Build Skills with our trainings

Sign up now!

Krijohet databaza kombëtare e të mbijetuarve të dhunës në familje

Mar 13, 2018

Ministria e Drejtësisë e Kosovës siguron se do të mbetet e përkushtuar për të ndëmarrë të gjitha veprimet e duhura lidhur me krijimin dhe funksionimin e Databazës Kombëtare të të Mbijetuarve të Dhunës në Familje dhe Dhunës kundër Grave.

Kjo u dëgjua në një takim me partnerët implementues dhe me akterët kryesor që marrin pjesë në krijimin e kësaj baze të të dhënave, projektit të parë të këtij lloji në Kosovë.

Duke marrë pjesë në këtë takim koordinues, Qemajl Marmullakaj, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, tha se kjo ministri është e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm legjislativ rreth problematikës përkatëse.

“Dhuna ndaj gruas është e përfshirë në Kodin Penal të Kosovës dhe ka pasur analiza të ndryshme që edhe dhuna në familje të jetë pjesë e ndërmjetësimit. Ne jemi duke punuar që dhuna në familje të konsiderohet si vepër penale dhe të sanksionohet me ligj dhe jo vetëm të jetë pjesë e ndërmjetësimeve”, tha ai.

Ai tha se raportimi i dhunës është problem jo vetëm në vendin tonë, por një problem global, edhe pse tani tek ne ka filluar të merr një qasje më proaktive, e me rritjen e vetëdijësimit është rritur edhe raportimi.

Projekti i krijimit dhe funksionimit të Databazës Kombëtare të të Mbijetuarve të Dhunës në Familje dhe Dhunës kundër Grave implementohet në pesë vendet e Ballkanit: Kosovë, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni, sikur edhe në Turqi, dhe mbështetet në partneritetet mes UN Women dhe Bashkimit Evropian.

Implementimi i këtij projekti në Kosovë i është besuar organizatës mediale KosovaLive, që tash një kohë, në kuadër të aktivitetete të saj theks të veçantë i kushton barazisë gjinore, fuqizimit të grave dhe vajzave siukur edhe ngritjes së vetëdijes rreth dhunës në familje. Nënkontraktues në këtë projekt është lideri kosovar i teknologjisë informative, kompania Cacttus e cila, me ekipin e saj profesional, ka një përvojë të gjatë në analizimin e të gjitha të dhënave të sistemeve informative.

Valentina Haziri nga Cacttus theksoi rëndësinë e prezantimit dhe raportim të të dhënave në kohë reale.

“Nëse një rast raportohet në prokurori, ai menjëherë do të regjistrohet në databazë dhe nuk do të ketë duplifikim apo diskrepancë në mes të të dhënave. Dështimi i databazave nuk është problem i sistemit, por menaxhimi i të dhënave dhe te përdoruesit e tyre”, tha ajo.

Flora Macula, drejtoresha e UN Women Kosova, theksoi se me Ministrinë e Drejtësisë kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë në disa fusha, e një ndër to është edhe dhuna në familje.

“Një ndër aktivitetet në të cilat ne kemi marrë përsipër t`i fasilitojmë është edhe databaza. …Mungesa e databazës ka qenë evidente dhe unë e di që sidomos shtëpitë e sigurta e kanë kërkuar këtë…. E dijmë që një proces të tillë e pat inicuar gjyqësori, por jo për të gjitha rastet, dhe jo të gjitha rastet shkojnë në gjyqësor. Jo të gjitha rastet që shkojnë e kërkojnë ndihmë mjekësore raportohen. Prandaj duam ta kemi një databazë e cila do të ishte në shërbim të të gjithëve”, tha ajo.

Visar Bivolaku nga Zyra e Bashkimit Evropian shprehu kënaqësinë me faktin se BE është bashkëfinancues i këtij projekti që e adreson një çështje që ka qenë sfidë për institucionet shtetërore.

“Tani jemi të lumtur që përmes këtij procesi më në fund do ta kemi një databazë të tillë. Shpresojmë që ky aktivitet që targeton në mënyrë specifike një çështje do të ketë sukses,” tha ai.

Macula nga UN Women ngriti çështjen e pronësisë së kësaj databaze që po krijohet.

Basri Kastrati nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë ndaj Viktimave tregoi se databaza e një projekti të kaluar, ku poashtu ishte pjesë, kishte dështuar mu për shkak të pronësisë.

“Ne e dimë që ka plot raste që nuk dënohen. P.sh. lajmërohen 70 raste, 40 shkojnë në gjykatë dhe ndoshta vetëm 20 ndëshkohen. 1081 raste të dhunës i kemi pasë vetëm vitin e kaluar në zyrën tonë e  në polici 1281 raste. E njëjta viktimë merr shërbime apo ndihmë në 3-4 institucione dhe mund të ndodhë që evidentohet si 4 raste të ndryshme. Nëse arrijmë me e eliminu këtë, besoj që statistikat kanë me qenë ma reale”, tha ai.

Tahire Haxholli nga Njësia për hetime rreth dhunës në familje e Policisë së Kosovës tha se PK ka mëdyshje të statistikave dhe se deri në verdiktin e fundit ato ndryshojnë.

“Ne në polici i kemi viktimat, të dyshuarit dhe dëshmitarët. Ndërsa institucionet tjera i kanë vetëm viktimat. Prapë përgjegjësia e databazës është pak problem”, tha ajo.

Kryeshefja ekzekutive e Agjancisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia konsideron se pronësia duhet t’i takojë Ministrisë së Drejtësisë.

“Mendoj që ai (pronari) kishte me qenë Koordinatori Nacional. Ai duhet të jetë në gjendje ta mbajë konfidencialitetin dhe të ‘ushqejë’ databazën me të dhëna,” tha Gusia duke shtuar se është momenti që zyra e Koordinatorit Nacional të fuqizohet me një staf profesional dhe mos të hamendësohet më se kujt i takon pronësia e kësaj databaze.

Për më shumë foto nga kjo ditë, KLIKO KËTU!

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI