Build Skills with our trainings

Sign up now!

Larg politikës, shqiptarët e serbët në Gjilan, bashkëpunojnë në harmoni

Sht 19, 2023

Teksa mediat vendore e ndërkombëtare “u bombarduan” nga lajmet për tensionet që vinin nga komunat veriore të vendit, veçmas nga Zubin Potoku e Leposaviqi, në anën tjetër të Kosovës, në Gjilan, këto dy komunitete po jetojnë në harmoni mes vete. 

Përkundër zhvillimeve tensionuese atje, serbët lokal nga Gjilani dhe ata kosovar ndajnë një treg të përbashkët ku ata janë të lirë të shesin dhe blejnë produkte nga njëri tjetri.

Një tregtar serb në tregun e Gjilanit, i cili nuk pranoi të fliste me emër si pasojë e situatës mes dy vendeve, theksoi se politika nuk ka ndikuar fare në punën e tyre.

Dialogu Kosovë-Serbi dhe as tensionet në Veri nuk kanë ndikuar asgjë në punën tonë, ne i kemi raportet e mira me shqiptarët”, theksoi ai për KosovaLive. 

“Ne e bëjmë punën tonë dhe nuk merremi me çështje politike”, shton ai.

E kjo potencohet edhe nga një tregtar tjetër i cili thotë se dy komunitetet lokale gëzojnë marrëdhënie të mira mes vete, tash e sa vite. 

“Politika në mes të serbëve dhe shqiptarëve nuk ka ndikuar asnjëherë në punën tonë, jemi super dhe nuk kemi probleme në mes vete”, thotë ai në gjuhën serbe.

Ndonëse në tregun e njëjtë ku po veprojnë këta tregtarë shihen edhe kosovar, serbët ndjehen të lirë të flasin në gjuhën e tyre.

Edhe pse tregu është i përbërë nga shitësit serb, ai frekuentohet me të madhe edhe nga blerësit kosovarë.

“Ne blejmë mallra prej tyre pasi janë korrekt dhe tani në verë kanë gjëra të freskëta dhe me çmime më të lira”, tha një tregtar kosovar për KosovaLive, në kushte anonimiteti. 

Konsumatori kosovar thekson gjithashtu, se politika nuk është pjesë e bashkëveprimit mes dy komuniteteve.

“Politika nuk është për neve, ata kryejnë punën e tyre, ne punën tonë”.

Tregu me shitësit serb nuk është i vetmi vend ku bashkëveprojnë serbët dhe kosovarët e qytetit të Gjilanit.

Sabedin Isufi, pronar i “Market Dini”, në qendër të qytetit, shpesh frekuentohet nga konsumatorë të komunitetit serb. Sipas tij, politika nuk ka ndikuar fare në punën e tij dhe si pronar i biznesit, çdo konsumator është i barabartë për të.

“As tani as më parë kur ka pasur kriza në dialogun Kosovë-Serbi dhe tani së fundmi edhe në Veri të Mitrovicës, për ne si market nuk ka ndikuar asnjëherë në punën tonë me serbët që jetojnë në qytetin tonë”, tha Isufi.

“Ne e kryejmë punën tonë me secilin klient në mënyrë të barabartë, nuk mund të bëjmë dallime”, shtoi ai.

S’ka statistika për numrin e bizneseve serbe në Gjilan

Të pyetur për numrin e bizneseve të udhëhequr nga serbët lokal në Gjilan, zyrtarët e kësaj komune kanë konfirmuar për KosovaLive, se nuk kanë statistika të sakta. 

“Rreth statistikave të cilat i keni kërkuar për numrin e frekuentimit të pakicës serbe, nuk kemi si komunë ndonjë statistikë të tillë”, ka thënë Besart Selimi, zëdhënës në Komunën e Gjilanit.

Komuna e Gjilanit, siç e dini ka një ‘treg të produkteve’ në të cilat pakica serbe shet produktet e tyre aty. Gjithashtu edhe Tregu i Gjelbërt i komunës, është një treg që vizitohet edhe nga komunitet jo shumicë”.

Ndërkohë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, theksojnë se të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime, iu garantohen të drejtat me Kushtetutë.

Kushtetuta e Kosovës, e miratuar në vitin 2008, parashikon të drejta të garantuara për të gjitha komunitetet, duke përfshirë edhe komunitetin serb”, porse këto të drejta sipas tyre shpeshherë nuk respektohen për komunitetin serb. 

Me gjithë këto të drejta të garantuara në ligj, ka pasur shqetësime dhe sfida në implementimin e tyre. Përdorimi i gjuhës serbe në administratën publike dhe në sistemin e arsimit, ndonjëherë ka hasur në vështirësi, dhe ka pasur raste të shqetësimeve të komunitetit serb në lidhje me përfaqësimin e tyre politik në disa komuna”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie, dhënë KosovaLive. 

Dialogu vazhdon të jetë sfida kryesore

Ministria pohon se një nga sfidat kryesore ende mbetet normalizimi i raporteve mes dy komuniteteve, dhe theksojnë faktin se angazhimi i përbashkët ndikon në harmonizimin e marrëdhënieve.

“Procesi i normalizimit dhe normalizimi i marrëdhënieve ndëretnike kanë qenë dhe ende janë sfidat kryesore për Kosovën. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për çështjet e ndërsjella ka qenë në vijim, dhe është e rëndësishme që të vazhdojë bashkëpunimi dhe angazhimi për të siguruar respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Vetëm përmes këtij angazhimi të përbashkët mund të ndërtohet një shoqëri e ndërthurur dhe e harmonizuar, e cila e respekton diversitetin e saj kulturor dhe etnik”, theksohet në përgjjen e ministrisë.

Ministria për Komunitete dhe Kthim pohon se janë të përkushtuar në krijimin e një klime bashkëvepruese në vendet e punës, teksa theksojnë se ekzistojnë edhe sfida në këtë proces.

Kosova është një vend me sfida të ndryshme etnike dhe politike. Për të respektuar të drejtat e komuniteteve etnike, ekziston një përpjekje e vazhdueshme nga institucionet qeveritare për t’u siguruar që të gjithë individët, pavarësisht prej prejardhjes së tyre etnike të kanë qasje të barabartë në tregun e punës dhe të trajtohen me drejtësi në vendin e tyre të punës”.

Njohësi i zhvillimeve politike, Mazllum Baraliu, potencon se problemet politike midis dy komuniteteve reflektohen negativisht nga e gjithë shoqëria dhe se kjo në fakt, nuk është ajo çfarë duan qytetarët e thjeshtë të një vendi.

 “Sigurisht që çdo shqetësim, tension në një pjesë të vendit, kudo qoftë ajo, ndikon në disponimin e përgjithshëm të publikut dhe të çdo qytetari, veçanërisht në Kosovë. Çdo gjë që qytetarët dëgjojnë, që dikund diçka po ndodh, është shqetësuese, dhe natyrisht që ndikon në disponimin e tyre”, ka theksuar Baraliu për KosovaLive. 

Njerëzit kanë dëshirë që të jetojnë në paqe, të qetë dhe të jetojnë të gjithë bashkarisht në ko-ekzistencë paqësore”. 

Baraliu thekson se fusha e ekonomisë dhe biznesit nuk njeh probleme midis dy komuniteteve, teksa shton se gjuha bashkëpunuese midis tyre është bashkëvepruese dhe tolerante.

Përndryshe, vetëm barrierat kur janë të patejkalueshme, kur thjesht nuk mund të kalojë kamioni, nuk mund të bartet malli, nuk mund të lidhet kontrata, ose lidhet por nuk mund të zbatohet, vetëm atëherë ato barriera mund të shkaktojnë pakënaqësi, sigurisht në biznese dhe te qytetarët, por përndryshe jo. Biznesi, marrëdhëniet ekonomike, vazhdojnë te njerëzit, qoftë ndërmarrjet e ndryshme, kompanitë, qoftë individët, qytetarët, edhe kur ka vështirësi dhe barriera të ndryshme politike”, thotë njohësi i zhvillimeve politike, Mazllum Baraliu.

Kosova s’ka barriera për bizneset serbe 

Lulzim Beqiri, ekspert i ekonomisë, duke komentuar ndikim e mundshëm të politikës mes komunitetit serb dhe atij kosovar, thekson për KosovaLive faktin se politikat e Serbisë, mund të zbehin edhe bashkëpunimin mes bizneseve.

Ka një lloj bashkëpunimi mes biznesmenëve shqiptarë dhe atyre serbë por që është i nivelit të ulët duke marrë për bazë edhe ndikimin që kanë biznesmenët serbë nga shteti i tyre, i cili ende pretendon se Republika e Kosovës është pjesë e saj, madje, e ka edhe në Kushtetutën e tyre. Njëkohësisht, nuk pranon edhe dokumentacion nga Republika e Kosovës, dhe rrjedhimisht mund të ketë vështirësi më të mëdha sa i përket bashkëpunimit në mes biznesmenëve kosovarë dhe atyre serbë”, thotë Beqiri.

Ai shton se Kosova nuk paraqet ndonjë barrë për biznesmenët serb, derisa thekson se është shteti i tyre ai që është barrierë për ta.

Mendoj se nuk ka asnjë barrierë që Kosova i vë biznesmenëve serbë përveç faktit që ata janë barrë ose barrierë e vet shtetit të tyre, Serbisë, e cila nuk njeh dokumentacionin e Republikës së Kosovës. Madje, në shumë produkte që ata prodhojnë, në mbishkrimet e tyre ka produkte të cilat i quajnë si produkte të destinuara për ‘Kosovën e Metohinë”, për këtë arsye edhe mund të haset në problematika që nuk do duhet të lejohen sepse çdo produkt që vjen nga jashtë duhet t’i drejtohet si Republika e Kosovës, e cila është njohur me mbi njëqind shtete”, shtoi ai.

Sipas Beqirit, ende nuk janë pjekur kushtet që të ketë bashkëpunime të thella mes dy vendeve, duke marrë parasysh faktin se Serbia nuk ka kërkuar ende falje për krimet e bëra ndaj Kosovës.

Në një hulumtim të organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut për vitin 2021 “Analiza e trendeve” , thuhet se “70 për qind e të anketuarve në komunat me shumicë serbe në Kosovë nuk ndihen të lirë t’i shprehin publikisht pikëpamjet politike”, ndikimi i politikës në marrëdhëniet bashkëvepruese, me theks të veçantë ato ekonomike, nuk ka pasur ndikim”. 

Kurse, Organizata “New Social Initiative “ (NIS), në një raport të publikuar thekson se, për 98 përqind të shqiptarëve dhe 89 përqind të serbëve të anketuar, gëzojnë marrëdhëniet më të mira ndëretnike, që ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Por, një shumicë e të anketuarve gjithashtu kanë shprehur kënaqësitë e tyre sa i përket marrëdhënieve ndëretnike në përgjithësi.

“61 për qind e të anketuarve kanë thënë se gjendja e marrëdhënieve ndëretnike është e mirë ose e shkëlqyer në komunat e tyre përkatëse. Gjendja e marrëdhënieve ndëretnike në nivel lokal shihet më e favorshme edhe nga të dy komunitetet, ku 46% e serbëve dhe 71% e shqiptarëve besojnë se kjo çështje është e mirë apo e shkëlqyer në komunat e tyre”, thuhet në hulumtim.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë Gjermane.

Fiona Maliqi, një 23-vjeçare nga Gjilani, po përfundon studimet master në Sociologji në Fakultetin Filozofik të UP-së dhe është e përkushtuar ndaj temave sociale që ndikojnë në shoqëri. Artikulli është realizuar në kuadër të programit Internship & Mentorship të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin,”

Ky program implementohet nga KosovaLive dhe mundësohet nga SustainMedia, një projekt i GIZ, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI