Build Skills with our trainings

Sign up now!

Tymit vrastar të kryeqytetit s’po i gjendet zgjidhje

Dhj 4, 2023

Ajri i ndotur në kryeqytet tashmë është bërë përditshmëri e zakonshme, teksa me një situatë të njëjtë ballafaqohen edhe shumë komuna tjera të Kosovës. Sipas ekspertëve të mjedisit, janë termocentralet ato që më së shumti e ndotin ajrin, teksa ekspertët shëndetësor ngrisin alarmin për sëmundjet kronike që vijnë nga ky ajër.

Ata që më së shumti atakohen nga kjo janë banorët e këtyre zonave.

Jetlira Ademi nga Prishtina ka rrëfyer për KosovaLive se vitin e kaluar e ka pësuar shumë keq nga ndotja e ajrit, duke u bllokuar në organet e frymëmarrjes. Ajo beson se nëse nuk ka përmirësim të gjendjes, duhet të barten maskat.

“Ndotja e ajrit në Prishtinë, është gjithmonë evidente, mirëpo gjatë sezonit të dimrit, ky problem bëhet më serioz. Vitin e kaluar kam pasur rastin që gjatë studimeve në Prishtinë, gjatë dimrit jam infektuar në organet e frymëmarrjes shumë keq. Disa kohë kam pasur probleme të tilla nga ndotja e ajrit. Mendoj që ky problem duhet të merret me seriozitet nga qeveria, dhe të ndërmerr masa në përmirësimin e situatës. Në të kundërtën, bartjen e maskave e shoh të domosdoshme”, tha Ademi.

Të njëjtin mendim e ndan edhe Valdrin Kadriu, banor i kryeqytetit.

“Tash që po vjen sezoni i dimrit, për shkak të tymit ajri bllokohet, edhe vazhdimisht kam problem me teshtitje dhe bllokim. Sidomos mbrëmjeve, vetëm me pas dicka shumë me rëndësi se e shmang daljen jashtë, për shkak se po më mundon shumë ajo ndotje e ajrit. Shpresoj që këtë vit, po thonë ka me pas reduktim të përdorimit të qymyrit, e po mbaj shpresë që gjendja e ajrit ka me qenë më e mirë. Ta shohim”, thotë Kadriu.

Elvira Veliqi thotë se sezonin e dimrit ajo edhe familja e saj mundohen ta kalojnë në vende malore për t’i ikur ndotjes së ajrit në zonat e ulëta.

Në cilësinë e ajrit në Kosovë janë shumë faktorë të tjerë përveç termocentraleve. Nuk e di pse nuk po merren masa adekuate para se të bëhemi shteti më ajrin më të ndotur në Evropë. Sidomos sezoni i dimrit është e papërballueshëm.  Unë dhe familjarët mundohemi që sa më shumë kohë të kalojmë në zona malore për ajër më të pastër. Pra veç me i ikë ndotjes”, thotë Veliqi.

Pulmologu, Besim Morina rendon pasojat kryesore që i shkakton ajri i ndotur në shëndetin e njeriut, teksa sipas tij sëmundjet kronike janë të paevitueshme.

“Pasojat e tymit dhe ndotjes së ajrit mund të jenë të afatshkurtra dhe reflektohen në përkeqësimin e sëmundjeve kronike si bronhiti, astma, sëmundjet tjera kronike të mushkërive e zemrës. Po ashtu, efektet e dëmshme janë edhe afatgjata, dhe paraqiten pas shumë viteve të ekspozimit tonë në ndotje, në formë të zvogëlimit të funksionit të mushkërive, zhvillimit të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe problemeve tjera. Studimet tregojnë që vendet me ndotje më të lartë kanë numër më të madh të sëmundjeve respiratore, kardiovaskulare e kanceroze”, ka thënë për KosovaLive Morina. 

Ai thekson se personat më të rrezikuar nga ndotja e ajrit janë ata me sëmundje kronike të mushkërive apo zemrës, duke përfshirë edhe gratë shtatzëna dhe fëmijët.

“Të gjithë njerëzit rrezikohen, varësisht nga koha e ekspozimit, mirëpo grupet më të rrezikuara janë njerëzit me sëmundje kronike të mushkërive, zemrës e tjera, pasi vjen deri të përkeqësimi i sëmundjeve të tyre. Po ashtu grupe të rrezikuara janë edhe fëmijet e shtatzënat. E vetmja mënyrë e mbrojtjes është që të shkurtohet koha e ekspozimit në ndotje të ajrit, kështu në ditët dhe orët me nivele të larta të ndotjes rekomandohet të mos qëndrojmë jashtë, t’i mbajmë dritaret e dhomave të mbyllura në mënyrë që të zvogëlojmë mundësinë e thithjes së ajrit të ndotur”, potencon Morina. 

 

Dioksidi i karbonit “kanceri” i ajrit

Në anën tjetër eksperti i mjedisit, Zeqir Veselaj rikujton se një nga ndotësit më problematik është dioksidi i karbonit i cili po ndikon në ngrohjen globale.

Veselaj theksoi se ajri që thithin qytetarët, reflekton në shëndetin e tyre.

“Një nga ndotësit më problematik është pa dyshim dioksidi i karbonit si gaz me efektin serrë, i cili edhe pse nuk ndikon në shëndet, është gaz që po e ngrohë klimën globale dhe po shkakton ndryshimet klimatike. Dioksidi i sulfurit, oksidet e azotit, thërrmiat e imta, tymi e pluhuri janë të gjitha gaze me ndikim respektiv në shëndetin e njeriut, varësisht prej shkallës së shkarkimeve. Gjithashtu edhe pluhuri me mbetje të djegies, metale të rënda e të ngjashme reflekton në cilësinë e rënduar të ajrit ambiental që thithin qytetarët. Ajri që thithim e reflekton shëndetin: sa më i rënduar me ndotje, shëndeti publik më i cenueshëm”, thotë Veselaj.

Ndërsa si masë ideale për të minimizuar ndikimin e termocentraleve në shëndetin e njeriut dhe në mjedis, Veselaj thotë se do të ishte ideale mbyllja e blloqeve të KEK-ut kur të kalojnë afatin e jetesës së tyre.

“Sigurisht se në një situatë ideale kur blloqet e KEK-ut kanë kaluar afatin e jetës së tyre ishte dashur të mbyllen. Por, pasi në mungesë të alternativave më të shpejta kjo nuk është  e mundshme, duhet të punohet në zbutjen e pasojave nga shkarkimit e tyre siç janë vendosja e filtrave, rritja e gjelbërimit në zonat e ndikimit etj. Dhe si zgjidhje strategjike afatgjate e shtetit rritje e investimeve publiko-private në burimet e ripërtritshme të energjisë si era dhe dielli, që tashmë kanë filluar të ndodhin. Sa më shumë energji nga burimet e pastra si dielli dhe era, bie nevoja për energji nga fosilet që nënkupton më pak ndotje”, tha eksperti i mjedisit.

Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), që është e licencuar për prodhimin  e energjisë elektrike asaj termike dhe eksploatimin e thëngjillit thotë se edhe përkundër teknologjisë së vjetruar, prioritet e kanë fushën ambientale.

“Megjithatë, përkundër vështirësive ditore te operimit si pasojë e teknologjisë se vjetërsuar, prioritet ka edhe fushën ambientale dhe në këtë drejtim në vazhdimësi ka realizuar dhe ka si objective projektet që ndikojnë në përmirësimin e mjedisit”, thotë për KosovaLive Bucolli.

Lidhur me minimizimin e ndotjes nga termocentralet e KEK-ut, Bucolli tha se kanë përfunduar me sukses disa cikle të investimeve në projektet e ambientit.

“Projektet Ambientale – 2012 – 2014 – kanë përfunduar me sukses – cikli i investimeve disa vjeçare në projektet e ambientit në vlerë prej 60 milionë euro, ku hyn ndërrimi i elektro-filtrave të Termocentralit Kosova A (sipas matjeve, nga ajo kohë TCA në mesatare nuk i tejkalon parametrat e parapara me direktivat e BE-së), mbulimi i ish-deponisë së hirit të TC-A-së (mbi 250 hektarë), transporti hidraulik i hirit etj. Projektet e lartcekura ambientale kane filluar në vitin 2012. Përveç projektit të mbulimi të ish-deponisë së hirit, i cili ka përfunduar ne vitin 2016, te gjitha projektet tjera kane përfunduar në vitin 2014”, thotë Bucolli.

Bucolli bën të ditur se nga viti tjetër do të fillojnë edhe me punimet për zëvendësimin e elektrofiltrave dhe masave për reduktimin e oksidit të azotit të njësive B1 dhe B2 të Termocentralit Kosova B.

Të pyetur se çka janë duke ndërmarrë për parandalimin e kësaj situate, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, thonë se po bëjnë përpjekje për reduktimin e qymyrit.

“Qeveria e Kosovës ka hapur pa fund thirrje dhe ankande  për instalimin e plantazheve të solarëve dhe atyre me erë. Pak a shumë kjo është në atë drejtim duke quar zëvendësimin  e prodhimit të energjisë me fosile me energjinë e ripërtëritshme, e cila po ndodhë përditë, nuk ndodhë përnjëherë, është shumëe vështirë. Në vazhdojmë të kemi një varshmëri shumë të madhe  nga qymyri, me politikat e tilla çfarë po krijon qeveria, eventualisht do të krijohet një mundësi për reduktimin e përdorimit të qymyrit“, thotë zëvendësministri Avni Zogiani.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaLive, Ministria e Ekonomisë ka thënë se sipas strategjisë së Energjisë së Kosovës, përdorimi i thëngjillit do të zëvendësohet gradualisht me teknologji të reja inovative.

“Sipas Strategjisë se Energjisë se Republikës së Kosovës 2022-2031,  kapacitetet e reja të BRE-ve, me teknologjitë ekzistuese dhe inovative do të zëvendësojnë gradualisht përdorimin e thëngjillit, duke pasur si objektiv që të arrihet neutraliteti ndaj klimës nga sektori i energjisë deri në vitin 2050 sipas zotimeve në Samitin e Sofjes 2020 për  vendet e Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në sektorin e energjisë elektrike do të rritet, ku në Strategji të Energjisë caku deri në vitin 2031 i kapaciteteve totale të ripërtëritshme në sektorin e energjisë elektrike është 1600 ME duke i përfshirë dhe prodhuesit vetë konsumues dhe kapacitetet aktuale te BRE-ve”, thuhet në një përgjigje të ME-së.

Sipas ME-së, kjo strategji parasheh që dy njësi të Termocentralit “Kosova A” të mbyllen deri në vitin 2031. Krahas kësaj, Ministria e Ekonomisë ka planifikuar edhe rinovimin e këtyre njësive në të ardhmen.

“Gjithashtu, sipas Strategjisë se Energjisë 2022-2031 një apo dy njësi të Termocentralit ‘Kosova A’ do të mbyllen deri në vitin 2031. Njëra nga njësitë do të rinovohet deri në fund të vitit 2024, ndërsa vendimi për rinovim ose mbyllje të njësisë së dytë do të merret më së voni më 2024. Njësia (njësitë) e rinovuar(a) do të punojnë si rezervë strategjike nga viti 2028 të cilat do të jenë në dispozicion gjatë sezonit të ngrohjes ose në raste të jashtëzakonshme si kriza e fundit energjetike. Kurse, njësia e tretë operuese e këtij termocentrali do të mbyllet përgjithmonë pasi të ketë përfunduar rinovimi i njësive të tjera të linjitit”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë.

Ndryshe, nga monitorimi që Instituti Hidrometeorologjik i ka bërë ajrit në vitin 2022 ka rezultuar që ka pasur tejkalim të vlerave maksimale të lejuara në disa parametra dhe kjo kryesisht ka ndodhur gjatë sezonit të dimrit.

Në këtë monitorim kanë qenë edhe Termocentrali A, B si dhe Feronikel-i si dhe operatorë të tjerë ndaj të cilëve është bërë vlerësimi për emisionet ndotëse të cilat i shkaktojnë ata.

“Në termocentralet A&B, emisionet ndotëse të shkarkuara, si pluhuri, SO2 dhe NOX, janë regjistruara mbi vlera të lejuara gjatë gjithë vitit. Operatori i Feronikelit ka qenë në operim vetëm tre muaj kalendarik të vitit 2022. Emisionet më të larta janë regjistruar për pluhurin dhe SO2. Te operatori i Sharrcem, emisionet me të larta të shkarkuara mbi normat e lejuara janë regjistruar për ndotësin NOX. Gjatë vitit 2022 në AMMK kanë raportuar operatoret ekonomik si; Kek, Feronikel, Sharrcem, dhe pjesërisht operatoret si Brickos, Bitex, Neë Co Balkan. Numri i operatoreve të cilët kanë Leje Mjedisore te Integruara janë 25”, thuhet në raportin e IHMK-së.

Sipas Agjencisë së Mjedisit në Evropë, ekspozimi ndaj disa përbërësve ndotës të ajrit është ndërlidhur me vdekje të parakohshme.

Sipas vlerësimit nga Agjencia e Mjedisit të Evropës (EEA) ekspozimi ndaj koncentrimit të PM2.5 ishte i ndërlidhur me 359 vdekje të parakohshme. Ekspozimi ndaj koncentrimi të NO2 ishte i ndërlidhur me 264 vdekje të parakohshme, ndërsa ekspozimi ndaj koncentrimi të O3 ishte i ndërlidhur me 135 vdekje të parakohshme”, thuhet ndër tjerash në raportin e IHMK-së.

Ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë vazhdojnë të jenë emetimet nga dy termocentralet e mëdha të thëngjillit Kosova A dhe Kosova B, të vendosura rreth 9 dhe 14 kilometra nga qendra e qytetit. Në një raport të Bankës Botërore të vitit 2019 u tha se rreth 760 njerëz çdo vit vdesin në Kosovë për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit.

Në nivel botëror, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja e ajrit të ambientit (të jashtëm) vlerësohet të ketë shkaktuar 4.2 milionë vdekje të parakohshme në mbarë botën në vitin 2019.

 

Zelfije Zeneli, 22-vjeçare nga Skënderaj, ka mbaruar studimet ne Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe aktualisht është studente në vitin e parë në Departamentin për Punë Sociale. Përveç trajnimeve të vazhdueshme për  në fushën e gazetarisë, ajo punon si gazetare në një prej agjencive të Lajmeve në Kosovë.

Artikulli është realizuar në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin,”

 

Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI