Build Skills with our trainings

Sign up now!

Teatri midis të rinjve të pa interesuar për të dhe mungesës së edukimit kulturor

Dhj 31, 2023

Që nga koha kur njerëzit visheshin me kostume e maska dhe këndonin himne për Dionisin, nga koha kur Thepisi kërcente e recitonte në karroca druri, atëherë kur burrat luanin edhe rolin e grave, teatri ka evoluar dhe ka arritur në formatin që ka sot.

Por, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për ta bërë teatrin më atraktiv për audiencën, numri i vizitorëve, veçanërisht i atyre në moshë të re vazhdon të mbetet i ulët.

Audienca që ndjek shfaqje teatrale dallon nga vendi në vend, si për nga mosha e shija artistike deri tek niveli i interesimit për teatër e art në përgjithësi.

Në Kosovë, niveli i interesimit për të ndjekur shfaqje teatrale dallon midis personave të ndryshëm për një numër arsyesh.

Agnesa Bajraliu, 24 vjeçe e viziton teatrin e qytetit shpeshherë, por thotë se mungojnë programe kulturore në qytetin e saj. 

 “Unë jam nga Gjilani dhe nuk ka shumë shfaqje që mund të përcjell në teatër, kjo sigurisht për shkak të interesimit të ulët të të rinjve, por unë vet jam e apasionuar pas teatrit”, thotë Agnesa për KosovaLive. 

Ajo shton se po të kishte shfaqje më shpesh ajo do t’i linte gjitha angazhimet e saj për të shkuar në teatër. 

 “Jam ende në studime dhe e kam kohën e limituar, por për teatër gjej kohë kurdoherë”, shtoi tutje ajo. 

 

“Teatri është një lloj kulture që duhet kultivuar që në fëmijëri”

Ndryshe nga Agnesa, Adem Bislimi, student në Universitetin e Prishtinës thotë për KosovaLive se në Kosovë të rinjtë nuk inkurajohen që në fëmijëri të krijojnë kulturën e frekuentimit të teatrove.

 “Nuk ka një arsye specifike pse nuk e vizitoj teatrin më shpesh. Është një lloj kulture dhe edukimi që mbase niset prej në familje e mbase edhe në shkollë”, ka thënë ai.

Të njëjtën pohon edhe drejtori i Teatrit “Adriana” në Ferizaj, Fatmir Hyseni.

Ai në një prononcim për KosovaLive thotë se përpos gjeneratave më të moshuara të cilët janë të mësuar me teatrin dhe nuk mund të qëndrojnë pa të, ka edhe të interesuar të moshave më të reja, por jo në numër të kënaqshëm.

Prej fëmijërisë ngjallet kureshtja e ardhjes, kjo bën ndoshta që kur ai (fëmijë) të rritet do të vijë në teatër sepse e ka parë një shfaqje të mirë”, ka thotë Hyseni.

Ai pajtohet që duhet të ketë më shumë shfaqje që tërheqin audiencën e re.

“Të gjithë i kanë fajet nga pak, duhet shkruar një dramë për një moshë të tillë. Në vende tjera të zhvilluara del një sociolog, një psikolog, një dramaturg edhe të tjerë dalin dhe bëjnë hulumtim në shkollat e mesme dhe shohin dramat e tyre (të të rinjve) dhe bëjnë drama për ta”, shprehet Hyseni.

 

Teatri ishte gjithçka për ne në të kaluarën

Ramadan Kurti, tash e katër vite i pensionuar nga Teatri i Qytetit të Gjilanit, kujton me mall kohën para çlirimit të Kosovës, kur bënte provat skenike në një sallë të ftoftë të fshatit Përlepnicë të Gjilanit.

Ai tregon me nostalgji se as koha e ftoftë e as pengesat e policisë së asaj kohe nuk e ndalonte perden që të binte në teatër të Gjilanit e teatrot e improvizuara në rrethinë të këtij qyteti.

“Dëshira, puna, mesazhi e dashuria mbi atdheun dhe kulturën shqiptare ka qenë mbi të gjitha. Kemi punuar në kushte jashtëzakonisht të rënda, gjithnjë kemi udhëtuar nga Gjilani në Përlepnicë. Kemi pas pengesa të jashtëzakonshme nga policia serbosllave, por ne megjithatë nuk jemi dorëzuar”, thotë Kurti për KosovaLive.

Sipas tij, në atë kohë, as publikun nuk e ndalte asgjë që të ndjiqte këto shfaqje.

Më kujtohet si sot në ato vite sa shumë shikues kanë ardhur nga Gjilani e trevat përreth” u shpreh ai.

Kurti shprehet se pavarësisht rrethanave dhe kushteve të rënda, puna e aktorit ka qenë domethënëse dhe gjithmonë kanë punuar që të përçojnë mesazhe të ndryshme për të ardhmen e kombit.

“Teatri ka qenë pothuajse gjithçka për qytetin e Gjilanit, ka qenë krenari e qytetit, kemi punuar me zell, s’kemi kursyer asgjë nga vetja që ta përçojmë një mesazh në popull”, thotë ai për KosovaLive.

 

Çka po i pengon tash të rinjtë ta frekuentojnë teatrin?

Aktori në moshë të re, Ergjan Mehmeti, i diplomuar nga Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës, thotë për KosovaLive ekziston një interesim i dobët sa i përket frekuentimit të teatrove për arsye të mungesës së informimit dhe promovimit të duhur nga teatrot, mediat, shkolla e shoqëria në përgjithësi.

Dashuria për artin dhe teatrin i bën aktorët që të mbyllin sytë dhe të vazhdojnë të punojnë që të trajtojnë mirë skenën e teatrit”, shprehet Mehmeti për KosovaLive.

Kjo gjë vërtetohet edhe nga përgjigjet  në një anketë të realizuar nga KosovaLive, ku të rinjtë shprehen se nuk janë mirë të informuar se çfarë do shfaqet në teatro dhe në çfarë kohe.

Nga e njëjta anketë, ka rezultuar se 40% e 50 të rinjve të anketuar, frekuentojnë teatrin vetëm një herë në vit. Ndërsa 15 të anketuar të tjerë nuk kanë qenë asnjëherë në teatër. Ndër arsyet tjera që këta të rinj japin janë: mosinteresimi i mjaftueshëm, mungesa e shfaqjeve atraktive për të rinjtë e deri tek mungesa e kohës së lirë.

Në ndërkohë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë thënë për KosovaLive që në kurrikulat e tanishme MASHT-it është i hapur ndaj artit dhe kulturës e në kuadër të saj edhe promovohen metoda të ndryshme të mësimdhënies e në mesin e tyre edhe vizitat në institucione të ndryshme e ndër to edhe ato kulturore.

“Arti dhe kultura janë pjesë e kurrikulës së arsimit parauniversitar. Në arsimin paraunviersitar ekzistojnë lëndët mësimore që merren me artin dhe kulturën, si arti figurativ dhe arti muzikor, lëndë të cilat mësohen që nga klasa e parë deri në klasën e 11-të”, kanë bërë të ditur në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, dhënë KosovaLive.

Një problem tjetër që vlerësohet se ka ndikuar në interesimin e popullsisë në përgjithësi është edhe pandemia Covid-19.

Në Teatrin “Adriana” pohojnë se pas pandemisë është vërejtur një ndërrim i audiencës së këtij teatri e arsyeja, sipas udhëheqësit të këtij teatri, mund të jetë frika e pavetëdijshme e ambienteve të mbyllura që është krijuar si rezultat i pandemisë.

“Na ka penguar shumë koha e pandemisë, e ka larguar goxha shumë një publik të caktuar prej teatrit, që unë nuk i kam parë të vijnë më në teatër”, ka shtuar Hyseni.

Ndërsa Agjencia e Statistikave të Kosovës, për vitin 2022 ka publikuar statistika për numrin e shfaqjeve dhe premierave në teatro të Kosovës – gjatë atij viti janë realizuar gjithsej 577 shfaqje dhe premiera në teatro, ndërsa numri i spektatorëve ishte 58288 spektatorë gjithsej.

Në një hulumtim të vitit 2015 të Konventës Europiane të Teatrit thuhet se nga analiza e tyre u vërejt se struktura moshore e audiencës në shumë teatro në Europë po shkon drejt grupmoshave më të vjetra, pasi publiku ekzistues po rritet dhe të rinjtë nuk po i vizitojnë teatrot në të njëjtën masë si brezat e mëparshëm. 

Po ashtu nga ky hulumtim thuhet se teatri ende mund të tërheqë me sukses audiencë më të re, edhe në shoqëri ku zhvillimi social dhe ekonomik ka bërë që një pjesë e madhe e popullsisë së re të fokusohet në vlerat materialiste dhe jokulturore.

 

Aurora Salihu, ka përfunduar studimet Bachelor në Gazetari ndërsa tani është studente e vitit të parë në Master, drejtimi Gazetari dhe Kontakte me Publikun në Universitetin e Prishtinës.

Ishte pjesë e një shkëmbimi studentësh për një semestër me programin Erasmus + në Universitetin Nicolaus Copernicus në Poloni dhe pjesëmarrëse në Kongresin Global të Mediave në Abu Dhabi.

Artikulli është realizuar në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin”.

Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI