Organizata mediale KosovaLive para zgjedhjeve lokale të fund tetorit 2017 ka mbajtur tetë punëtori “Votuesit e ri për një të ardhme më të mirë” me të rinjtë të moshës 18 deri 22 të cilët votojnë për të parën herë, si një platformë ku ata do t’i identifikonin nevojat e tyre në komunat ku jetojnë, dhe e cila do të shërbente edhe si stimulim për pjesëmarrje në procesin e votimeve.
Në fokus të këtyre punëtorive interaktive votuesit e rinj janë njoftuar me programet e kandidatëve të cilët garonin në zgjedhje për kryetarë komunash dhe asambleistë, i kanë analizuar premtimet e tyre dhe kanë ngritur problemet me të cilat ballafaqohen ata dhe bashkëqytetarët e tyre.
Në çdo punëtori kanë marrë pjesë dhjetra votues të rinj të cilët në bashkëpunim me trajnerët kanë dekonstruktuar programet politike të kandidatëve për kryetarë komunash dhe nëse këto programe kanë pasur ndikim në orientimin e tyre politik.
Punëtoritë janë mbajtur në qendrat më të mëdha të Kosovës, përfshirë edhe ato me banorë shumicë serbë: Prishtinë, Graçanicë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Veriu i Mitrovicës, Pejë dhe Gjakovë. Të gjitha këto komuna dhe punëtoritë do të portretizohen veç e veç në javët në vijim.
Në zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë të mbajtura më 22 tetor 2017, të drejtë vote kanë pasur gjithsej 1,890,952 qytetarë të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe 18,011 që me të arritur moshën madhore (18 vjet) kanë fituar të drejtën që të votojnë për të parën herë. Nga ky numër, të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor 2017 kanë pasur edhe 3,835 të rinj, por meqë emrat e tyre nuk gjendeshin në fletëvotime ose nuk janë pajisur me dokumente valide të Republikës së Kosovës, poashtu konsiderohen si votues të rinj.
Të drejtën e votës në zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë kanë shfrytëzuar 43.68 për qind votues ose 820 mijë qytetarë me të drejtë vote, në mesin e tyre edhe votuesit e rinj.
Nga ana tjetër, Komisioni Qendor Zgjedhor i Kosovës nga lists votuese ka fshirë emrat e 4,656 personave të cilët në kanë vdekur ose kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare në periudhën qershor–shtator 2017.
Qytetarë e Kosovës kanë votuar në 899 qendra votuese (10 më shumë se në zgjedhjet paraprake parlamentare, respektivisht 2,050 vendvotime (15 më shumë se në zgjedhjet e qershorit të sivjetmë) në 38 komuna të Kosovës.
Në zgjedhje lokale kanë garuar gjithsej 7,091 kandidatë nga 91 subjekte politike: 35 parti politike, 30 iniciativa, 25 kandidatë të pavarur dhe një koalicion, respektivisht 204 kandidatë për kryetarë komunash dhe 6,887 kandidatë për asambleistë.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka siguruar edhe ekipe mobile për të mundësuar votimin edhe 3,200 qytetarëve, të kategorive të veçanta (personat me nevoja të veçanta, të burgosurit, personat me lëvizje të vështirësuar, të sëmurët).
Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, në adresë të Komisionit Qendor Zgjedhor kanë arritur 200 ankesa që në të shumtën kanë të bëjnë me lëshimet apo gabimet gjatë numnërimit të fletëvotimeve, gjegjësisht për shkak të mospërputhjes të të dhënave të future në formularë dhe rezultatet, dhe muingesës sënënshkrimeve tëkomisionarëve kryesorë në vendvotime. Nga kjo arsye, KQZ ka vendosur që të rinumërohen 24 kuti votuese, tri nga to në komunat Prishtinë, Prizren dhe Suharekë për kryetarë komunash, dhe 21 kuti në të cilat është votuar për asambleistë.
Votimet janë monitoruar nga rreth 33,200 vëzhgues të akredituara nga partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje, nga organizata vendore dhe të jashtme, nga institutionet ndërkombëtare, përfaqsues diplomatik në Kosovë, sikur edhe nga mediat vendore dhe ndërkombëtare.
Më 19 nëntor, në 19 komuna është mbajtur rrethi i dytë i zgjedhjeve, me një pjesëmarrje të ulur të – nga gjithsej 1.358.307 qytetarë me të drejtë vote, këtë e kanë shfrytëzuar gjithsej 517.358 ose 38.09 për qind në 1.784 vendvotime.
Në periudhën parazgjedhore, në periudhën e raundit të dytë të zgjedhjeve (19 komuna) dhe pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, organizata mediale KosovaLive njëherësh ka realizuar edhe disa anketa me votuesit e rinj në Kosovë. Synimi i anketave ishte arritja te përgjigja rreth informimit të votuesve kur bëhet fjalë për procesin e votimit, kriteret që ndikojnë që votën e tyre t’ia japin njërit apo tjetrit kandidat. Një pjesë e anketës kishte të bënte edhe me informimin e tyre rreth të kompetencave të komunave.
Në anketën e parë, parazgjedhore, jopretencioze të KosovaLive me votuesit, kryesisht studentë të ri që marrin pjesë në zgjedhje për të parën herë, u përfshinë 40.5 për qind të vajzave dhe 59,5 për qind të djemve.
Planprogramet e partive theksohen si faktori kyç në përcaktimin e votës.
Në pyetjen nëse organizatat studentore kanë ndikim në votën e tyre, madje 52.7 për qind kanë deklaruar – “deri diku”, 20.3% – “pak”, 18.9 % – “aspak” dhe 8.1 për qind – “shumë”.
Në anën tjetër, në pyetjen se a ka ndikim njëri prind në tjetrin apo prindi në anëtarin e familjes në përcaktimin se për kë duhet votuar, 77 për qind të të anketuarve kanë deklaruar – “aspak”, 16.2% – “pak”, 4.1% – “deri diku”, 1.4% – “shumë” dhe 1.4 për qind – “tej mase”
Pjesa dërmuese e të anketuarve ka theksuar arsimin si çështje më të rëndësishme që kandidatët duhet t’i kenë parasysh.