Arta Drenica
Raste të shpeshta të konflikteve fizike dhe mbajtjes së armëve të ftohta evidentohen në shkollat e Prishtinës. Vetëm për vitin 2023, janë shënuar 453 raste të konflikteve në mes nxënësve, 41 prej të cilave janë raste posedim i armëve të ftohta, ndërsa, lëndimet trupore janë në numër edhe më të madh.
Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim, ka thënë se për 11 muaj të vitit të kaluar, në Prishtinë janë shënuar 136 raste me lëndime trupore dhe 30 raste me kanosie.
“Gjatë periudhës janar-30 nëntor 2023 (raporti vjetor nuk ka përfunduar) janë evidentuar 453 raste që kanë ndodhur në shkolla apo përreth tyre. Rastet në numër me te mëdha kane qene: lëndim i lehtë trupor 136 raste, sulm 44 raste, posedimi armës se ftohtë 41 raste, kanosje 30 raste”, pohojnë nga PK.
Po ashtu, drejtoresha e shkollës fillore “Gjergj Fishta”, Supije Zhitia derisa ka treguar rastet të cilat ndodhin më shpesh në mes nxënësve, ka theksuar se konflikte të lehta ka gati çdo ditë.
Ajo tha se në momentin që ndodhë ndonjë rast ku janë prezent edhe armë të ftohta, së pari lajmërohen prindërit, pastaj policia.
Sipas saj, shkolla ka gjithmonë masa të vetëdijesimit dhe nxënësit ndëshkohen për veprimet e tyre.
Zhitia: Shkolla ka masa vetëdijësuese, lajmërohen prindërit dhe policia
“Siguria në shkolla është kusht i parë që duhet të ofrojë shkolla, në shkollën tonë ku ndjekin mësimin rreth 1000 nxënës sigurisht ka raste ku ndodhin situata konflikti në mes bashkëmoshatareve nga ato më të lehtat deri në situatat më të ndjeshme. Rasti më i rëndë që ka ndodhur është rasti kërcënimit i nxënësit nga një bashkëmoshatarë tjetër me thikë, është raportuar nga mësimdhënësi kujdestarë, e pastaj ka kaluar në bazë të hierarkisë, deri te drejtori. Në menaxhim të rastit njoftohet prindi dhe në prani të prindit, procedohet me krejt situatën. Nëse rastet janë të rënda dhe përfshihen armë të ftohta atëherë njoftohet edhe policia dhe synohet që arma të identifikohet dhe të dorëzohet”, ka thënë ajo për KosovaLive.
Zhitia thotë se me policinë kanë bashkëpunim të mirë por edhe qendra për punë sociale, organizata jo qeveritare që trajnojnë, ligjërata vetëdijësuese.
“Shkolla gjithmonë ka masa të vetëdijësimit, nëse këto masa nuk punojnë punë kemi edhe masa dënimi, vërejtje me shkrim, suspendim nga shkolla, thyerja e notes në sjellje. Raste të mosmarrëveshjes të lehta ka çdo ditë, ato bullizimit apo keqkuptimit , por ato të rëndat ndodhin pak më rrallë. Sigurisht edhe psikologia e shkollës bënë hulumtime të shpeshta dhe raste maksimalisht trajtohen në shkollë”, thotë ajo.
Delvina Mehana nga Prishtina, e cila e ka vajzën në klasën e tretë, thotë se është e pasigurt në momentin kur e dërgon atë në shkollë.
Ajo tha se në shkollë ka shumë nxënës problematik dhe se shkolla duhet të kujdeset më shumë për nxënësit.
“Vajzën e kam në klasën e tretë, thënë të drejtën kur po shoh çdo ditë e po dëgjoj raste të ndryshme nëpër media e që po më tregojnë prindërit, po e mbaj dertin e vajzës. Po ka fëmijë të pa kontrolluar e që po bëjnë veprime jashtë normales. Unë kujdesem në maksimum që vajzës me i tregu me u mbrojtur vet e mos me bë veprime të pa hijshme, po pak problem. Duhet me pas më shumë kontrolla e siguri për fëmijët, se në institucione janë, me ditë ku po i dërgojmë”, potencoi Mehana.
Edhe nxënësja, Nina Mehana thotë se shpesh është e frikësuar në ambientin e saj shkollor.
“Po unë nuk ndihem e sigurt në shkollë, shokët e klasës shpesh kanë konflikte mes vete. Unë ankohem tek mësuesja, pastaj mësuesja i tregon drejtorit”, tha Mehana.
Qehaja: Dhuna në shkolla duhet të ketë trajtim individual
Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja tha se dhuna në shkolla duhet të ketë trajtim individual. Sipas tij, rastet e dhunës në shkolla kanë trajta të ndryshme dhe duhet përkrahje institucionale.
“Dhuna në shkolla ka trajta të ndryshme, dhe reagimi duhet të jetë shumë individual për secilin rast, për këtë nevojitet një komunitet i përkushtuari shkollës që ka përkrahje institucionale. Po ashtu, duhet të kuptojnë që problemi nuk është i kufizuar dhe as nuk zgjidhet nga një bisedë e vetme, duhet një përfshirje konsistente dhe e strukturuar ndër institucionale në të gjitha nivelet”, thotë Qehaja.
Kurse Drejtoria e Arsimit në Prishtinë për Kosova Live ka njoftuar se shkollat në Prishtinë do të pajisen me kamera, do të investohet në hapësira shkollore. Si dhe çdo shkollë do të ketë të pranishëm psikolog për të trajtuar rastet, në mënyrë që ambienti shkollor.
“Drejtoria e Arsimit ka filluar implementimin e planit për siguri ne shkolla, duke vendosur kamerat ne te gjitha IEAA-të, duke rritur sigurinë ne hyrje-daljet e shkollave, duke zhvilluar fushata vetëdijësuese me tematika te ndryshme, duke integruar mekanizmat e tjerë relevant në siguria ne shkolla te jete proces i vazhdueshëm implementues. DKA ne vazhdimësi ka forcuar trekëndëshin pedagogjik mes nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve, duke mundësuar qe problemet e ndryshme të jene tematika te njohura dhe rekomanduese për akterët e përmendur”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas DKA, çdo shkollë ka psikolog shkollor dhe është një prej arritjeve kyçe që kanë realizuar në vitin e kaluar.
“Planet e vazhdueshme procesues janë implementimi i planit për siguri ne shkolla, procedimi i zhvillimit te organizimit të fushatave vetëdijesuese që rrisin sigurinë në shkolla, organizimet me akterët relevante, intervenimet fizike infrastrukturore brenda dhe jashtë hapësirave shkollore, organizimi i trajnimeve te ndryshme he çështje te tjera relevante qe kane për qëllim rritjen e sigurisë ne shkollat e kryeqytetit”, thonë në DKA.
Ndryshe, kohëve të fundit Policia e Kosovës ka organizuar disa aksione të kontrollit të nxënësve pranë shkollave në kryeqytet, ku edhe ka hasur në disa armë.
Në një përgjigje të mëhershme, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se ka nevojë urgjente për reflektim sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve në shkolla.
“Në Ministrinë e Arsimit po e trajtojmë këtë çështje me prioritet dhe përveçqë po avancojmë politikat edukative dhe arsimore, së fundmi kemi themeluar edhe Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve/nxënësve në shkolla me qëllim të këshillimit, vlerësimit dhe orientimit të veprimeve të integruara ndërinstitucionale”.
Megjithatë, ka thënë se roli i mësimdhënësve në edukim është kyç, “duke qenë se janë ata pika e parë e kontaktit me fëmijët në shkollë”.
“Por, menaxhmentet e shkollave dhe drejtoritë komunale të arsimit, duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të adresojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve”.
Kastrati: Duhet të bashkëpunojnë prindërit me psikologët
Psikologu Rron Kastrati thotë se gjendja në shkolla duhet të përmirësohet si dhe të rritet bashkëpunimi në mes psikologëve, shkollës dhe prindërve.
“Lidhur me këtë situatë që nxënsit të ndjehen të sigurtë në ambientet shkollore duhet që shkollat të kenë përkushtim më të madh për nxënësit. Psikologët duhet të jenë të pranishëm në shkolla, në mënyrë rastet e rrezikshme për ata të evidentohen sa më herët.Mënyrat më relevante që mund ta përmirësojnë gjendjen e përgjithshme në shkolla janë bashkëpunimi i prindërve me psikologët, me pedagogun e shkollës, menaxhmentin e shkollës dhe mësuesen”, thotë Kastrati.
Artikulli është realizuar në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin”.
Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.