Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mundësi e të qenit grua me mbulesë dhe moderne njëkohësist

Nën 2, 2020

Praktika na mëson se çështje të njëjta perceptohen në mënyra të ndryshme nga njerëzit. E interpretime të ndryshme, shpesh të ngatërruara ka edhe termi “ekstremizëm”. Ekstremizmin, fjalori shqip e definon si prirje për të bërë veprime a kërkesa të skajshme/tepruara, pra reagimi në skajshmëri.

Njomza Zeqiri, 22 vjeçare nga komuna e Vushtrrisë, është studente e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ajo punon në fushën e marketingut digjital dhe thotë se nuk ndihet e diskriminuar as në fakultet e as në punë.

“Kur kam shkuar në punë, kam kërkuar nga menaxheri një hapësirë ku mund të falem (rit fetar), ndërsa ai më ka siguruar edhe një sexhade. Pra e kam krejtësisht lirinë e praktikimit të fesë por edhe m’i respektojnë rregullat dhe parimet personale fetare që i kam, si p.sh. jo kontakt fizik me meshkuj dhe të tjera”, thotë Njomza.

Ndërsa Gresa Bregaj, studente e Universitetit të Prishtinës në Fakultetin e Edukimit thotë se nuk diskriminohet në fakultet dhe trajtohet shumë mirë si nga shoqëria ashtu edhe nga personeli akademik, por pranon të ketë pasur një eksperiencë jo të mirë sa ishte në shkollë të mesme.

“Një prej profesorëve gjatë gjithë kohës më ka quajtur ISIS, madje iu ka kërkuar edhe shoqërisë të mos shoqërohen me mua për shkak se, sipas tij, mund të jenë në rrezik. Kjo ka vazhduar derisa më ka penalizuar edhe në notim”, thotë Gresa.

Ekstremizmi fetar kohën e fundit është çështje komplekse në gjithë botën, e si e tillë, as Kosova nuk qëndron më mirë në këtë aspekt. Mendohet se ekstremizmi fetar pengon gratë që të emancipohen dhe modernizohen.

“… në qoftë se flasim për ekstremizmin si ekstremizëm fetar, normalisht që pengon femrat në emancipim”, thotë psikologia e gjimnazit “Eqrem Çabej” në Vushtrri, Ardita Imeri.

Ardita Imeri, psikologe në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri, mendon se ekstremizmi ndikon në modernizimin dhe emancipimin e femrës sepse edhe shoqëria pastaj i paragjykon e nuk iu jep hapësirë në aktivitete të ndryshme si në punësim e shkollim.

“… në qoftë se flasim për ekstremizmin si ekstremizëm fetar, normalisht që pengon femrat në emancipim”, thotë Imeri.

Psikologia Imeri shton se edhe vet femrat me mbulesë që janë ekstremiste fetare, kanë disa kritere të cilat nuk mund t’ia plotësojë shoqëria jonë, duke mbetur kështu më pak të emancipuara, më pak të shkolluara dhe më pak gjithëpërfshirëse në çdo aspekt.

Ndërsa, Bekim Jashari, kryeimam nga Podujeva njëherit edhe drejtor i portalit “Fol tash”, thotë se ekstremizmi dhe ekstremistët plotësisht duan që femrën ta kenë vetëm si objekt të epsheve.

“Kemi parë se si organizata terrosite ISIS sillej me femrën duke mos zgjedhur mjete e as rrugë për ta bërë atë vetëm shërbëtore të të ashtuquajturve ‘xhihadist’. Shembulli konkret se si shkelet femra në mësimet ekstremiste, është organizata ISIS, NUSRA, etj.”, thotë kryeimami Jashari.

Në pyetjen se a janë femrat apo meshkujt më të prirur për ekstremizëm dhe se ku janë rrënjtë e ekstremizmit, kryeimami Jashari konsideron që ekstremizmi nuk njeh moshë, gjini por as racë dhe ekstremistët nuk përfaqësojnë fe.

Por thotë se ekstremizmi nuk buron nga librat fetar të shenjtë, duke theksuar se ekstremizmi nuk ka vend në mësimet Kur’anore dhe profetike.

Jashari shton se një femër më mbulesë në ambiente publike ka për qëllim që të ndërtojë jetën dhe perspektivën e vet, dhe si të tillë, askujt nuk i lejohet që ta pengojë atë në realizimin e qëllimeve të saj.

Ne duam vetëm të inkurajojmë që femra shqiptare pa dallim, të jetë e arsimuar, edukuar dhe të shënojë rezultate në shumë fusha të jetës në mënyrë që ne të ndihemi krenarë me të arriturat dhe të rreshtohemi krahas popujve që janë prosperues dhe vendeve me zhvillim”, thotë kryeimami i Podujevës.

Jashari thotë se duke zhvilluar arsimimin dhe shkollimin e të gjithëve, arrijmë të mposhtim çdo tendencë që synon të shtrijë rrënjët e errëta për të dëmtuar të ardhmen tonë dhe të rinisë së vendit tonë.

Sipas R.T., koordinatore në Këshillin e Bashkësisë Islame në Vushtrri, nga të gjitha format e ekstremizmit, është edhe ekstremizmi fetar që tregon një qasje drejt ekstremeve në konotacion fetar.

“Modernizimi dhe emancipimi në kuptimin e drejtpërdrejtë, kanë të bëjënë me ngritjen e gruas, funksionin e saj në shoqëri dhe angazhimin e saj në shoqëri. Ekstremizmi çfarëdo lloji qoftë, në këtë rast ai fetar, është një pengesë për të gjitha këto funksione”, theksoi ajo.

Shamia ende sfidë në edukim e punësim?

Vaxhide Podvorica, zyrtare në Departamentin e Gruas në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), thotë se femrat duhet të trajtohen njëjtë dhe jo të bëhen dallime vetëm se ajo është femër me mbulesë.

Podvorica thotë se femrave me mbulesë duhet t’u jepet mundësia e njëjtë për shkollim e punësim sikur atyre pa mbulesë.

Përderisa dëgjohet shumë të thuhet nga njerëzit se ekstremizmi fetar islam ka ndikuar që grave t’u imponohet bartja e shamisë, studentja Njomza deklaron të kundërtën. Ajo thotë se nuk ka pasur imponim nga familja për të vendosur mbulesën dhe se ky ka qenë plotësisht vendim personal i saj. Sipas saj vendimi për të vënë shaminë  rrjedh nga brenda, dhe si i tillë nuk mund të jetë i imponuar.

Edhe bashkëmoshatarja e saj Gresa Bregaj nga Stanovci i Vushtrrisë thotë të ketë qenë vendim plotësisht personal shamia, derisa shton se ka pasur prej atyre që kanë qenë kundër mbulesës, por me kohë e kanë pranuar këtë fakt.

Edhe R.T., koordinatore pranë Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri thotë se mbulesa është vendim personal dhe jo i imponuar.

“Në islam nuk ka dhunë dhe është e ndaluar çdo lloj aktiviteti fetar ose praktikë fetare të bëhet në formën e urdhërimit nga ndonjë anëtar i familjes sepse adhurimet dhe praktikat fetare duhet të bëhen vetëm për hatër të Zotit dhe jo për hatër të njerëzve, sepse nëse e bëjmë për hatër të njerëzve atëherë nuk e marrim shpërblimin apo kënaqësinë e Krijuesit tonë”, thotë ajo.

Për praninë e ekstremizmit fetar islam në Kosovë ka mendime të ndryshme – se është i pranishëm por edhe se nuk është i pranishëm, edhe pse në të kaluarën ka pasur elemente të tij.

“Nuk mendoj se ka diçka aktuale, por organet e sigurisë e dinë më mirë. Si ekstremizëm nënkuptohet diçka ekstrem, dicka e tepruar, më shumë se ajo që kërkohet në fenë islame, ndërsa feja jonë është fe e mesme, mesatare, pra ne e zgjedhim një mes”, shprehet Vaxhide Podvorica, zyrtare në Departamentin e Gruas pranë BIK.

E koordinatorja për çështjen e gruas në Këshillin e Bashkësisë Islame në Vushtrri, R.T. konsideron se femrat në Kosovë janë më të rrezikuara nga shumë fenomene tjera më negative, por jo nga ekstremizmi.

Bashkëjetesa e çifteve, si një praktikë moderne dhe shumë aktuale në ditët e sotme, sipas islamit, është e papranueshme dhe kjo sipas Vaxhide Podvorica, zyrtare e Departamentit të gruas në BIK, është rreptësisht e ndaluar.

Bashkëjetesa nuk është martesë. Përderisa nuk është martesë nuk lejohet të jetosh dhe të veprosh dhe të bësh atë më të zezën (më të keqen) të bësh marrëdhënie (seksuale)”, thotë Podvorica.

Një këndvështrim tjetër ka psikologia Ardita Imeri, e cila thotë se edhe bashkëjetesa në fakt është një lloj martese dhe se ajo nuk sheh ndonjë dallim pasi, sipas saj, çiftet e konsiderojnë veten me obligime ndaj njëri-tjetrit.

Bashkëjetesa, në vendet perëndimore ka lindur për shkaqe ekonomike e financiare, në mënyrë që mos të kenë obligime ndaj njëri-tjetrit, ndaj zgjedhin të bashkëjetojnë në mënyrë që të mos e kenë problemin e ndarjes së pasurisë në rast të ndarjes së çiftit. Ndërsa tek ne bashkëjetesa është  thjeshtë ‘martesë’”, thotë psikologia Imeri.

Vale Përvetica është studente në Universitetin e Prishtinës “ Hasan Prishtina” në drejtimin gjuhë shqipe, tregon se ka pasur problem për shak të shamisë sa ishte në shkollën e mesme.

“Nuk jam lejuar të qëndroj në klasë javën e fundit, kohë kjo kur kam vendosur mbulesën, ndërsa në universitet s’kam pasur probleme, thotë ajo.

A.L. nga Skënderaj, ndjek studimet master në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Prishtinës, mendon se edukimi dhe punësimi janë sfida shumë të mëdha me të cilat përballen femrat me shami.

Shumica e femrave që unë i njoh kanë vullnet të madh për punësim dhe shpeshherë rezulton negativisht edhe përkundër zellit dhe punës së tyre”, thotë A.L.

A.L. thotë të mos ketë pasur pengesë nga askush për t’u shkolluar dhe zhvilluar profesionalisht. Çkado që ajo ka dashur të bëjë, qoftë shkollim, punë vullnetare apo ose praktikë, ajo gjithmonë ka gjetur mbështetje tek familja.

Sipas një raporti të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, prezenca e Islamit u bë e dukshme në shumë sfera duke përfshirë jetën personale e deri te ajo politike.

Vlerësohet se lufta e fundit në Kosovë ka lënë shumë pasoja të cilat kishin krijuar rrethana të përshtatshme edhe për fetarizëm. Shpërndarja e shoqërisë në nivele të ndryshme, llojllojshmëria e sferës sociale ka ndikuar që populli të krijojnë ide të ndryshme si liberale ashtu edhe konservative.

Sipas një hulumtimi të kryer nga KIPRED, në Podujevë dhe Suharekë kemi përmirësim të situatës sa i përket radikalizmit dhe ekstremizmit.

Komuna e Podujevës bën pjesë në një nga komunat me nivelin më të ulët të ekstremizmit, e sipas hulumtimit të KIPRED-it, kjo ka ndodhdur sepse ka një koordinim shumë të mirë në mes institucioneve të cilat bashkëpunojnë për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit. Banorët e kësaj zone gjithmonë kanë qenë më fetar sesa banorët e zonave tjera në Kosovë, thuhet në këtë publikim.

Edhe komuna e Suharekës është një ndër komunat me nivelin më të ulët të ekstremizmit në tërë vendin tonë. Sipas të dhënave të Policisë, grupeve terroriste në Siri dhe Irak nuk iu është bashkangjitur asnjë person nga kjo komunë.

Hulumtimet e realizuara nga KIPRED-i flasin për ekstremizëm në rajone të caktuara të vendit. Përderisa në Podujevë dhe Suharekë gjendja paraqitet e mirë, në komunën e Kaçanikut dhe atë të Hanit të Elezit është evidentuar numër i madh i të rinjëve që kanë shkuar në luftë në shtetin islamik.

Avancimi i pozitës së gruas në botën muslimane

Në Shqipëri harmonia fetare njihet si një vlerë themelore e shoqërisë pasi pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme fetare jetojnë në paqe bashkarisht.

Adile Shabani, mësimdhënëse në shkollën “Rahma School” në Elbasan, thotë të mos e ketë penguar diçka shamia për t’u emancipuar.

“Një femër, mjafton të ketë talent dhe zgjuarsi dhe gjëra tjera nuk kanë rëndësi pasi mundësitë e njëjta i ka si një femër pa mbulesë ashtu edhe ajo me mbulesë”, tha mësimdhënësja Adile Shabani.

Ajo shprehet e kënaqur me mënyrën se si trajtohen vajzat me shami në universitete në Shqipëri.

“Në Shqipëri ka ndryshuar mentaliteti, para disa viteve ka pasur raste diskriminimi në universitete por tani nuk ka. Unë nuk jam ndier në asnjë rast se po diskriminohem”, tha Adilja.

Në vendet arabe gjenden komunitetet krishtere më të vjetrat në botë, ku veq tjerash kanë të garantuar status, ku u respektohet feja, objekti i kultit dhe ligjet kanonike.

Në Turqi dominon feja islame me 99 për qind të popullsisë, ku pjesën më të madhe përbëjnë sunitët.

Kosovarja Medina Bivolaku, e cila studion gjuhën dhe letersinë turke në “29 Mayis Universitesi”, thotë se në Turqi gjen në të gjitha fushat fermra me mbulesë që punojnë.

“Këtu mund të shohësh profesoreshë të mbuluar, police të mbuluar, edhe në markete gjen femra (punëtore) të mbuluara, pra jetojmë bashkë me ato që bartin shami dhe ato që nuk bartin shami”, thotë Medina.

Përparime sa i përket pozitës së femrës muslimane kanë bërë edhe shtete tjera në mbarë botën.
Egjipti, me 90 për qind të popullsisë që i takojnë islamit suunit, ka bërë disa përparime drejt barazisë gjinore vitet e fundit. Vajzat dhe djemtë tani ndjekin shkollën në numër të barabartë, dhe universitetet egjiptiane kanë më shumë femra sesa meshkuj.Vajzat po martohen më vonë dhe kanë më pak fëmijë sesa dy dekada më parë.

Në tre vitet e kaluara, në Arabinë Saudite, Mbretëria ka miratuar një seri reformash ekonomike dhe sociale siç është zbatimi i ligjeve kundër ngacmimit për vende të punës më të sigurta për gratë, lejimi i grave që të vozisin vetëm, subvencionimi i qendrave të kujdesit ditor, ndalimi i pushimit të gruas nga puna gjatë shtatëzanisë dhe lehonisë dhe ndalimin e diskriminimit me bazë gjinore në përdorimin e shërbimeve financiare. Tani, gratë punojnë në zyra të korporatave, banka, dyqane dhe po hapin biznese.

Emërimi i Princeshës Reema bint Bandar al-Saud si ambasadore e Arabisë Saudite në SHBA vitin e kaluar duke e bërë atë të dërguarën e parë femër në vend, e që kjo konsiderohet si një hap i madh drejt fuqizimit të grave.

Në shtetin e Singaporit, në vitet ’50-ta të shekullit të kaluar, kishte ende shumë familje që nuk e shihnin të nevojshme që vajzat të shkolloheshin, pasi që roli i tyre konsiderohej se ishte të martoheshin dhe të kishin fëmijë. Mirëpo në ditët e sotme gratë në Singapor ka po aq femra sa meshkuj në të gjitha nivelet e arsimit, ka gra pilote ushtarake, gra që drejtojnë divizione kryesore ushtarake dhe policore, dhe drejtojnë ndërmarrje të mëdha. Gjithashtu ka tre gra ministra të kabinetit, e më 2017 Halimah Jacob u bë edhe gruaja e parë presidente e vendit.

Ftinete Zeka

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM