Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vlerëson formimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës si një ndër arritjet më të mëdha të saj gjatë mandatit të saj si presidente.
Ajo deklaroi kështu gjatë një takimi, të mërkurën, në ambientet e organizatës mediale KosovaLive, ku para mbi 30 vajzave foli për sfidat e të shërbyerit si presidentja e parë grua.
Në bashkëbisedim me vajzat, shumica prej të cilave janë pjesë e aktiviteteve dhe projekteve të realizuara nga KosovaLive, anëtare të Global Girl Media Kosova, pjesëmarrese në projektin Eko-Vajzat Tregimtare, në Vetë-Tregimet dhe në WikiGap, ajo foli edhe për aktivitetin e saj në empanicipimin e gruas gjatë dhe pas mandatit të saj.
“Ka qenë lehtësim shpirtëror për mua, pas dëgjimit të përvojave personale të grave të cilat kanë përjetuar dhunime nga më të rëndat, si prerja e gjirit, përjetimi i fikjeve të cigareve në trupat e tyre, dhe durimi i prerjeve nga dhunuesit, që kanë lënë shenja trupore tek ato nga plagët që nuk patën rast të trajtohen dhe shërrohen,” tha Jahjaga duke i referuar formimit të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.
Presidentja diskutoi me vajzat përvojat e saj me mediat dhe rëndësinë e hulumtimit dhe të raportimit me ndjeshmëri. Ajo foli për rastet konkrete kur mediat kanë diskutuar veshjet, dukjen, dhe aksesorët e saj, duke zhvendosur vëmendjen dhe duke humbur rastin për të informuar publikun për diskutimet e rëndësishme politike.
“Si grua përballohesh me më shumë paragjykime, se sa meshkujt. Për atë duhet të luftosh me më shumë mund dhe më shumë këmbëngulje,” tha ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Për më shumë foto nga kjo ditë, KLIKO KËTU!