Build Skills with our trainings

Sign up now!

Dhuna ndaj burrave në Kosovë – dukuri e rrallë apo e fshehur?

Nën 20, 2023

Përderisa në secilën media çdo ditë lexojmë lajme mbi dhunën në familje, të rralla janë rastet kur raportohet për dhunën ndaj burrave, veçmas kur ato i krahasojmë me rastet e dhunës që ushtrohet kryesisht nga burrat kundrejt grave.

Nga statistikat që ka Policia e Kosovës vërehet dallim i dukshëm në numrin e rasteve kur viktimat janë gra, në raport me burra. 

Në vitin 2022, nga  2 mijë e 764 raste të dhunës në familje, vetëm 519 prej tyre ishin raste të dhunës ndaj burrave. Në krahasim me vitin 2021, ku në total ishin 500 raste të dhunës ndaj burrave, në vitin 2020 ishin shënuar 469, kurse një vit më herët, më 2019, gjithsej 365 burra kishin raportuar dhunën që ishte ushtruar ndaj tyre në polici.

Ndërkohë, në Kosovë janë prezente edhe rastet e vrasjeve të burrave. Në vitin 2018 ishin shënuar 2 vrasje, në 2019 një. Numër më i lartë i vrasjeve ishte shënuar në vitin 2020 me gjithsej 13 vrasje, 2021 gjithsej 4, dhe 2022 po ashtu ishin vrarë 4 burra në Kosovë. 

Lidhur me këtë Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), thotë se në Kosovë dukuria e dhunës ndaj burrave nuk është tejet e shprehur, ndonëse është prezente.

“Është e vërtetë që ka dhunë edhe ndaj burrave në Kosovë, por shumë më pak se ndaj grave. Dhuna ndaj grave ushtrohet kryesisht nga burrat ose meshkujt, por në disa raste edhe femrat i bashkangjiten kësaj dhune, kryesisht në kontekstin e familjes. Ndërsa dhuna ndaj burrave ushtrohet kryesisht nga femrat, duke filluar nga provokimi deri te dhuna fizike. Ka raste kur ata edhe dëbohen nga banesa nga partneri ose persona tjetër. Dhe në disa raste, në KMDLNJ, kemi parë se dhuna psikologjike dhe fizike ndaj burrave ka përfunduar tragjikisht”, ka thënë ai për Kosova Live.

Ai përmend faktin që burrat hezitojnë t’i raportojnë këto raste.

“Burrat që preken nga ky fenomen mbyllen brenda vetvetes sepse konsiderojnë se u është cenuar krenaria burrërore dhe shumë rrallë i raportojnë rastet për shkak të mundësisë së stigmatizimit. Sigurisht, ky problem shkel të drejtat e njeriut, ashtu si edhe ndaj të gjithë atyre që ushtrojnë dhunë, pavarësisht nga gjinia”, thekson ai.

Midis hezitimit dhe stigmës – burrat s’e raportojnë dhunën

Psikologu, Bind Skeja, i cili është themelues i “Linjës së Jetës”, tregon se përmes kësaj platforme kanë pasur kontakt me një spektër të gjerë të njerëzve që përjetojnë situata të vështira përfshirë edhe ata që janë prekur nga dhuna në familje.

Për fat të keq, Skeja shprehet se burrat raportojnë shumë rrallë, ose fare për dhunën ndaj tyre në krahasim me gratë.

“Ka raste kur edhe burrat raportojnë dhunën por faktikisht në krahasim me gratë ata flasin shumë pak për këtë fenomen. Pra, dhuna ndaj burrave në telefonatat tona është shumë, shumë, shumë më pak e shprehur”, thotë ai për KosovaLive.

Ai konsideron se situata e dhunës ndaj burrave në familje është një sfidë serioze në Kosovë.

“Realisht nuk e di asnjë rast në detaje që na ka telefonuar ku shprehet se një burrë është duke përjetuar dhunë në rrethin e tyre. Nuk e di a ka kjo të bëjë me krenari apo thjesht mungesë të informatave”, potencon ai.

Ndërkohë që numrat tregojnë një rritje të numrit të rasteve të raportuara, është e rëndësishme të theksohet rëndësia e ndërgjegjësimit publik dhe sensibilizimit për këtë çështje.

“Është një detyrë e shoqërisë dhe autoriteteve të sigurojnë që burrat të kenë mundësinë dhe mbështetjen për të raportuar dhe për të dalë nga situatat e dhunës në familje. ‘Linja e Jetës’ është një burim i rëndësishëm i ndihmës dhe mbështetjes për të gjithë ata që janë të prekur nga kjo çështje, dhe duhet të promovohet aktivisht në shoqëri”.

Ndërsa psikologu, Rron Kastrati, thotë se dhuna emocionale dhe abuzimi emocional janë forma të zakonshme të dhunës ndaj burrave dhe se këto forma mund të shkaktojnë pasoja të rënda psikologjike tek ata.

“Dhuna emocionale dhe abuzimi emocional mund të shkaktojnë pasoja të rënda psikologjike. Ai vlerëson se edhe gratë mund të jenë autorë të dhunës ndaj burrave, dhe se kjo është një aspekt që shpesh neglizhohet. Disa gra që ushtrojnë dhunë në formën e presionit psikologjik dhe abuzimit emocional janë viktimat e traumave të përjetuara në fëmijëri dhe adoleshencë. Ata kanë përjetuar rreziqe dhe kërcënime nga bota mashkullore, dhe me kalimin e kohës kanë ndërtuar një muri mbrojtës për të ruajtur integritetin e tyre”, shpjegon Kastrati në një intervistë për KosovaLive.

Aspektin familjar ai e përmend si faktor që mund të ndikojë në frikën apo hezitimin e burrave për tu shprehur për këtë fenomen.

“Në qoftë se analizojmë këtë fenomen kemi raste kur burrat mund të jenë zhvilluar në një familje mjaft të abuzuar, të dhunshme dhe kanë parë, kanë regjistruar pamje të konflikteve në familje dhe shohin situata ku babai ka rrahur nenën atëherë këto në vetvete ndërtojnë tek mashkulli një model frike dhe sigurisht ky model i mësuar atëherë transferohet në subjektin kryesor mjaft të ndjeshëm të natyrës, femrën. Mashkulli ushtron dhunë ndaj femrës varësisht nga situata apo ambienti se ku janë rritur”, thotë ai.

Sipas psikologut Kastrati, dhuna ndaj burrave është e dukshme dhe shohim atë çdo ditë.

“Ka edhe pasoja, por nuk ka mjaft organizata joqeveritare që e mbrojnë këtë pozicion. Ata anojnë nga spektri i dhunës së ushtruar ndaj grave, e cila është e drejtë plotësisht, por ku janë organizatat qeveritare që mbrojnë statusin e një mashkulli në familje, jo në termat patriarkal ose feudal, por në termat e barazvlefshëm shoqëror e të barabartë mes njeri-tjetrit”, thekson tutje ai.



Kosova s’ka organizatë që i mbron të drejtat e burrave

Aktualisht në Kosovë nuk ka organizatë që mbron të drejtat e burrave, por as të atillë që i evidenton rastet e dhunës ndaj tyre.

Kosova Live ka tentuar të kontaktojë me disa organizata, por që ato kanë theksuar se merren vetëm me dhunën ndaj grave, duke mos u përgjigjur kështu në pyetjet e dërguara.

Ndërkohë Kosova tashmë ka miratuar Strategjinë Nacionale kundër Dhunës në familje, por me theks të veçantë tek dhuna ndaj grave.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë më 7 shtator të këtij viti se Këshilli Gjyqësor duhet ta trajtojë me seriozitet çështjen e ndëshkueshmërisë” ndaj kryesve të krimit që ka për bazë dhunën në familje.

“Në këtë drejtim e kemi miratuar strategjinë nacionale kundër dhunës në familje dhe fokusi është të zbatohen rekomandimet. Kemi dy institucione që nuk kemi hasur në mirëkuptim për implementimin e rekomandimeve. Nga janari deri në gusht kemi përfitues nga ndihma juridike. Kemi hequr procedurat burokratike për kompensimin e viktimave të krimit. Kemi bërë ndryshime në kodin penal kemi adresuar dënime plotësuese. Kemi organizuar fushata sensibilizuese. Jemi duke adresuar pakon për punësimin e grave viktima që presim të lansohet gjatë 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në familje. Kemi mbështetur strehimoret me afër 1 milionë euro që është mbështetja më e madhe që u është dhënë strehimoreve”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka deklaruar se pret që rastet e dhunës të trajtohen siç duhet nga të gjitha institucionet, ashtu siç trajtohen nga Policia.

“Uroj që ta kemi lajmin e njëjtë që qytetarët t’u besojnë njëjtë prokurorive e gjykatave ashtu si Policisë. U përmend që është në rritje numri i rasteve. Mendoj që është rritur raportimi edhe për shkak të punës së organizatave të shoqërisë civile. Konsideroj që për shkak të fushatave sensibilizuese e punës së institucioneve është rritur raportimi. Unë shpresoj që kur raportohet dhuna ta merr edhe trajtimin e nevojshëm nga institucionet tjera. Jam optimiste që do të arrijmë t’i reformojmë qendrat për punë sociale. Pres prokurorinë që t’i mbështesin me prova aktakuza”, shtoi Haxhiu.

Ndërkohë në një raport të hartuar nga Këshilli i Evropës, i quajtur “Krijimi i programeve të trajnimit për kryerësit e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave” ndër të tjera thuhet se në Kosovë duhet të bëhet zhvillimi i një legjislacioni specifik që synon krijimin e programeve të detyrueshme dhe vullnetare për kryerësit e dhunës në tërë Kosovën, si dhe të përfshihen masa specifike që synojnë kryerësit e dhunës në familje në verzionin e amandamentuar të Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.

Në raport mes tjerash kërkohet përpunimi i një kornize të saktë politikash për të zhvilluar punën me kryerësit e dhunës në nivelin institucional dhe për të siguruar zbatim të saktë të programeve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira.

 

Florentina Lipovica, nga Kamenica, është studente e U.S. State Department dhe U.S. Embassy në Prishtinë. Përmes tyre, ka përfunduar me sukses programin CCI në Chicago, Illinois në SHBA. Ajo studion Media Digjitale dhe Komunikim, me fokus të specializuar në Edukim Medial dhe Televizion., ndërkohë që vazhdon studimet në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina.”

Artikulli është realizuae në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin,”

 

Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI