Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një sfidë e madhe: përballja e të diplomuarve me tregun e punës

Pri 11, 2024

Albinota Krasniqi

Pas përfundimit të studimeve themelore në Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina”, gjetja e vendit të punës për drejtimin që sapo kanë diplomuar është sfidë në vete për studentët. Ata që përfundojnë studimet veçmas në universitete publike ballafaqohen më pas me një terren të panjohur në tregun e punës, si pasojë e mungesës së praktikës gjatë rrugës së tyre studentore.

UP-ja ofron programe të studimeve në 14 njësi akademike, me gjithsej 4289 të pranuar në studimet themelore për vitin akademik 2023/2024.

Balancimi i profileve të studimeve në UP dhe tregut të punës, pjesa praktike që ju ofrohet studentëve si dhe përshtatja e orareve të punës me nevojat e studentëve që vazhdojnë Master dhe PhD, janë faktorë që luajnë rol në punësimin e të diplomuarve.

Sa i perket balancimit në mes të numrit të pranuarve në UP dhe nevojave të tregut Valentina Bunjaku, kryetare e Komisionit për Arsim thotë se askund në botë nuk janë të barazpeshuara, por jashtë Kosovës, më shumë ka planifikim, analiza e strategji dhe ka më shumë baraspeshim.

Valentina Arifi ka përfunduar studimet në drejtimin Letërsi Shqipe në vitin 2021 dhe nuk ka pasur mundësi ende të punojë për drejtimin që ka studiuar. Ajo thotë se në Kosovë fatkeqësisht është shumë e vështirë të punësohesh nëpërmjet një diplome, si dhe sipas saj tregu  i punës e vlerëson më shumë përvojën.

Mund të them nga përvoja se më shumë vlerësohet në tregun tonë të punës përvoja,” tha Arifi për KosovLlive.

Njëjtë mendon edhe deputetja Bunjaku, ajo se çfarë do e rriste numrin e të punsuarëve nga UP, është të kenë më shumë praktikë, se teori dhe nëse kuadrot dalin të përgatitura profesionalisht, të mos ketë tolerancë ndaj atyre që nuk studiojnë me të vërtetë.

I përmbushin, por jo plotësisht. duhet më shumë hulumtim i nevojave të tregut, e më pas ndryshime e krijime të programeve të reja studimore,” deklaroi Bunjaku per KosovaLive, e pyetur se sa i përmbushin nevojat e tregut studentët e UP-së.

Mirëpo se sa është duke punuar UP-ja në këtë drejtim që tju sigurojë studentëve praktikën gjatë studimeve që pas diplomimit të jenë gati për të filluar punën?

“Gjatë vitit 2022/2023, kemi ofruar dymbëdhjetë (12) Marrëveshje të nënshkruara nga UP me Instucione apo kompani të cilat kanë të bëjnë me kryerjen e punës praktike për studentët e UP-së,” ishte përgjigjja e Rektoratit për KosovaLive.

Njëra ndër këto marrëveshje është edhe memorandum bashkëpunimi mes UP-së dhe Radio Televizionit te Kosovës (RTK), për një periudhë pesë vjeçare, për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Një nga departamentet që kanë përfituar nga ky memorandium është Departamenti i Gazetarisë, ku studentët e këtij departamenti do të mbajnë praktikë një mujore në Televizionin Publik të Kosovës.

Mënyrën se si është bërë përzgjedhja e studentëve për këtë praktikë, shpjegon shefi i Departamentit te Gazetarisë, Muhamet Jahiri.

Pas finalizimit të memorandumit të bashkëpunimit, Departamenti i Gazetarisë i ka njoftuar studentët për një mundësi të tillë të praktikës, dhe më pas studentët kanë aplikuar për praktikë përmes emailit të tyre,” ka thëne Jahiri për KosovaLive.

Në dhjetor ka filluar grupi i parë i studentëve dhe grupet e tjera do mbajnë praktikën në muajt në vazhdim.

Se sa ju ka ndihmuar stafi dhe programet e UP-së, studentëve të cilët tani janë të punësuar në drejtimet për të cilat kanë diplomuar ka mendime dhe përvoja të ndryshme se si janë gjetur në tregun e punës.

Arbërie Shabani, gazetare që ka diplomuar nga i njëjti drejtim 7 vite më parë, thotë që UP-ja nuk i përgatitë studentët për tregun e punës.

Pyetur nëse ia vlen të jesh student i UP-së kur vjne fjala tek tregu i punës, Shabani  shprehë dyshimet e saj.   

Po dhe jo. Po sepse mendoj që ofron sistem arsimimi më të mirë se shumica e universiteteve tjera. Jo sepse nuk e përgatitë studentin për tregun e punës,” deklaroi Shabani për KosovaLive.

Mirëpo kështu nuk vlerëson edhe Oktaj Hasani, asistent në Departamentin e Historisë dhe i diplomuar në studimet Master Histori e kohës së re”. Ai thotë se studentëve të UP-së u ofrohen të gjitha mundësitë për t’u përgatitur për tregun e punës.

Kjo për faktin se stafi akademik përkujdeset për përgatitjen e tyre profesionale dhe akademike për tregun e punës,” tha Hasani për KosovaLive.

Ajo se çka do e rriste numrin e të sapo diplomuarve të UP-së në tregun e punës është një koordinim më i mirë në mes punëdhënësve dhe UP-së për nevojat e tregut, shtoi Hasani.

Në vitin 2023 sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) totali i të punësuarve sipas grup moshës dhe gjinisë, me pagë primare nga mosha 15-24 vjec është 60,339 punëtorë, e kjo përfshin moshat pas studimeve themelore dhe Master.

Ndërkohë Qendra për Zhvillim dhe Karrierë (QZHK) në UP, e cila është themeluar në prill të vitit 2007 dhe ka për qëllim tu ofrojë studentëve dhe të diplomuarve mundësi për zhvillim personal dhe profesional, në qershor të këtij viti ka bërë një hulumtim Gjurmimi i të diplomuarëve në Universitetin e Prishtinës – Cilësia e studimeve dhe rruga drejt punësimit”.  Nga hulumtimi, ku morën pjesë 987 ish studentë të UP-së (studimet themelore, vitet 2010-2023), rezulton se 42.9% janë të punësuar me orar të plotë ose të pjesshëm, kurse 18.4% ende janë të papunësuar.   

Nga hulumtimi i njëjtë 21.3% raportojnë se programi i tyre i përgatiti shumë mirë për punën aktuale, kurse 10.0% e të anketuarve treguan se programi i tyre nuk ishte fare i lidhur me pozitën e tyre aktuale në punë, duke nënvizuar mungesë të lidhshmërisë.

Drejtimi që ka më së shumti studentë në këtë vit në UP është Fakulteti Ekonomiku me gjithsej 832 studentë, që pasohet nga Fakulteti Juridik me 535 të pranuar në studime themelore, por sipas një deklarimi në muajin gusht 2023 disa përfaqësues biznesesh thonë se tregu aktual i punës ka më pak nevojë për të diplomuar që dalin nga këto drejtime.

“Ne, vazhdimisht, kemi prodhuar disa profesione që shumica kanë qenë administrative, dhe kanë munguar shumica e profesioneve teknike-inxhinierike. Bizneset po detyrohen të marrin ekspertë të fushave të ndryshme nga vendet e tjera, për shkak se në Kosovë kemi të diplomuar, por që nuk janë të atyre profileve që kërkohen”, deklaroi kohë më parë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

Sa i përket këndvështrimit të punëdhënësve QZHK ka bërë një hulumtim tjetër në qershor të këtij viti.

“Vlerësimi i përgatitjes profesionale të studentëve nga përspektiva e punëdhënësve – Fuqizimi i bashkëpunimit të Universitetit të Prishtinës me tregun e punës”, është hulumtimi i dytë i bërë nga QZHK, mostra e të cilit është e përbërë nga përfaqësues të sektorit publik, privat dhe organizatave, me gjithësej 49 institucione. 

Të pyetur se sa janë të kënaqur me gatishmërinë e të diplomuarve të UP-së për punë në institucione, në mesin e përgjigjeve të vlefshme, 16.3% e të anketuarve vlerësuan përgatitjen e studentëve si “e mjaftueshme”. Shumica prej 42.9% shprehen se studentët ishin “të mirë” në aspektin e përgatitjes, ndërsa 30.6% besonin se ishin “shumë të mirë”. Përveç kësaj, 10.2% e përgjigjësve vlerësojnë përgatitjen e studentëve si të “shkëlqyeshme”, rezulton në hulumtimin e QZHK.

 

Albinota Krasniqi ka përfunduar studimet Bachelor, drejtimi i Gazetarisë në UP. Ka qenë pjesë e programit CCI (Community College Initiative), për një vit studime në Kolegjin DuPage, Illinios, SHBA, në drejtimin Edukim Medial, dhe ka bërë praktikë pvr 6 muaj në revistën e kolegjit The Courier, duke shkruar artikuj të ndryshëm në lidhje me kolegjin, apo komunitetin.

Aktualisht punon si mexhuese e rrjeteve sociale në kompaninë e marketingut IMD (Integral Marketing Design).

Artikulli është realizuar në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin”.

Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI