Me shumë vështirësi e kreu shkollimin në Kosovë, e bëri të pamundurën që ëndrra e tij e fëmijërisë të bëhet realitet, ënderr kjo mjekësia, profesion që e konsideron shumë human.
Filloi punën një vit më parë si infermier në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Malishevë, por jo për të punuar gjatë, sepse tani e mendon largimin nga Kosova.
Valton Mazreku tregon se cilat janë arsyet që vendosi të largohet nga Kosova dhe të lëshojë vendin e punës për ta vazhduar në një shtet tjetër.
“Pas shumë vështirësive realizova ëndrrën time dhe fillova të shkollohesha në këtë fushë, shkollën e mesme të mjekësisë dhe Fakultetin e Infermierisë në Universitetin e Prishtinës. Pas përfundimit të studimeve universitare, fillova punën që e ëndërrova, por me kohë vendosa t’i jap vetës një mundësi më të mirë punësimi dhe një pagesë shumë më të mirë,” tha ai.
Sipas Sindikatës së Infermierëve, gjatë këtij viti deri më 1 korrik 2023 Kosovën e kanë braktisur mbi 350 infermierë, e kjo shifër do të jetë afër 850 deri në fund të vitit. Janë edhe mbi 3500 infermierë të tjerë që janë në proces të shkuarjes kryesisht në Gjermani, të cilët kanë përfunduar kursin e gjuhës gjermane, kanë kontrata të punës në klinika në Gjermani dhe shtete të tjera.
Valton Mazreku tregon rreth përpjekjeve për punësim dhe aftësim në profesionin e tij, por jo në Kosovë.
Kursin e gjuhës është duke e përfunduar, e thotë se arsyeja pse e zgjodhi Gjermaninë, është se ky vend po kërkon një numër të madh të infermierëve. Ai thotë se nuk do ta lëshojë nga dora një mundësi të tillë: i ka përfunduar pothuajse të gjitha procedurat që nevojiten për punë atje, dhe brenda muajit beson se do të fillojë punën atje .
”Ndjej keqardhje për vendin tim, sepse u arsimova që të punoj këtu, por që me një rrogë 300-400 euro nuk do të vazhdoj të punojë këtu”, tha ai.
Largimi i mjekëve dhe infermierëve nga Kosova, viteve të fundit, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, është problem i madh dhe shqetësues është numri i lartë i infermierëve që po lëshojnë vendin e tyre.
Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha rrëfen për shifrat alarmuese të infermierëve të larguar dhe shkaqet që po dërgojnë në këte dukuri.
“Infermierët e Kosovës po ballafaqohen me paga të ulëta, kushte të rënda të punës, moszbatimi i kontratës kolektive, shpallja e rrallë e konkurseve për pranim të infermierëve të rinj në punë pavarësisht që ka mungesë të madhe në secilën klinikë, repart….
Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe Qendrat e mjekësisë familjare (QMF) të Kosovës ka mungesë të madhe të infermierëve. Sipas tij, ka shumë reparte ku një infermier duhet të kujdeset për rreth 30 pacientë. Kriza thellohet edhe më shumë gjatë sezonit veror dhe dimëror kur një pjesë e punëtorëve nisin pushimin vjetor. Aktualisht janë rreth 2700 infermierë të papunë.
Infermierët po shkojnë në Gjermani dhe Austri, thotë ai..
“Arsyeja është për shkak të lehtësirave, pagave të mira, kushteve të mira të punës dhe për shkak të kërkesave të mëdha për infermierë që kanë këto vende. Vetëm Gjermania po kërkon mbi 350 mijë infermierë”.
Sipas tij, liberalizimi i vizave do ta lehtësojë ikjen e këtyre infermierëve.
“Liberalizimi i vizave do të lehtësojë edhe më shumë ikjen e infermierëve për në shtetet e Bashkimit Evropian. Infermierët do të kenë mundësi që të shkojnë vet të kerkojnë punë dhe të shohin nga afër kushtet e punës, sepse deri më tani infermierët kanë shkuar për punë në BE përmes agjensioneve të ndryshme për punësim.”
Në ndërkohë, pacientët ankohen se në mungesë të infermierëve në shëndetin publik, nuk mund të marrin shërbime cilësore, për shkak të vonesave të mëdha në shërbime. Po ashtu thonë se aparaturat në shtëpitë e shëndetit, janë shumë të vjetëruara dhe për diagnostikimin e sëmundjeve të caktuara, ata detyrohen të nxjerrin para nga xhepi për të paguar në ordinanca private shëndetësore.
Drilon Gashi ka 5 vite që punon si mjek në Gjermani. Më parë, thotë se kishte punuar një vit në sistemin shëndetësor publik në Rahovec, si mjek i përgjithshëm.
“Shumë arsye për largim, duke filluar nga paga e deri tek sigurimet shendetësore. Puna në Kosovë paguhet pak në krahasim me Gjermaninë. Në Kosovë ‘shumë punë, shumë përgjegjësi, pak para”.
Sipas tij, atje infermierët paguhen 2000+ euro, dhe pa dyshim konsideron se pagesa është një faktor shumë i rëndësishëm në punë dhe po ashtu një faktor se pse po largohen mjekët e infermierët e Kosovës.
“Shumë i rëndë është ky largim nga vendi ku studion dhe ëndrron të punosh me kushte të plota, gjë që nuk na e mundëson Kosova’’.
Këtë e ilustron me shembullin e vet.
‘’Në Gjermani më është ndryshuar jeta për shumë gjëra, duke filluar prej rrogës, që në Kosovë ka qënë diku rreth 500 euro, (ndërkohë që) këtu paguhem mbi 6000 mijë euro. Dhe tash pas disa viteve punë kam mundësi t’i ndihmoj familjës”.
Natyrisht, që edhe këtu një pjesë e rrogës i shkon në taksa, sigurime e shumë nevoja të tjera, por në krahasim me pagën e Kosovës është shumë më ndryshe. Por, jo për të gjithë
“…edhe këtu kam shumë kolegë infermierë që kanë një rrogë rreth 2600 euro, dhe që e kanë problem t’ju ndihmojnë familjarëve të tyre në Kosovë, por që punojnë në kushte të mira të punës edhe sigurisht me sigurime shëndetësore”.
Në të ’30-at e tij, Driloni thotë se nuk e mendon kthimin në Kosovë.
‘’Kur shikoj anët pozitive për të ardhmen time, e mendoj edhe krijimin e familjes sime, dhe pa dyshim që këtu ka prespektivë për të gjitha, punë, familje, e shumë gjëra të tjera që i ofron Gjermania për jetë’’.
Oda e Infermierëve të Kosovës ka njoftuar se deri këto ditë, gjithsej 32 infermierë kanë kërkuar vërtetime për të kaluarën etike dhe 199 kanë kërkuar licencë.
‘’Vërtetimet për të kaluarën etike jane vërtetime që dëshmojnë se personi që është i licencuar në Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) nuk ka bërë shkelje etike dhe nuk i është hequr licenca për shkak të shkeljeve etike”.
Vjet ishin kërkuar 77 vërtetime për të kaluarën etike dhe 472 licenca.
Sipas Odës së Infermierëve të Kosovës arsyet e largimit zakonisht janë: arsyet financiare – paga shumë më të larta në vendet ku shpërngulen, cilësia më e mirë e jetesës në vendin ku emigrojnë, por edhe kushtet më të mira të punës në vendet ku shpërngulen….
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë Gjermane.
Ky program implementohet nga KosovaLive dhe mundësohet nga SustainMedia, një projekt i GIZ, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.