Albulena Berisha
Në kërkim të kushteve më të mira, por edhe me qëllim për ta siguruar të ardhmen e tyre, shumë të rinj nga Kosova ia mësyjnë vendeve evropiane për të studiuar. Marrë parasysh koston e lartë të studimeve, shumica e tyre ndjekin dhe shikojnë gjetjen e ndonjë burse e cila do t’i mbulonte sadopak këto shpenzime.
Alisa Rashiti e cila ka qenë studente semestrale me bursë të Erasmus +, rrëfen përvojën e saj të të studiuarit jashtë vendit për një semestër. Motivi i saj për të studiuar jashtë vendit është lidhur pikërisht me faktin që ka pasur shumë dëshirë të njohë edhe më shumë kultura, shoqëri si dhe të eksplorojë mjedise të reja.
“Krahas mundësive dhe destinacioneve të tjera që ofroheshin në Kosovë për periudhën në të cilën unë kam qenë për studime, Universiteti i Salzburg-ut ishte një ndër më të mirët në renditjen botërore për drejtimin të cilin kam studiuar. Njëkohësisht, para përzgjedhjes kam krahasuar vendet me njëra tjetrën sa i përket sigurisë dhe nivelit të krimeve në to. Në bazë të atyre që kam lexuar, Salzburg-u renditej si një ndër vendet më të sigurta për të jetuar. Këto ishin kryesisht çështjet të cilat kam analizuar dhe në bazë të cilave kam bërë përzgjedhjen e destinacionit në përputhje me mundësitë e ofruara”, thotë ajo për KosovaLive.
Rashiti lëvizjen nga Kosova drejt Universitetit të Salzburgut e ka konsideruar si sfiduese, duke e marr parasysh faktin që i është dashur që të ambientohet me kulturë.
Tejkalimin e këtyre sfidave ua atribuon shoqërisë që e kishte takuar gjatë asaj kohe të studimeve.
“Mendoj që studimet jashtë vendit janë eksperiencë nga e cila studentët mund të përfitojnë ne shume aspekte të ndryshme. Fillimisht kjo eksperiencë të mëson dhe hap horizontin për jetën në përgjithësi. Kjo për arsye se gjatë kësaj kohe mëson të pavarësohesh, të përballesh me ndryshime kulturore e sfida të tjerat të cilat mund t’i përjetosh përgjatë studimeve. Studimet jashtë vendit si përvojë, arrijnë po ashtu të krijojnë aftësi më të mira për të kuptuar dhe vlerësuar mundësitë të cilat të ofrohen edhe në aspekte profesionale”, thekson ajo.
Edhe Krenare Lika kishte fatin të ndiqte studimet për një semestër në Universitetin e Salzburgut, në kuadër të programit Erasmus+.
“Qysh në fillimin të studimeve Bachelor dëshira ime ka qenë e madhe që të studioj edhe jashtë vendit, mirëpo jo gjithmonë kishte thirrje për bursa adekuate. Gjatë semestrit të pestë aplikova për bursën e Erasmus+ në Universitetin e Paris Lodron në Salzburg, universitet ky i njohur për drejtimin e shkencave politike, gjë e cila me motivoi edhe më shumë. Duke pasur parasysh se diploma nga një universitet i huaj peshon me shumë dhe ndryshe; kushtet dhe mundësitë të cilat ofrohen në vazhdimësi nga po këto universitete janë të shumta; me shtynë përpara që të mësoja dhe ëndrrën për të studiuar jashtë ta realizoj”, thotë ajo për KosovaLive.
Sa i përket adaptimit në kulturën e re, ajo thotë se e përballoi më mirë seç kishte menduar, mirëpo vë në pah dallimet mes kulturës ballkanase apo konkretisht asaj shqiptare dhe asaj austriake.
“Kontakti në fillim me popullsinë vendase nuk ishte edhe i lehtë, ndoshta për faktin se jemi mësuar të japim më shumë dashuri e ngrohtësi në popullin tonë qysh me takimin e parë. Dy vite jetese këtu më kanë bërë me mendje hapur dhe më të qetë”, thekson ajo.
Lika të studiuarit jashtë vendit e sheh si avantazh për faktin që, siç thotë, ajo tani ka mundësi të ketë më shumë kontakte me studentë ndërkombëtarë, të ketë mundësi të zhvillojë praktika dhe projekte të ndryshme, dhe shton se ka përvetësuar mjaft shumë nga ky rrugëtim.
“Profesorët janë të zotë dhe të kuptueshëm, ndonëse jo diçka ndryshe nga ata të vendit tonë. Pos kësaj, krijimi i një rrjeti të njerëzve të rëndësishëm profesional të hap rrugët për më tutje. Qasja në praktikë, trajnime dhe seminare të ndryshme është më lehtë. E çka është më e rëndesishmja pse mos të marrim të mirat nga këtu e t’i sjellim në Kosovë”, thotë ajo.
Dea Preniqi, studente e rregullt po ashtu në Universitetin e Salzburgut, thotë se një ndër arsyet që e kishte shtyrë të merrte vendimin për të studiuar jashtë vendit ishte se ka pasur nevojë që botën ta shohë në një këndvështrim më ndryshe.
“Ne kemi nevojë që të njohim e të shohim kultura, gjuhë të ndryshme dhe të takojmë njerëz të ndryshëm. Burimi ku unë e kam marr inspirimin për të studiuar jashtë janë rrjetet sociale, ku kam hasur një këndvështrim krejt të ri në krahasim me Kosovën”, thotë Preniqi.
Ndonëse thotë se çdo fillim është i vështirë, adaptimi në një kulturë të re merr kohë, por që shumë shpejtë mësohesh dhe ky vend i huaj të bëhet si shtëpia jote.
Studimet ajo i përshkruan si përvojë të paharrueshme.
“Me këtë përvojë ne shohim ndryshimin e rrethit, të menduarit dhe të vepruarit. Njerëzit janë më mendje-hapur dhe më të pranueshëm për gjëra të reja. Po ashtu, shoh qe edhe me kalimin e kohës, ne mund të përvetësojmë më shume në vendin tonë dhe të arrijmë disa qëllime që i kemi të nevojshme”, theksoi ajo.
Edhe studenti Bestar Krasniqi thotë se motivi kryesor se përse ka dashur që të studiojë jashtë vendit, ishte pikërisht dëshira e tij që ta sfidonte edhe më shumë vetën në këtë aspekt.
Ai thotë se fillimi ishte sfidues, pasi që përpara se të dilte jashtë vendit për studime ai nuk ishte mësuar të jetonte pa familjen e tij dhe krejtësisht i vetëm, kjo njëherit ia kishte shtuar nevojën atij që çdo gjë ta mësonte krejt nga fillimi. Përveç mungesës së familjes, sfidë tjetër për të kishin qenë edhe studimet e mbajtura në gjuhë të huaj. Ai shton se pas javëve të para të cilat janë më sfiduese, kthehet normaliteti. Kurse realiteti i ri si dhe nevoja për të njohur shoqëri të re, sipas tij, janë po ashtu edhe dy faktorë të tjerë sfidues gjatë fillimit të studimeve.
Ky student thotë se tani ndihet shumë më i pavarur dhe se në aspektin akademik ka arritur të përvetësojë jashtëzakonisht shumë, e për këtë ai njëherësh i falenderohet profesorëve në Universitetin e Salzburgut.
Ndryshe nga këta, Dafina Hyseni studimet e saj të nivelit master vendosi t’i zhvillojë në Turqi. Ajo thotë se një ndër motivet kryesorë për të dalë dhe studiuar jashtë vendit kishte qenë një cilësi më e mirë e arsimimit.
“Gërshetimi i kulturave, studimi jashtë vendit është shumë premtues edhe në ketë aspekt, ke mundësi që të ekplorosh kultura të ndryshme. … Studimet në Stamboll kanë qenë edhe rast që të mësoj për kultura që ndoshta më herët vetëm i kam dëgjuar apo edhe nuk kam qenë shumë e informuar edhe se ekzistojnë. Së bashku me të gjitha këto, ne vijmë nga vende të vogla dhe mundësitë për ngritje në karrierë shtohen kur përvetësojmë eksperienca të reja, mësojmë nga profesorë me bagazh të larmishëm etj..”, thotë Hyseni për KosovaLive.
Ajo sheh shumë mundësi e perspektiva nga të studiuarit e saj jashtë vendit, dhe përmend mundësinë e ngritjes së saj në karrierë.
“Ne kemi lënë vendet tona për mundësi të mira studimesh por patjetër që dëshira ultimatume është që të kthehemi dhe të kontribuojmë aty ku gjithçka ka filluar për ne. Nëse mundësitë ofrohen, sigurisht, madje do isha shume krenare që të kem mundësinë që eksperiencën e fituar dhe dijen të jem në gjendje ta shfrytëzoj për popullin tim”, shtoi ajo.
Profesori i Fakultetit Filozofik në Departamentin e Shkencave Politike Dorajet Imeri konsideron se fakti që studentët dalin jashtë vendit për të studiuar ka një efekt pozitiv.
“Studentët që studiojnë jashtë vendit kanë fatin që të shohin vende e kultura të ndryshme dhe në këtë aspekt kanë fatin ta shohin jetën më ndryshe se siç mund ta kishin menduar”, thotë ai teksa shton se kjo gjë është shumë pozitive pasi që studentët mund të kenë përvoja nga më të llojllojshmet.
Ndërsa sa i përket anës negative, Imeri konsideron se shumica e studentëve pasi të dalin jashtë vendit dhe të shohin nivelin e arsimimit atje si dhe nivelin e lartë të jetesës, do të kenë dëshirë më të madhe që të qëndrojnë jashtë Kosovës, dhe kjo njëherit bënë që siç tha ai të varfërohet ana e nivelit akademik në Kosovë.
Profesori universitar nuk ka parë ndonjë disavantazh sa i përket asaj që shumica e studentëve po aspirojnë që studimet e tyre t’i zhvillojnë jashtë vendit, përkundrazi këtë e ka parë si anë pozitive Imeri thekson se edhe studimet që zhvillohen në Kosovë janë në nivel të duhur, mirëpo ai gjithashtu veçon nevojën që në Kosovë studentët duhet të kenë më shumë qasje apo mundësi në praktika apo aktivitete të ndryshme të cilat duhet të jenë të financuara.
“Fakti që studentët po synojnë vendet e ndryshme të botës për të studiuar, shton nevojën që sa më parë Kosova të zhvillohet më shumë sa i përket sistemit të saj arsimor, të financohet sa më shumë sfera e arsimit në Kosovë, të kenë më shumë mundësi për të pasur apo për të zhvilluar projekte ndërkombëtare. Në anën tjetër studentët që kanë studiuar janë potencial për të kontribuar dhe për të shpërndarë përvojat e tyre në Kosovë të fituara jashtë vendit”, shton ai për KosovaLive.
Koordinatorja e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë në Universitetin e Prishtinës, Afërdita Rexhepi bën të ditur se UP ka partneritet me rreth 100 universitete nga Europa si dhe Turqia.
“Në kuadër të programit Erasmus+ përmes projekteve që Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar koordinon, deri më tani kanë realizuar mobilitet rreth 1 mijë e 500 studentë”, thotë ajo.
Ajo thekson shumë aspekte pozitive që studimet jashtë vendit mund të sjellin, ndër të tjerash se të studiuarit jashtë vendit në mjedise ndërkombëtare shënon një zhvillim tek studentët si në aspektin akademik ashtu edhe në aspektin personal.
Artikulli është realizuar në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin”.
Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.