Build Skills with our trainings

Sign up now!

Me sytë nga Europa, punëtorët e rinj sfidojnë rëndë bizneset vendore

Sht 17, 2023

Maliq Kosumi nga Gjilani, pronar i një furre në këtë qytet thotë se nga ikja e punëtorëve po dëmtohet edhe biznesi i tij. 

“Ka shumë faktorë që më bëjnë m’u ndje keq për standardin e punës në Kosovë. Në përgjithësi, mungon aftësimi profesional i shumë prej zanateve që ushtrohen këtu në Kosovë. Ikja e të rinjve nga Kosova, është e padiskutueshme që po e dëmton edhe biznesin tim në aspektin e klasës punëtore”, theksoi ai për KosovaLive.

Shumica e punëtorëve të larguar, sipas tij, kanë shkuar në Gjermani. 

“Unë personalisht si një punëdhënës, krejt rastet që i kam që e kanë lanë punën, është ajo që iu kanë bë vizat gjermane”, tha Kosumi.

Ai thotë se ua ka ngritur pagat punëtorëve me rritjen e inflacionit.

Si pasojë, na e kemi gjetë alternativën, pasi që e kemi ngritë çmimin e shitjes, e si rrjedhojë janë rritë edhe pagat në atë nivel sa janë edhe kërkesat e klasës punëtore”, thekson ai.

Mungesa e perspektivës, kushtet jo të kënaqshme në punë, por edhe mosbesimi në institucione, po vlerësohen si disa nga faktorët që po shtyjnë të rinjtë të largohen nga Kosova. Teksa shifrat e njerëzve që po largohen për punë në vendet evropiane janë alarmuese, edhe bizneset vendore janë “në hallë” për punëtorë. 

Kosumi thotë se ikja e të rinjve po imponohet pasi nuk po krijon kushtet e duhura për punëtorët në Kosovë.

Ikjen nuk e shikoj si diçka të keqe, ajo nuk kish’ ndodhë nëse ne kishim kriju’ kushte më  të mira. Shteti si shtet, nuk ka bë kurgjë në favor të qytetarëve të vet. Ka krijuar këto ligje që nuk i përshtaten klasës punëtore në vend, që ne si punëdhënës vetëm i aplikojmë. Tash vendi po i paguan penalltitë  bumerang, gjë që është shumë normale”, thotë biznismeni gjilanas me nënshtetësi zvicerane.

Sipas Kosumit, për të bërë një jetë të dinjitetshme në vend, paga minimale duhet të jetë së paku 700 euro.

Ndërkohë moshat e reja dhe të mësme janë dy kategoritë që më së shumti po largohen nga vendi.

Gjilanisi rreth të 30-tave, Xhemajl Demi, thotë për KosovaLive se ka dalur në mënyrë të organizuar në Kroaci, për të siguruar një jetesë më të mirë.

Gjatë vitit të kaluar kam dalë në Kroaci për me punu punë krahu. Atje kemi dalë së bashku me një grup të punëtorëve, kemi qenë afër 30 veta të organizuar prej këtu”, thotë ai.

Përkundër këtij vendimi të vështirë që kishte marrë, Demi thotë se ka punuar 5 euro për orë, dhe se, marrë parasysh të gjitha shpenzimet, nuk ia ka vlejtur.

“Puna ka shkuar shumë mirë, edhe pse paga s’u kon diçka shumë që me ia vlejtë me lëshu Kosovën. Jemi pagu’ 5 euro ora diku, po kemi pasë edhe shpenzime të mëdha se kemi pagu’ banesë e gjana ushqimore. Unë për veti u ktheva më së shumëti shkaku i ushqimit të thatë, ia nisa edhe me pasë probleme shëndetësore, dhe vendosa me u kthy se e pash që s’po ia vlen”, thotë ai.


Nuk ia vlejke, edhe fitimi nuk dilke aq i madh sa me ndejtë, po edhe me probleme shëndetësore” shtoi ai.

Megjithatë, Demi tha se nëse do t’i ipej mundësia, do të provonte migrimin në ndonjë vend tjetër perëndimor për të siguruar një jetë më të mirë.

Për 5 vjet 170 mijë kosovar lëshuan vendin 

Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat bëjnë të ditur për KosovaLive se përgjatë 5 viteve të fundit 170 mijë persona në total e kanë lëshuar vendin. 

Vetëm gjatë vitit 2018 vendin e kanë lëshuar 28,164 persona, kurse në vitin 2019, 34,913 persona. Në vitin 2020, ka pasur rënie të numrit të personave që kanë migruar, ku vetëm 8,724 kanë lëshuar vendin, shkaku i situatës së pandemisë.

Në vitin 2021, ka pasur ngritje të menjëhershme, edhe më shumë se vitet tjera, ku  42,673 persona kanë migruar. Në vitin 2022, del se mbi 60 mijë persona kanë ikur nga Kosova.

Ndërkaq, edhe institucionet publike po hasin në probleme.

Nga Oda Ekonomike e Mjekëve kanë bërë të ditur për KosovaLive se vetëm në 7 mujorin e parë të këtij viti, mbi 100 punëtorë shëndetësorë e kanë lëshuar Kosovën.

“Gjatë 6 viteve të fundit, Kosovën e kanë lëshuar rreth 600 mjekë. Pothuajse 98% e tyre të papunë apo në proces të shkollimit specialistik. Në këtë 7 mujorësh janë larguar mbi 100”, ka theksuar kryetari i Odës Ekonomike të Mjekëve, Pleurat Sejdiu për KosovaLive. 

Çka po i shtynë punëtorët ta lëshojnë Kosovën?

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një intervistë për KosovaLive thotë se mungesa e punëtorëve është parashikuar që do të ndodhë qysh para 5 vitesh.

Ai thotë se arsyeja kryesore se pse po ikin qytetarët e Kosovës janë pagat e dobëta që po ofrohen në vend.

“Mungesë dhe ikje të punëtorëve ka në gjithë botën, megjithëse në botë nuk është se është ndonjë arsye në veçanti. Tek ne arsyeja prioritare është paga që marrin, pagë e cila nuk mbulon koston e jetesës as për dy javë ditë. Këtu luan rol edhe fakti që pagat tona janë jashtëzakonisht shumë të vogla, nuk kemi sigurime shëndetësore, nuk kemi mbikëqyrje të Ligjit të Punës dhe marrëveshjeve kolektive”, tha ai.

Azemi thotë se punëtorët në Kosovë në bazë të pagave që marrin, sigurojnë vetëm kostot e ushqimit, e nuk mund të arrijnë të krijojnë një bazë të mirë financiare për gjëra tjera.

“Një punëtor në Kosovë mund të punojë edhe për 30 vite rresht dhe pos shpenzimeve të ushqimit, ai nuk mund të sigurojë një bazë më të mirë materiale për vetveten dhe kjo e bën të arsyeshme që punëtorët, sidomos në tre vitëshin e fundit, në mënyrë euforike janë duke ikur dhe që tash po shihen pasojat pasi që nuk ka ndërmarrje në Kosovë që nuk ka mungesë të punëtorëve, e sidomos atyre të kualifikuar”, shton ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi komunal i Gjilanit, Besart Selimi, në një përgjigje për KosovaLive  konfirmon se është evidentuar se ka mungesë të punëtorëve, e sidomos atyre të profilizuar.

“Komuna e Gjilanit nuk ka ndonjë statistikë reale për numrin e ikjeve/daljeve të të rinjëve, ndërsa nga takimet e kryetarit të Komunës me bizneset, është evidentuar që mungesa më e madhe është e personave te profilizuar”, ka thënë Selimi. 

Ekzekutivi me platformë për punë, për t’a zbutur migrimin

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e sheh si shqetësuese ikjen e të rinjve nga vendi, porse sipas tij po punohet vazhdimisht që ky trend të mos rritet tutje. 

“Për ne është shqetësues migrimi i të rinjëve jashtë vendi. Pa dyshim mungesa e kushtet të favorshme të punësimit por edhe pamundësia për t’u punësuar në profesionin e tyre kanë ndikuar ndër vite në gatishmërinë e të rinjve për të migruar”, thotë ai. 

Kryeziu veçon drejtësinë dhe punësimin si prioritetet e qeverisë Kurti.

“Për qeverinë tonë dy prioritet kryesore janë drejtësia dhe punësimi, sidomos i të rinjve dhe grave. Në njërën anë, nëpërmjet luftimit të krimit dhe korrupsionit dhe reformës në drejtësi po synojmë që ndër të tjera të rrisim besimin e qytetarëve ndaj institucioneve” shtoi ai.

Sipas tij, kjo qeveri e sheh reformën në arsim, duke e lidhur me tregun e punës, si mundësi për rritjen e punësimit.

Kryeziu përmendi edhe platformën “superpuna”, e cila sipas tij synon të rrisë punësimin, duke iu mundësuar bizneseve të marrin punëtorë dhe të paguhen nga ekzekutivi për një periudhë 6 mujore, me pagë minimale sipas ligjit në fuqi.

“Tash së fundmi kemi lansuar edhe masën më të re të punësimit për të rinjtë e moshës 18-25. Deri tani janë mbi 1000 punësime që janë realizuar përmes platformës superpuna. E gjithë kjo në shërbim të rritjes së punësimit dhe nivelit të kënaqshmërisë që pastaj ulë edhe gatishmërinë për migrim”, përfundoi ai.

Pagat minimale dhe kushtet e rënda në punë – arsyjet kryesore të migrimit

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, në një intervistë për KosovaLive thotë se nëse vazhdon ky trend i ikjes së të rinjve, Kosova së shpejti do ballafaqohet me një krizë të thellë ekonomike.  

“Kosova dalëngadalë po hyn në një krizë të thellë sa i përket fuqisë punëtore. Andaj Qeveria e vendit njëkohësisht edhe mekanizmat e tij vendimmarrës duhet të hartojnë politika mbështetëse për sektorin privat, për punëtorët e Republikës së Kosovës, sepse me trendin aktual Kosova shumë shpejt do të jetë pa fuqi punëtore sepse qytetarët janë duke kërkuar një jetë më dinjitoze, një jetë më të mirë një pagë më të mirë andaj jemi në situatën ku jemi”, ka thënë ai. 

Shkak i largimit të punëtorëve, sipas Beqirit janë pagat e ulëta, mossiguria në punë dhe vdekjet e shumta të punëtorëve në vendin e punës që ndodhin në sektorin e ndërtimarisë. 

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë Gjermane.

Albin Jashari, një 24-vjeçar nga Gjilani, po përfundon studimet master në Gazetari në Universitetin e Prishtinës. Ai është një pasionant i gazetarisë dhe është i përkushtuar për të pasuruar shkathtësitë e tij në këtë fushë. Artikulli është realizuar në kuadër të programit Internship & Mentorship të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin,”

Ky program implementohet nga KosovaLive dhe mundësohet nga SustainMedia, një projekt i GIZ, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI