuara në Kosovë, ndërsa rreth 80 për qind nuk kanë të ardhura mujore por kanë nevojë për këtë produkte esenciale, shumica nga to detyrohen të përdorin materiale të ndryshme, për të mbuluar nevojat e tyre”, thotë ajo për KosovaLive.

Edhe në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Veprim në Kosovë “Qika” e konsiderojnë të padrejtë taksën që aplikohet mbi këto produkte.

“Duke konsideruar faktin se rreth 78.6 për qind e grave janë jashtë tregut të punës, taksa e vendosur mbi produktet menstruale rëndon padrejtësisht mbi to, duke u tatuar nga shteti si produkte te luksit, shumë gra kanë problem të sigurojnë qasjen në produktet menstruale për shkak të cmimve të larta të tyre”, thonë në një përgjigje me shkrim nga “Qika”.

Nga kjo qendër theksojnë se gjatë lobimit tek institucionet për heqjen e taksës, është hasur në hezitim për të punuar në këtë drejtim.

Se sa e rëndësishme është heqja e taksës nga produktet menstruale e potencon dhe Behxhet Shala kryetar i Këshillit për Mbrotjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriu (KMDLNJ).

Sipas tij, kjo kërkesë madje është modeste dhe s’do duhej të përbënte problem.

“Kjo kërkesë e organizatave të grave është modeste dhe nuk do të duhej të paraqiste fare problem në përmbushjen e saj po të mos ishte në pyetje interferimi dhe përpjekja per te perfituar politikisht nga pushteti aktual. Nga TVSH duhet të lirohen edhe kategori te tjera dhe jo vetëm gratë në rastin konkret”, theksoi ai

 

Deputetët pro, por Qeveria hesht kundrejt kërkesës për heqjen e taksës për produktet menstruale

KosovaLive ka kërkuar  një përgjigje edhe nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve  lidhur me heqjen e TVHS-së nga produktet menstruale, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Në anën tjetër kërkesa për heqjen e TVSH-së për produktet menstruale përkrahet nga deputetet gra pa dallim partie.

Në një përgjigje për KosovaLive deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku thotë se këto produkte duhet dhuruar falas për gratë që janë nga familjet e skemave sociale.

“Menstruacionet janë çështje biologjike, që kanë efekte afatshkurtra dhe të vazhdueshme në sferën e ndryshimeve në organizëm e fushën emocionale, si edhe në çështjet financiare, pasi janë të përmuajshme dhe fillojnë mjaft herët në pubertetin e vajzave, e që duhen liruar qoftë nga TVSH-ja, qoftë edhe dhurim falas për të gjitha vajzat e familjeve që janë në skema sociale”, thekson ajo.

Gjithashtu, ajo konsideron se Kosova është larg një standardi që ua ofron grave pushimin menstrual.

“Sa i përket pushimit, vendet me standard të lartë ekonomik, barazisë sociale dhe barazisë gjinore, po bëjnë politika sa më të favorshme për vajzat e gratë, duke mirëkuptuar edhe ndryshimet biologjike. Kosova ende është larg këtij standardi. Bizneset refuzojnë. Shteti ende ka shumë probleme esenciale se si e lufton dhunën në familje e feminicidin, pra, ne ende jemi larg, por përpjekja duhet të jetë sistematike”, përfundon ajo.

Edhe deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, e cila me profesion është mjeke, thotë se do duhej të lejohej edhe pushimi për gratë që kanë nevojë gjatë ciklit .

‘’Cikli menstrul te disa gra është më i komplikuar te disa është diçka krejt e zakonshme, ajo që ka komplikime ajo që ka dhimbje që ballafaqohet me ndërlikime duhet të ketë mundësinë për pushim mjekësor gjatë kësaj periudhe”, tha ajo.

Kujtojmë se Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), në maj të vitit 2022, përmes një fushate, rekomandoi heqjen e taksës nga produktet mensturale. RrGK përmes kësaj fushate synoi të informojë qytetarët për rëndësinë e zbatimit të politikave gjinore në vendosjen e taksave për produktet menstruale, si dhe theksoi ‘’rëndësinë e veçantë që merr kjo në rastin e Kosovës – duke ditur se vetëm 15.9% të grave në Kosovë janë të punësuara’’.

Produktet menstruale nuk tatohen vetëm në Kosovë, një gjë e tillë është prezente edhe në vendet tjera të rajonit: në Shqipëri dhe Serbi këto produkte tatohen me 20 për qind, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë produktet menstruale tatohen me 17 për qind.

Megjithatë në disa vende të rajonit ka pasur ulje të TVSH-së në këto produkte si në Maqedoninë e Veriut ku në këto produkte nga dhjetori i vitit 2022 është ulur norma nga 18 për qind në 5 për qind, Mali i Zi nga fillimi i vitit ka ulur TVSH-në  nga 17 për qind në 5 për qind,  Kroacia nga prilli kaluar ka ulur vlerën e TVSH-së në 13 për qind nga 25 për qind sa ka qenë më parë si dhe Sllovenia vitin e kaluar  ka ulur vlerën e TVSH-së në pecetat higjenike dhe produktet tjera menstruale nga 22 për qind në 9.

Edhe Komisioni Evropian, ka propozuar të lejojë shtetet anëtare të heqin tatimin mbi produktet menstruale, duke hequr një kërkesë aktuale për një normë TVSH-je minimale prej pesë për qind.

 

Shkurta, 22 vjeçe, është në vitin e fundit të studimeve në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Ka pasur një eksperiencë studimore për një semester në SHBA në Providence Christian Academy në vitin 2018, me fokus në Liderësi (L2 – Leadership). Gjithashtu, ka marrë pjesë në një trajnim në Poloni me temën “Dystopiality,” i cili ishte i fokusuar në fushën e mediave, duke trajtuar çështje si Fake News, Media, dhe Gjinia, në vitin 2023.

Artikulli është realizuar në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin,”

 

Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI