Build Skills with our trainings

Sign up now!

Qentë endacakë vazhdojnë të sfidojnë qytetarët e institucionet

Shk 21, 2024

Valmire Maliqi

Qentë endacakë janë kthyer në problem serioz dhe shqetësues për komunat e Kosovës në përgjithësi. Thuajse çdo ditë po raportohen sulme nga qytetarët e viktima po dalin të jenë edhe fëmijët.  Ndër rastet më të freskëta që u bë publik në media ishte ai i kafshimit nga qentë endacakë, i një qytetari në afërsi të Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë. 

Përmes rrjeteve sociale ai tregoi se kishte pësuar nga kafshimi i qenve endacakë, teksa publikoi një fotografi të plagës. 

“…më datën 19.01.2024, jam kafshuar nga qentë endacakë, në këmbën e majtë, afër Shtëpisë së Moshuarve në Prishtinë.  Jam trajtuar në QMF 3, gjithashtu jam duke vazhduar me pastrimin e plagës. Deri kur kështu, të cenohemi nga lëvizja prej rrezikut që na vjen nga qentë endacakë”, u ankua ky qytetar emri i të cilit nuk u bë publik. 

Për drejtorin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, çështja e trajtimit të qenve endacakë është kthyer në problem serioz thuajse për të gjitha komunat. 

Ai thotë se komunat janë duke u munduar ta trajtojnë këtë fenomen, por se nuk po kanë përkrahje të mjaftueshme nga niveli qendror. 

“Përkundër pengesave financiare që i kanë komunat, e këto pengesa të shkaktuara nga niveli qendror duke marrë parasysh që 77.7% e buxhetit është në nivel qendror, komunat me aq kapacitete financiare dhe njerëzore që po i kanë janë duke u munduar që ta trajtojnë fenomenin e qenve endacakë. Niveli qendror e ka miratuar një strategji, por ajo strategji duhet të përkrahet edhe me mjete financiare dhe kjo nuk është duke ndodhur”, ka thënë ai për KosovaLive. 

Ibrahimi theksoi se kjo strategji nuk është duke gjetur zbatim, teksa shtroi shqetësimin se trajtimi i qenve endacakë nuk mund të bëhet në komuna veç e veç. 

“Strategjia që është hartuar nga niveli qendror sa i përket trajtimit të qenve endacakë nuk është duke u zbatuar. Duhet marrë parasysh që trajtimi i qenve endacakë nuk mund të bëhet në komuna veç e veç. Nëse trajtimi i qenve endacakë nuk bëhet në të gjitha komunat e Kosovës, njëkohësisht, atëherë edhe do të ketë pengesa. Kjo sepse qentë endacakë lëvizin nga një komunë në një komunë tjetër apo edhe nga një shtet në shtete të tjera.  Kështu që strategjia që është hartuar nga niveli qendror nuk është duke u zbatuar përkundër që komunat po ndajnë mjete buxhetore nga buxhetet e tyre”, ka thënë ai. 

Nevoja për një sistem të qëndrueshëm të menaxhimit

Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës tashmë ka aprovuar Strategjinë Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar.

“Strategjia Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar është aprovuar në Qeveri”, thuhet në një përgjigje nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Sipas ministrit Elbert Krasniqi, strategjia përcakton masa dhe veprime të menjëhershme që duhet të ndërmarrin komunat dhe institucionet relevante për një periudhë kohore afatgjate, 2022-2028.

“Situata e mirëqenies së kafshëve dhe kontrollit të popullimit së qenve me dhe pa pronar në Kosovë është në gjendje jo të mirë. Numri i madh i qenve endacakë tregon se është e nevojshme të krijohet një sistem i qëndrueshëm për menaxhimin e tyre”, ka sqaruar ministri Krasniqi, në një konferenca për media në tetor të vitit të kaluar. 

Lidhur me aprovimin e  kësaj strategjie, drejtoresha e Fondacionit të Kafshëve, Elza Ramdani thotë se për të dytin vit radhazi nuk është ndarë buxhet nga Qeveria. 

“Institucionet përgjegjëse (lokale dhe qendrore) duhet të angazhohen shumë seriozisht për të zbatuar në tërësi masat e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe Pa Pronar, e cila ka më shumë se 1 vit që është aprovuar nga Qeveria, por që fatkeqësisht ka mjaft shumë ngecje në zbatim, pasi që për të dytin vit me radhë nuk është ndarë buxhet nga Qeveria ashtu siç e parasheh Plani i Veprimit i Strategjisë”, tha ajo për KosovaLive.

Ramadani thotë se përderisa nuk kontrollohet shitja dhe shumimi i qenve, numri i tyre në rrugë mund të rritet.  

“Megjithatë, Strategjia Kombëtare mbetet një dokument gjithëpërfshirës i cili shpjegon qartë përgjegjësitë e institucioneve për menaxhimin e popullsisë së qenve, si dhe masat që duhet të zbatohen për ta vënë nën kontroll këtë popullsi. Strategjia e përcakton qartë që fokusi duhet të vihet tek burimi i problemit, e që janë qentë me mbajtës (pronar), e jo vetëm tek simptomat e problemit, e që janë qentë aktual në rrugë. Përderisa nuk kontrollohet shitja dhe mbarështimi (shumimi) i qenve dhe shitja e tyre, dhe pëderisa nuk ndëshkohet dhe parandalohet braktisja përmes promovimit të mbajtjes së përgjegjshme, numri i qenve në rrugë do të vazhdojë të rritet. Strategjia Kombëtare e shpjegon qartë si të arrihet deri tek kontrolli i qenve me mbajtës (pronar) dhe kontrolli I mbarështimit dhe shitjes”, tha tutje ajo. 

Kryeqendra inicion aksionin për adoptim me pagesë

Ndonëse problemi me qentë endacakë është i përhapur në thuajse gjithë komunat e Kosovës, në kryeqytet ky konsiderohet të jetë ndër çështje më sfiduese. 

Vitin e kaluar nga kjo komunë janë ndërmarrë disa veprime për të përmirësuar gjendjen por prapë situata mbetet thuajse e njëjtë. 

Nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë kanë konfirmuar se vitin e kaluar janë adoptuar 45 qenë endacakë, teksa shtuan se interesimi ka qenë i madh. Kërkesa thonë se ka edhe në këtë fillimvit.

“Vitin e kaluar janë adoptuar 45 qenë endacak. Kërkesa ka pasur për numër të madh të qenve për adoptim, por që duhet së pari të kenë pëlqim nga Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinës, sipas kushteve të caktuara me Udhëzim Administrativ nr.02/2023. Tani këtë fillim vit kemi disa kërkesa por që jemi duke i shqyrtuar në teren me komision lidhur me kushtet të cilat i plotësojnë adoptuesit, prandaj po shpresojmë që do të ketë rritje të numrit të adoptuesve”, thuhet në një përgjigje të tyre për KosovaLive. 

Nga komuna thonë se me buxhetin e planifikuar për vitin 2024 janë ndarë 150 mijë euro për adoptimin e qenëve endacak.

“Me buxhetin e planifikuar për 2024 janë ndarë 150,000 €, për adoptimin e qenve endacak, kurse pagesa për një qen është 50€ në muaj, varësisht nga numri i qenve që adoptohen kryhen edhe pagesat”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Përveç adoptimit, komuna ka vendosur edhe pika ushqyese në territorin e saj.

“Sipas vlerësimit të lokacioneve të përshtatshme për vendosjen e pikave ushqyese tani i kemi të vendosura 24 pika ushqyese, të cilat ne si komunë i furnizojmë rregullisht me ushqim. Varësisht nga nevoja bëjmë edhe zgjerimin e pikave ushqyese”, pohojnë nga Komuna e Prishtinës.

E në plan për zgjidhjen e këtij problemi, Drejtorisa për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, thotë se janë edhe disa projekte. 

“Komuna e Prishtinës deri më tani i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë teknike, buxhetore dhe ligjore të përcaktuara me ligj dhe udhëzimet administrative në fuqi, për trajtimin e qenve endacak me këto aktivitete: Nga viti 2022 janë trajtuar 3365 qenë endacak ku për këtë kanë qenë të nënshkruar 6 kontrata me operator privat të licëncuar nga AUV. Kemi vendosur 24 pika ushqyese të cilat furnizohen rregullisht me ushqim dhe ujë, jemi duke realizuar projektin e qenëve të trajtuar vendosjen e mikroçipave; jemi në finalizim të funksionalizimit të Qendrës për Trajtimin e Qenve Endacak. Kemi mbajtur disa takime mëe nivelin qendror (ministritë përkatëse), AUV-in, OJQ që merren me kujdesin ndaj këtyre kafshëve, ekspertë të fushës, ku kemi kërkuar që problemi me qentë endacak të trajtohet në nivel vendi me qëllim të arritjes së rezultateve në zvogëlimin e numrit të tyre. Prandaj ne jemi duke vazhduar me të gjitha aktivitetet për trajtimin e këtij problemi, por duhet theksuar se pa trajtimin e qenve në nivel vendi ne çdo herë do të kemi shtim të numrit të tyre, nga se jashtë Prishtinës mbesin qenë të pa trajtuar me mundësi të riprodhimit (shtimit)”, thanë për KosovaLive nga kjo drejtori. 

Sipas komunës, së shpejti pritet të funskionalizohet edhe një Strehimore në Hajvali.

“Komuna e Prishtinës është në fazën finale të funksionalizimit të Strehimores në Hajvali, kurse për strehimore të reja ka të interesuar nga sektori Privat, por së pari duhet të licencohen nga AUV-i për plotësimin e kushteve të caktuara me udhëzime administrative, mandej të vazhdojmë trajtimin sipas këtyre kushteve”, thonë në komunë. 

Trajtimi e kafshëve në Kosovë

Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thotë se në Kosovë mungon respektimi i të drejtave të kafshëve, pasi sipas saj ende ka shumë kafshë të pastreha në rrugë. 

Kafshët kryesisht po braktisen në rrugë ose po mbahen të lidhura në shtëpi.

“Respektimi i të drejtave të kafshëve në Kosovë kryesisht mungon, dhe për këtë mund të nisemi nga fakti që kemi shumë kafshë të pastreha në rrugë. Qentë (por edhe macet) braktisen në rrugë, duke ua rrezikuar mirëqenien, por edhe mbajtja e qenve në shtëpi lë shumë për të dëshiruar, pasi që shumë qen nëpër shtëpi shumicën e jetës tyre e kalojnë të lidhur me zinxhir dhe të ekspozuar ndaj kushteve ekstreme atmosferike, me mirëqenien minimale. E njëjta mund të thuhet edhe për kafshët në ferma, të cilat mbahen kryesisht për ushqim. Nga vizitat tona ndër vite nëpër Kosovë, kemi parë këto kafshë mbahen në kushte shumë të dobëta, dhe nevojat e tyre fizike, psiqike dhe fiziologjike nuk respektohen as minimalisht”, thotë ajo për KosovaLive.

Duke folur edhe për vendimin e komunës së Prishtinës, që qytetarët të kompensohen me 50 euro në këmbim të adoptimit të një qeni, ajo u ankua se Komuna ende nuk ua ka prezantuar listën e adoptuesve. 

“Përkundër premtimeve të komunës që shoqëria civile do të mund të monitorojë mbajtjen e qenve të adoptuar, kjo ende nuk na është mundësuar nga Komuna. Tre muaj më parë kemi kërkuar nga komuna listën e adoptuesve dhe qenve të adoptuar deri më tani, por ende nuk kemi pranuar asnjë dokument nga ta”, thotë ajo. 

Edhe Ramadani i sheh shqetësuese raportimet për sulmet e qenve endacakë ndaj njerëzve, por që sipas saj edhe qentë janë viktima nga njerëzit. 

“Gjithsesi që e marrim me shqetësim secilin lajm për kafshimet nga qentë endacak dhe e kuptojmë që nuk është në rregull që qytetarët të jenë të frikësuar të ecin rrugëve. Për këtë arsye ka vite që insistojmë dhe punojmë që institucionet të angazhohen për zgjidhje të qëndrueshme.  Nuk janë vetëm njerëzit që i vuajnë pasojat nga numri i madh i qenve në rrugë. Vet qentë janë viktima, sepse qentë po ashtu pësojnë abuzime të panumërta nga njerëzit. Pastaj, nga traumat që pësojnë, ndikon edhe në raportin e tyre me njerëzit në përgjithësi, e që mund të qojë në incidente potenciale”, ka deklaruar ajo për KosovaLive.

Për pesë vite – 219 viktima të sulmeve nga qentë endacakë

 Nga viti 2018 e deri në shtator të vitit 2023, 219 persona ishin viktima të sulmeve nga qentë endacakë në Kosovë. 

Nga Policia e Kosovës kanë thënë për KosovaLive se sipas shënimeve zyrtare numri i sulmeve nga qentë endacakë është 469. 

E ndërkaq lidhur me këtë çështje janë hapur 63 raste. 

Vitin e kaluar një qen ka arritur që të hyjë në shkollën e mesme “Fan Noli”, në Podujevë. Ai sulmoi nxënësit, e ku si pasojë tetë u lënduan. 

Drejtori i shkollës Fatmir Emini pati konfirmuar se rasti kishte ndodhur në objektet e shkollës dhe se nxënësit e lënduar ishin dërguar për trajtim mjekësor. 

“... nuk ka qenë qen endacak, por i dikujt të shkollës që e ka marrë me veti. Ka sulmuar nxënësit, disa janë lënduar duke ikur e disa prej qenit. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, tha ai

Një rast tjetër, po ashty vitin e kaluar, kishte ndodhur në Gjakovë, e ku punëtorja e QKMF-së, Afërdita Mula Zhubi, ishte kafshuar nga qentë endacakë. 

Ajo kishte deklaruar se ky ishte sulmi i dytë që kishte pësuar nga qentë endacakë.

“… në orët e hershme të mëngjesit në lagjen Parku i Lirisë duke ardhur në punë sulmohem për herë të dytë nga qentë endacakë. Ju lutem organeve kompetente të Komunës së Gjakovës të marrin masa ndaj qenve endacakë në mënyrë që të lëvizi lirshëm drejt vendit të punës”, kishte shkruar ajo.  

Një grua tjetër ishte kafshuar nga qentë endacakë para katër muajsh në afërsi të QKUK-së. E moshuara mori plagë të rënda në këmbë. 

E disa javë më parë, disa persona u sulmuan nga një qen në Podujevë. 

“Pesë meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore pasi janë sulmuar nga një qen endacak. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor. Sipas të lënduarve, pasi janë sulmuar ata e kanë mbytur qenin”, thuhet në raportin e policisë.

Valmire Maliqi ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës  – Dega Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun, dhe  masterin në drejtimin “Integrime Evropiane dhe Administrata Publike”. Tash disa vjet, ajo është pjesë e botës së medias e ku ka dëshmuar punën e saj në gazetë të shtypur, portal e radio.

Artikulli është realizuar në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin”.

Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI