Gjatë punëtorisë 3 ditëshe (16,17 dhe 18 Janar), Kosovalive bashkë me pjesëmarrëset shtjelluan tema që ndërlidhen me rëndësinë e “tregimeve” (rrëfimeve) mbresëlënëse për degradimin ambiental në Kosovë, ndikimin e ngrohjes globale te të varfrit dhe të pasurit, si dhe ndikimin e keqpërdorimit të ujit në jetërat e fëmijëve.
Përmes trajnimit “Eko Vajzat- Tregimtare” vajzat nga profile të ndryshme të studimit kanë mësuar se si shkruhet një raport, si bëhet kontaktimi i burimeve, për cilat çështje duhet kujdesur kur bëhet intervistimi i njerëzve ekspertë të çështjeve të ndryshme, si përdoret kamera dhe si bëhet editimi i videove dhe audios si dhe faza përfundimtare e publikimit.
Njëri grup prej 5 vajzash (Merita Azemi, Eglantina Shala, Drita F. Berisha, Albijana Gashi si dhe Jetmire Gashi) ka prodhuar foto storie që lidheshin me problemet ambientale në Kosovë, si mbeturinat, papastërtia, lumenjtë e shumë të tjera.
Një grup nën monitorimin e Njomza Berisha kanë prodhuar një video storie për Azbestin si helmues i pavetëdijshëm, ndërsa një grup tjetër nën monitorimin e Fjolla Hajrizaj kanë prodhuar video storien “Mallëngjimi për lumenjtë e dikurshëm të Prishtinës”.
Në fund pjesëmarrëset në punëtorinë Eko-Vajzat Tregimtare u pajisën me çertifikata dhe videot e fotografitë e tyre u postuan në faqen e KosovaLive.
Një pjesë e këtij programi është subvencionuar nga Komuna e Prishtinës.
Këto janë disa nga fotografitë e prodhuara nga Eko-Vajzat Tregimtare!
“Mbeturinat janë një problem i madh në Prishtinë të cilat ndikojnë në ndotjen e ajrit Kjo ndodhë si pasojë e mosinformimit të banorëve,mospasjes së ndëshkimeve nëse banorët nuk ndajnë mbeturinat, si dhe për shkak të përzierjes së mbeturinave pasi merren nga kontejnerët. Aktualisht, veni i jonë ka një problem mjaft të madh me ndotjen si pasojë e mbeturinave, kryesisht ato të plastikës dhe mbetjet spitalore, por edhe nga barnat e skaduara.” Prishtinë, 23.01.201
“Papunësia dhe varfëria janë dy nga problemet më thelbësore të Kosovës. Në vitin 207, rreth 30% e popullësisë ishte e papunë, ndërkaq papunësia te të rinjtë ishte 55.90%. Varfëria është edhe më e theksuar te të moshuarit, pasi që pensioni bazë që i jepet çdo qytetari mbi moshën 65 vjecare pa asnjë kusht është vetëm 75 euro.”
“Ndotja e ajrit është ndër problemet më të mëdha shëndetësore dhe mjedisore në Kosovë. Këtë vit Organizata Boterore e Shendetësisë e cilësoi ndotjen e ajrit si rrezikun më të madh në botë për shëndetin dhe mjedisin.” Fshati Llukar, 23.01.2018
“Nga djegja e hamullorëve dhe barit të thatë mund të shpërthejnë zjarre massive dhe shpërndarje të zjarreve nëpër vendbanime apo pyje. Duke rrezikuar të shkaktojnë dëme të mëdha qofshin ato të natyrës ekonomike, të rrezikimit të jetës së qytetarëve dhe ambientit, këto djegie nuk i ndihmojnë asgjë tokës punuese, vetëm sa e degradojnë atë”
“Kjo foto eshte bërë në qytetin e Gjakovës, ku shihet djegja e gomave, vendi i rrethuar me mbeturina, ku ka edhe shtëpi. Ligji per mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave. Me ligj dënohet çdo person që kryen një veprim të tille. Dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kontribuojnë në zhvillimin e kancerit të mushkërive, dëmtojnë lëkurën dhe shkaktojnë probleme të tjera shëndetësore.”
“Përkundër investimeve të mëdha në Kosovë, degradimi ambiental dhe infrastrukturorë në shumë vende është ende problem për fëmijët që udhëtojnë për në shkollë apo të rinjve për në punë.”
“Djegësit e thëngillit janë ndër ndotësit më të mëdhenj ambiental në Kosovës. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kontribuon me 8 deri në 10 për qind të ndotjes totale në vend.Në veçanti problem i madh janë djegiet e thëngjillit nga shtëpitë private të cilat nuk i kanë filtra në djegie. ” Prishtinë. 05/02/2018
“Shpyllëzimi është një nga problemet serioze me të cilat po ballafaqohet Kosova. Prerja e pyjeve po shkakton dëme ambientale dhe financiare në vend, duke kontribuar në erozion, në ngrohjen globale dhe çregullimin e habitatit të kafshëve dhe shpezëve.”
“Në Kosovë një banor krijon 1.4 kilogram mbeturina. Rreth 317 kilogramë mbeturina gjenerohen mesatarisht për kokë banori për një vit. Në Kosovë, vetëm 10 përqind e mbeturinave mund të riciklohen, por deri më tani ka munguar subvencionimi nga institucionet për të mbështetur këtë qasje për mbrojtjen e ambientit.”