Erlida Mulaku
Braktisja e shkollës nga moshat e reja, është bërë dukuri shqetësuese në Kosovë. Ndonëse arsimi është i obligueshëm, shumë vajza e djem nuk arritën të përfundojnë as nëntë-vjeçaren.
Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, braktisja e shkollimit të obliguar nga fëmijët prej vitit 2020-2022 është 0.04%, ndërsa statistikat për fëmijët të cilët kanë mbetur jashtë shkollës ka rënë nga 3.6 % në vitin 2020 në 3.4 në vitin 2022.
Koordinatorja për të drejtat e njeriut nga MASHT-i, Merita Jonuzi, rrёfen pёr ekzistimin e njё ekipi pёr parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mosregjistrit në nivel nacional.
“Mbi këtë bazë, shkollave u është krijuar lehtësia e identifikimit, trajtimit dhe referimit të rasteve (në kohë reale) sipas legjislacionit në fuqi, mirëpo me gjithë trajnimet, sesionet informative në disa shkolla dhe në të gjitha DKA-të, ka nevojë të shtrirjes së informacionit në çdo shkollë,” tha Jonuzi për KosovaLive.
Sipas koordinatores, komunat me numrin më të madh të fëmijëvë që braktisin shkollimin obligativ janë Prishtina, Peja, Gjakova, Vushtrria.
Ndërkohë statistikat tregojnë që vetëm gjatë vitit 2022, 100 nxënës e braktisën shkollën në nivel vendi.
Numri më i madh i braktisjes u regjistrua në arsimin e mesëm të lartë.
Gjithsej 900 nxënës të tjerë të Kosovës nuk vijuan shkollimin gjatë vitit 2020-2021.
Madje, në këtë periudhë Kosova regjistroi 12 mijë nxënës më pak.
Arsyet më të shpeshta që çojnë në braktisjen e shkollës, sipas ekspertëve janë kushtet jo të mira ekonomike, kur fëmijët po detyrohen të punojnë. Në raste të tjera, vajzat detyrohen të lënë shkollimin, numër i madh evidentohet te komunitet.
Prindi i një fëmije që e ka braktisur shkollimin, thotë se fëmija i tij nuk e vijon mësimin për arsye shëndetësore dhe financiare të familjes.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore time, djali nuk ka mujt me shku’ më në shkollë. Veç deri në klasë të gjashtë ka shku’ e tash po punon e po e mban familjen”, tha për KosovaLive ky prind që deshi të mbetet anonim.
Djali i tij tashmë 16 vjeçar nuk pranoi të fliste për këtë temë.
Fëmijët e komuniteteve më të prekurit nga fenomeni i braktisjes
Sipas drejtoreshës së sh.f.m.u “Gjergj Fishta”, Sanije Zhitija, arsyet e braktisjes së shkollimit nga fëmijët janë rrethanat familjare si mospërfshirja e familjes, neglizhenca e familjes, ekuilibri jo i duhur prindëror i familjeve.
“Fatkeqësisht prindërit shumë shpesh janë të papërgjegjshëm, ‘dorëzohen’ lehtë dhe shprehen të pafuqishëm për bashkëpunim. Puna e tyre me orare të gjata dhe sigurimi i ekzistencës – mbijetesa i bënë ata neglizhent ndaj rastit por edhe mosndjekja ligjore nga organet kompetente i len ata në ‘komoditetin e mosinteresimit”’, shtoi drejtoresha.
Ajo tregon për një rast kur një nxënës është trajtuar nga shkolla.
“Nxënësin D.R e kemi trajtuar që nga klasa e 4-të dhe e kemi mbajtë në shkollë duke përdorë strategjitë e caktuara vit pas viti konform nevojave dhe kërkesave (vizitave në shtëpi, takimi me nxënësin në marrëveshje me prindin – simulim i takimit të rastësishëm te këndi i preferuar i nxënësit). Organizimi i turnirit në futboll-referimi i lojës dhënia e rolit- përfshirja për ta bërë të dobishëm dhe të ndjehet mirë. Kthimi në shkollë pas pandemisë, deri te organizimi i provimeve klasore si shansi i fundit për ta marrë klasën paralel me gjeneratën. Mbështetja ka përfunduar aty ku kanë përfunduar kompetencat e shkollës si institucion”, thotë Zhitija.
Bazuar në statistikat e MASHT-it, Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, braktisja e shkollimit është e një shkalle të ulët, por si fenomen konsiderohet më i pranishëm dhe shqetësues tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
“Ne si koalicion konsiderojmë se kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, sepse e drejta për arsim është e drejtë e garantuar me të gjitha instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Madje, edhe me legjislacionin në Kosovë edhe përmes kushtetutës dhe të gjiytha ligjeve të tjera, nuk është vetëm e drejtë por edhe obligim i të gjithë personave dhe shoqërisë që fëmijëve t’iu mundësojmë dhe t’iu garantojmë shkollim falas. Sipas të dhënave të ASK-së në bashkëpunim me UNICEF, raporti i fundit tregon se braktisja e shkollave vazhdon të mbes një problem sidomos te komunitetet romë, ashkalinj, egjiptianë”, thuhet në një përgjigje të KOMF.
Sipas KOMF, arsyet për ekzistimin e kësaj dukurie jane të ndryshme duke filluar nga ekonomia familjare e deri tek problematikat sociale.
“Mund të përmendim statusin e ulët ekonomik të familjeve që përbën një risk të madh te braktisjes së shkollës nga fëmija, probleme të ndryshme familjare si për shembull dhuna në familje dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj saj të cilat zbehin rëndësinë e shkollimit tek fëmijët, si dhe problematika të shumta sociale të grupeve më të cënueshme të cilat sigurisht reflektohen tek qeniet më të brishta që janë fëmijët.” pohon ky koalicion.
Me moton “Mundësi të barabarta për të gjithë”, në Kosovë nga 20-29 nëntor 2023 është shënuar java kundër braktisjes së shkollimit.
Fadil Kqiku, profesor në Shkollën Ekonomike “Marin Barleti” në Gjilan thotë se braktisja e shkollimit nga nxënësit është dukuri shqetësuese në gjithë vendin, ndonëse tij janë krijuar tashmë mekanizma për t’i evituar këto raste.
“Shkaqet e braktisjes se shkollimit janë të shumta, por kryesore konsiderohen kushtet ekonomike-punësimi i hershëm (që është i shprehur në arsimin parauniversitar), emigrimi, mosbashkëpunimi i prindërve me organet e shkollës, mospërshtatja e nxënësve ndaj rregullave të shkollës etj”, thotë ai.
Ndërkohë sipas Kqikut, për parandalimin e kësaj dukurie janë të formuara Ekipet për Parandalim dhe Reagim ndaj Braktisjes dhe Mosregjistrim (EPRBM) sipas udhëzimit administrativ neper te gjitha shkollat.
“Detyrat e këtij ekipi janë gjetja e mundësive dhe bashkëpunimi me të gjithë akterët relevant për ndërmarrjen e masave për parandalimin e braktisjes së shkollës”, thotë ai.
Ai ka bërë të ditur se po ashtu në kuadër të SMIA-së (Sistemi për Menaxhimin e informatave) në kuader të MSHT-it, është formuar edhe një sistem i veçantë SPH – Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm që shkollat janë të obliguara t’i evidentojnë rastet e braktisjes.
Institucionet arsimore bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve duhet të kujdesen për pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje në arsim cilësor, duke siguruar zhvillimin e fëmijëve brenda potencialit të plotë.
Ndërkohë UNICEF në partneritet me USAID është duke i mbështetur 8 Qendra Mësimore të udhëhequra nga Balkan Sunflowers Kosova dhe Bethany Christian Services nga të cilat përfitojnë shërbime edukative mbi 1,023 fëmijë. Po ashtu, përmes partnerit implementues ECMI, Kosova është duke u punuar në ngritjen e kapaciteteve të EPRMB-ve në parandalimin, adresimin dhe menaxhimin e rasteve të braktisjes së shkollimit në 50 institucione arsimore të nivelit të mesëm të ulët dhe atij të mesëm të lartë në 5 komuna të Kosovës.
Braktisja e shkollimit, dukuri shqetësuese edhe në rajon
Përpos në Kosovë, dukuria e braktisjes së shkollës është prenzente edhe në Shqipëri.
Organizata UNICEF vlerëson se braktisja e shkollës në Shqipëri ka si shkak varfërinë e skajshme, nivelin e ulët të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me komunitetin, dukuritë negative brenda shoqërisë, lëvizjet e popullatës, migrimet etj.
Ndikim në braktisjen shkollore ka niveli arsimor i prindërve të fëmijëve, lëvizjet demografike gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, emigracioni individual e familjar, prindërit e shkurorëzuar, dhuna në familje (dhuna në çift dhe ajo ndaj fëmijëve nga një prind apo nga të dy prindërit), humbja e njërit prej prindërve apo e të dyve, mentaliteti i prindërve për arsimimin e vajzave, ngujimi për shkak të gjakmarrjes apo hakmarrjes etj.
UNICEF vlerëson se braktisja e shkollës në Shqipëri ka si shkak varfërinë e skajshme, nivelin e ulët të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me komunitetin, dukuritë negative brenda shoqërisë, lëvizjet e popullatës, migrimet etj.
Artikulli është realizuar në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin”.
Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.